Familja Kelmendi (Foto nga instagrami)
Nis sonte nata e parë e Festivalit Europian të Këngës “Eurovision Song Contest 2023”. Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit nga Albina dhe familja Kelmendi me këngën “Duje”, pas fitores në Festivalin e 61-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Kënga “Duje” vjen e realizuar, me tekst nga Eriona Rushiti (e cila e ka përfaqësimin e dytë në Eurovizion), ndërsa muzika dhe orkestrimi janë realizuar nga kompozitori Enis Mullaj.
Kjo këngë është një thirrje për të sjellë në vëmendje traditën e dikurshme shqiptare kur familja ishte e bashkuar. Nga dy netët gjysmëfinale do të zgjidhen 20 shtete për të performuar në finalen e madhe më 13 maj, ku do u bashkohen edhe 5 shtete të tjera finaliste si Spanja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania, por dhe shteti fitues i vitit të kaluar (Ukraina), të cilët plotësojnë listën e 26 shteteve finaliste.
‘Eurovision 2023’ nis sonte me natën e pare gjysmëfinale, për të vijuar me natën e dytë gjysmëfinale më datë 11 maj, kur do të jetë dhe konkurimi i Shqipërisë dhe më 13 maj 2023 në ‘M&S Bank Arena’ të Liverpoolit, do të mbahet mbrëmja finale e edicionit të këtij viti. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani, nga Liverpuli autorja e tekstit të këngës “Duje” Eriona Rushiti, rrëfen për atmosferën aty dhe gjithçka ka të bëjë me konkurimin e Shqipërisë në Eurovizion.
Albina Kelmenti (Foto nga instagrami)
CMG: Përshëndetje Eriona! Mirë se vjen në Radio Ejani!
Eriona Rushiti: Përshëndetje Radio Ejani nga Liverpuli, këtu ku zhvillohet Eurovizioni!
CMG: Ti je autore e tekstit të këngës "Duje" që prezanton këtë vit Shqipërinë në Eurovizion 2023. Na trego për emocionet para nisjes së këtij eventi europian të këngës dhe si është atmosfera aty?
Eriona Rushiti: Është një atmosferë shumë e bukur në të gjithë qytetin, sidomos kur sheh flamujt të valviten e mes tyre dhe flamurin shqiptar. Albina dhe familja Kelmendi i kaluan me sukses provat dhe ditën e enjte kemi garën e madhe, ku vajtja jonë në finale varet vetëm nga votat e publikut. Kështu që është shumë e rëndësishme që të gjithë shqiptarët që ndodhen jashtë vendit të votojnë Shqipërinë. Në finale më pas futet dhe juria, të gjitha juritë e shteteve për të votuar.
Familja Kelmendi - Eurovision 2023 (Foto nga instagrami)
CMG: Për ty nuk është hera e parë që gjendesh në skenën muzikore evropiane. Si të duket ky prezantim?
Eriona Rushiti: Sigurisht që nuk është hera e parë, pasi unë kam qenë në Eurovision edhe në vitin 2019 me këngën “Ktheju tokës” të kënduar nga Jonida Maliqi, ndërsa këtë vit jam vetëm autore e tekstit, pasi kompozitori i muzikës është Enis Mullaj. Është më ndryshe tani pasi kam pak më shumë eksperiencë dhe e di se çfarë i duhet asaj skene.
Në diskutimet tona të para me familjen, ishte vëmendja që duhej t’i kushtojmë skenës, pasi Eurovisioni nuk është vetëm një konkurs zërash, por është edhe një përfaqësim i skenës, i show-t. Dhe aty ishte dhe vëmendja jonë e madhe, pasi dihet që e gjithë familja janë të harmonizuar shumë bukur, Albina ka një vokal shumë të bukur, potent, gjë që e ka vërtetuar edhe tek “The Voice of Albania”. Në bazë të asaj experience kemi vepruar edhe këtë vit. Kemi punuar me një regjisore shumë të mirë Sazha, që është një nga regjisoret skenike më të mirat e Eurovizionit, kjo u tregua edhe në provat që patën. Shpresoj që këtë herë të shkojmë edhe më mirë.
Familja Kelmendi - Eurovision 2023 (Foto nga instagrami)
CMG: Si janë pritshmëritë dhe çfarë do të veçoje ti në këtë Eurosong?
Eriona Rushiti: Këtë vit do të veçoja faktin se, Shqipëria gjithmonë është paraqitur me këngëtarë, me solistë, ndërsa këtë herë ne paraqitemi me një familje të tërë, pra konsiderohet si një grup, pavarësisht se ajo është e gjitha një familje. Kjo është shumë e veçantë jo vetëm për në Shqipëri, e cila mori vëmendje, por edhe në Eurovizion nuk ka ndodhur asnjëherë që në skenë të ngjitet e gjithë familja. Të gjithë janë të befasuar nga ky fakt se si një familje e tërë di të luajë në instrumenta, dinë të këndojnë kaq bukur.
Kjo është ajo që na bën neve më të veçantë këtë vit, përveç traditës që ne jemi mësuar të çojmë përherë këngë tradionale, etnike. Kjo është një plus dhe mendoj se është çelësi i suksesit që paraqitet një familje e madhe. Besoj që kjo gjë do të vlerësohet pasi edhe mesazhi që kjo familje përcjell, ashtu si ata janë, e përcjellin energjinë dhe këtë energji e ndjejnë të gjitha delegacionet kur shohin një familje të shëndetshme, të gjithë bashkë.
Edhe vetë mesazhi i këngës bën fjalë, se si ta ruajmë një familje, e cila në ditët e sotme është duke u transformuar dhe duke u shkërmoqur. Ky mesazh është mjaft i fuqishëm dhe mund të përcilllet shumë mirë në të gjithë botën, pikërisht edhe nga prezenca e familjes, të cilët këndojnë të gjithë bashkë. Do të veçoja dhe diçka tjetër që mendoj se është një ogur i mirë për ne, vetë dritat e skenës së madhe, u ndezën nga familja mbretërore dhe gjej një lidhje shumë të bukur me një familje shqiptare, që merr pjesë në Eurovision,prandaj edhe e veçova këtë fakt.
Familja Kelmendi - Eurovision 2023 (Foto nga instagrami)
CMG: Çfarë do i thoje publikut?
Eriona Rushiti: Publikut i them të na votojë ditën e enjte më datë 11 maj, të votojë Shqipërinë dhe familjen Kelmendi.
CMG: Faleminderit dhe dalshi me fitore!
Eriona Rushiti: Faleminderit Sava! Ju uroj edhe juve suksese! Paçim fat të gjithë, pasi Albina dhe familja Kelmendi, na përfaqëson neve të gjithëve.
Festivali Evropian i Këngës 2023 këtë vit është në edicionin e tij të 67-të dhe këtë herë mbahet në Liverpool, në Mbretërinë e Bashkuar, pasi Ukraina, fituesja e vitit 2022 me këngën "Stefania" nga Kalush Orchestra, nuk mund të zhvillonte këtë event, për shkak të luftës. Në Liverpool Arena do të zhvillohen dy gjysmëfinalet më datë 9 dhe 11 maj dhe një finale më 13 maj. Të treja shfaqjet do të transmetohen live do të prezantohen nga këngëtarja britanike Alesha Dixon, aktorja britanike Hannah Waddingham dhe këngëtarja ukrainase Julia Sanina, me prezantuesin televiziv irlandez Graham Norton që do t'i bashkohet finales.
Në këtë eidion do të marrin pjesë tridhjetë e shtatë shtete në konkurim, pasi Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë tërhequr pjesëmarrjen e tyre, për shkak të ndikimit ekonomik të krizës globale të energjisë në këto dy vitet e fundit.
Intervistoi: Sava Lena