Siria ripranohet në Lidhjen Arabe
2023-05-09 11:12:00

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe, që u takuan të dielën në Kajro, ranë dakord të ripranojnë Sirinë 10 vjet pas vendimit për pezullimin e anëtarësimit të këtij vendi për shkak të luftës civile.

Vendimi për të ripranuar Sirinë nuk pati mbështetje të njëzëshme, por u mor me shumicën e votave të anëtarëve të Lidhjes Arabe, gjatë një diskutimi jopublik.

Veprimi vjen vetëm disa ditë përpara takimit të nivelit të lartë të Lidhjes Arabe, që mbahet në Riad, shkruan “RTSH”.

Zëdhënësi i Lidhjes Arabe, Jamal Rushdy, deklaroi se vendimi ishte një veprim simbolik politik, pasi për vite të tëra Siria nuk u lejua të merrte pjesë në bashkësinë arabe dhe vendet arabe dëshirojnë që Siria të jetë e përfshirë në zgjidhjen e konfliktit të saj.

Në një deklaratë të Lidhjes Arabe vihet në dukje se zgjidhja e konfliktit në Siri është një çështje që kërkon hapa të njëpasnjëshëm. Hapi i parë ishte dhënia të drejtë Sirisë të rimerrte pjesë në takimet e Lidhjes Arabe. Po ashtu theksohet se bashkësia mbështet integritetin territorial të Sirisë dhe tërheqjen e të gjitha forcave të huaja nga vendi.

Ministrat ranë gjithashtu dakord të përkrahnin nismën e Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Sauditë për zgjidhjen e konfliktit në Sudan. (Fatosi)