Pamje nga Rruga e Arbrit (Foto ATSH)
Më 4 maj, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, përuruan segmentin rrugor Plani i Bardhë-Qafa e Buallit. Ky segment rruge përbën një nga arteriet më të rëndësishëm të Rrugës së Arbrit.
Përfundimi i Rrugës së Arbërit brenda këtij viti, me një gjatësi rreth 74 km, do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Peshkopi, me gjatësi 180 km. Jo vetëm përfitojmë një rrugë të re me standarde evropiane, por edhe shkurtojmë kohë dhe arrijmë në Dibër dy herë e gjysmë më herët nga sa e bënim më parë.
Rruga do të shtojë ndjeshëm nivelin e jetesës dhe do të gjallërojë ekonominë e zonave në të cilat kalon, kryesisht në Qarkun e Dibrës, i cili ka një popullsi rreth 130,000 banorë, si dhe në Njësinë Administrative Zall-Bastar të Qarkut të Tiranës, me një popullsi 6,525 banorë.
Rruga e Arbërit do të bëhet shumë shpejt një korridor lidhës i rëndësishëm i Lindje-Perëndimit jo vetëm të Shqipërisë, por edhe në rajon. Ajo lidh jo vetëm rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin dhe jetën e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, të cilat kanë qenë shumë pak të zhvilluara dhe gati të izoluara deri tani, por siguron dhe transportin më shpejt dhe me më pak kosto të burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Përurimi i Rrugës së Arbrit (Foto Albania turismo).jpg
Nga ana tjetër, ky aks rrugor kombëtar dhe strategjik, do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën e Madhe në Maqedoninë e Veriut, dhe më tej me Tetovën dhe Shkupin, duke përbërë një arter lidhës të rëndësishëm ndërkombëtar.
Gjurma e "Rrugës së Arbërit", që në historinë e popullit tonë njihet si rruga e Karvaneve, ose pjesë e rrugës së vjetër Egnatia, e cila e ka lidhur historikisht Tiranën me Dibrën, sot është pjesë e Korridorit të 8-të paneuropian.
Rruga e Arbërit është përcaktuar si një projekt me rëndësi të veçantë kombëtare për infrastrukturën rrugore të vendit dhe është në përputhje me programin e qeverisë shqiptare per përmirësimin e kushteve të jetesës të zonave më pak të zhvilluara, duke modernizuar dhe zhvilluar infrastrukturën.
Kryeministri Rama gjatë përurirmit (Foto Top Channel)
Kryeministri dhe Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, vizituan segmentin e ri rrugor, e më pas përshkuan tunelin për të dalë në zonën e Bulqizës. Përmes segmentit Plani i Bardhë-Qafa e Buallit, rruga Tiranë – Bulqizë dhe anasjelltas përshkohet nga sot e tutje për vetëm 55 minuta, ose 21 minuta më pak se më parë. Kështu, merr pak nga pak jetë dhe mundësi zhvillimi një nga zonat më të varfëra të vendit, zona e Bulqizës, e njohur për minierën e saj të kromit.
Në përurim, kryeministri Rama vuri në dukje se qytetarët duhet të bëjnë durim edhe disa muaj. Tashmë janë 300 metrat e fundit në tunelin e Murrizit, ku ecet përditë, po ngadalë, deri në daljen që e mbyll përfundimisht këtë vepër të madhe infrastrukturore, e cila, sipas tij ka nisur të kthehet në një motor i fuqishëm të zhvillimit ekonomik për të gjithë banorët punëtorë të zonave të Dibrës, Bulqizës dhe Matit.
Rruga e Arbërit po ndërtohet sipas standardeve optimale evropiane. Investimi në të, krahas dhjetra veprave të artit dhe rrugëve dytësore, parashikon edhe mbjelljen e pemëve në të dyja anët e rrugës.
Vazhdimi i Rrugës së Arbrit në territorin e Maqedonisë së Veriut do të realizohet përmes kufirit shtetëror në Gjoricë, ku rruga kalon për në qytetin e Dibrës. Distanca nga Dibra deri në Gostivar është 65 kilometra, e nga Gostivari deri në Tetovë 25 kilometra, kurse nga Tetova në Shkup 45 kilometra. Kështu, distanca totale nga Tirana deri në Shkup, përmes Peshkopisë dhe Dibrës, do të jetë rreth 210 kilometra.
Në këtë mënyrë, Rruga e Arbërit bëhet pjesë e pandarë e Korridorit të 8-të. Rruga do të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 km/orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore, pavarësisht se përgjatë saj, ajo ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra.
Është një rrugë mjaft panoramike dhe tërheqëse për turistët. Pasi kalon Tiranën, rruga arrin në Brar dhe duke kaluar Shkallën e Tujanit dhe luginën e bukur të Brarit, vijon në luginën e ngushtë e të thellë të malit të Dajtit, me kanionet mahnitës të ngushtë e të thellë.
Rruga e Arbrit (Foto Top Channel)
Më tej, rruga përshkon luginat malore të Shpalit, Murrizës, kapërcen me tunel në veri të Qafë-Murrizës nga ana e Tiranës, duke dalë në anën e Matit në luginat e bukura malore të Xibrit dhe të Gurit të Bardhë, si dhe në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit mbi Urën e Vashës. Me segmentin e ri rrugor të përfunduar, ajo kalon luginën e Planit të Bardhë dhe tunelin e Qafës së Buallit, duke vijuar në luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, Zerqanit, deri sa del në fushën e Gjoricës të pellgut të Dibrës, për të vazhduar deri në Dibër të Madhe në Maqedoninë e Veriut.
Dibranët e kanë ëndërruar për dekada me rradhë këtë rrugë, e cila vonoi të realizohej. Kryeministri Rama theksoi se vitin e kaluar, zonën e Matit, Bulqizës dhe Dibrës e kanë vizituar 37 mijë turistë. Në sajë të Rrugës së Arbërit, brenda pak vitesh, Kryeministri u shpreh i bindur se këto zona kaq të bukura e mikpritëse të verilindjes së vendit do të vizitohen nga një numër dhjetë herë më i madh turistësh. Qytetarët dhe ekonomia e këtyre zonave presin me padurim përfundimin e Rrugës së Arbërit, për të vendosur të gjitha shanset e zhvillimit në prodhimin dhe përpunimin në shkallë industriale të frutave dhe perimeve të njohura të rajonit, si dhe në turizmin rural, bazuar në bukuritë natyrore, mikpritjen e jashtëzakonshme dibrane dhe jetën e gjallë e plot tradita të fshatit dibran.
Fatos Çoçoli