Kinë: Festohet 1 Maji, konsumi nxitet nga “ekonomia e pushimeve”
2023-05-09 16:37:21


Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qysh nga fillimi i këtij viti, sektorët e konsumit dhe shërbimeve në Kinë kanë pasur prirje mëkëmbjeje. Në tremujorin e parë, të dhënat e konsumit kanë shënuar rritje të dukshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Posaçërisht gjatë pushimeve të 1 Majit, që zgjatën për pesë ditë, masat stimuluese nga krahinat e ndryshme kanë ngritur efektivisht nivelin e konsumit të qytetarëve, duke ia shtuar gjallërinë zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të vendit.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“1 Maji më i nxehtë”

 

Me masat e reja anti-epidemike dhe lehtësimin e kontrollit ndaj epidemisë, njerëzit u kanë kushtuar vëmendje të madhe pushimeve të festës së 1 Majit. Sivjet në Kinë kishte pesë ditë pushimesh për 1 Majin, që quhet edhe si “1 Maji më i nxehtë” për turizëm dhe konsum.

 

Të dhënat e Ministrisë së Transportit të Kinës tregojnë që numri total i udhëtimeve hekurudhore, rrugore, ujore dhe ajrore gjatë pushimeve të 1 Majit shënoi shifrën mbi 270 milionë. Ndërsa Qendra e të Dhënave pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kinës bën të ditur që, gjatë kësaj periudhe, numri i turistëve në tregun e brendshëm shkoi në 274 milionë, 70.83 % më shumë se në njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe sa 119.09 % e vitit 2019. Të ardhurat prej turizmit vendas arritën në 148 miliardë e 56 milionë juanë, 128.9 % më shumë se një vit më parë, dhe sa 100.66 % e nivelit të vitit 2019. Shifrat dëshmojnë qartas që këta dy tregues kryesorë janë mëkëmbur, duke e kaluar nivelin e vitit 2019, pra para shpërthimit të pandemisë.

 

Krahas këtyre, të dhënat e konsumit të publikuara nga Ministria e Tregtisë e Kinës kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

 

Gjatë pushimeve, shitjet me pakicë dhe ndërmarrjet ushqimore kanë shënuar rritje me 18.9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndër to, shitjet e produkteve të naftës dhe automjeteve janë rritur me 24.4 % dhe 20.9 %. Edhe shitja e bizhuterive, veshjeve, kozmetikës dhe duhanit e pijeve alkoolike është shtuar përkatësisht 22.8 %, 18.4 %, 16.5 % dhe 15.1 %.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Vëmendja nga mediat ndërkombëtare

 

“1 Maji më i nxehtë” ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave kryesore ndërkombëtare, të cilat kanë bërë njoftime optimiste lidhur me mëkëmbjen e ekonomisë kineze.

 

CNN njoftoi: “Ky është 1 Maji i parë i Kinës pas përmirësimit të masave anti-epidemike. Turizmi në Shangai po lulëzon dhe autoritetet e turizmit kanë bërë të ditur që, në ditën e parë të pushimeve të 1 Majit, Shangai ka pritur mbi 3 milionë turistë. Ndërsa në Pekin shumë turistë shkojnë në pikat e njohura turistike, si Muri i Madh. Në ditën e 2-të të pushimeve të 1 Majit, mbi 14 mijë veta e kanë vizituar Murin e Madh.”

 

Shumë media ndërkombëtare u shprehën në njoftimet e tyre që “kjo është një dukuri inkurajuese”. CBS njoftoi që sektori i turizmit në Kinë e ka kapur fort këtë rast, duke i dhënë shtysë të reja ekonomisë e duke forcuar besimin e konsumatorëve. “Reuter” vuri në dukje në njoftimin e tij që mëkëmbja e turizmit është një nxitës i këndshëm për ekonominë e 2-të të botës.

 

Drejtori i studimeve të konsumit pranë grupit “Goldman Sachs” Michel Chen vuri në dukje: “Nëse shohim të dhënat e përgjithshme, të dhënat e turizmit gjatë pushimeve të 1 Majit në Kinë janë shumë inkurajuese dhe numri i turistëve është rritur me afro 70 %, që është pothuajse sa 120 % e vitit 2019. Më inkurajuese është që të ardhurat turistike janë mëkëmbur në nivelin e vitit 2019. Nga ana tjetër, mund të shohim që konsumi i përgjithshëm gjatë pushimeve është mirë dhe shënoi rritje me afro 19 %. Jemi të bindur që kjo parashikon se Kina po ecën në shinat e mëkëmbjes së vazhdueshme ekonomike.”

 

“Bloomberg”-u u ka kushtuar vëmendje kërkesave të mëdha të konsumatorëve për mallra të konsumit të nivelit të lartë, duke theksuar që kjo tregon elasticitetin e konsumit të Kinës.

 

Analistja e “Bloomberg”-ut Catherine Lin vuri në dukje: “Ka një dukuri, që konsumatorët kinezë po shpenzojnë para për mallrat e konsumit me cilësi më të lartë, si këpucë sportive dhe kozmetikë më cilësore. Kjo në fakt ka ofruar hapësirë për rritjen e mëtejshme të konsumit të Kinës.”

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Konsumi i lartë vjen nga masat e reja nxitëse

 

Në fakt, mëkëmbja e shpejtë e sektorëve të konsumit dhe turizmit është realizuar nga politikat efikase dhe kërkesa e madhe. Për të ngritur nivelin e konsumit, krahinat e ndryshme kineze kanë marrë një sërë masash nxitëse, duke zhvilluar veprimtari të shumta në bazë të gjendjes vendore.

 

Në qytetin Xian të Kinës Perëndimore, shfaqjet artistike me elemente tradicionale kanë “shpërthyer” tregun vendor të turizmit dhe konsumit. Ndërsa në qytetin Zibo të Kinës Lindore, mish në skarë është bërë një simbol konsumi, çka ka tërhequr një numër të madh konsumatorësh dhe turistësh nga e gjithë Kina. Krahas këtyre, edhe turizmi me fëmijë është bërë modë ndër turistët, të cilët zgjedhin itinerare udhëtimesh sipas librave të shkollës.

 

Me skenarët e rinj, mënyrat e reja dhe masat e reja nxitëse, njerëzit kanë pasur më shumë zgjedhje në “1 Majin më të nxehtë”, gjë që u ka mundësuar atyre të konsumojnë më shumë. Niveli i lartë i konsumit ka treguar edhe një herë potencialin gjigant të megatregut kinez. Kina ka një popullsi prej mbi 1.4 miliardë banorësh dhe mbi 400 milionë njerëz të shtresës së mesme. Kjo është baza e fortë për zhvillimin ekonomik të Kinës.

 

Edhe pse konsumi është një nxitës i ngadaltë ndër tre përbërësit e “trojkës” ekonomike, duhet të shohim që, pas pengesave dhe kërkesave të kufizuara gjatë viteve të fundit, njerëzit kanë më shumë dëshirë për udhëtim dhe konsum. Më pas do të publikohen më shumë masa të reja, të cilat jo vetëm mund të nxisin konsumin, por edhe mund të aktivizojnë potencialin e tregut kinez, duke konsoliduar më tej bazën e mirë të zhvillimit ekonomik të Kinës. (Jiang Lei)