Stina e alergjive, mjekët: Përdorni maskë kur dilni në rrugë
2023-05-09 11:45:00

Autoritet shëndetësore në Shqipëri po i bëjnë thirrje popullatës të tregojë kujdes ndërsa vendi ka hyrë në sezonin e alergjive. Kjo për pacientët kronikë është koha më e keqe e vitit për ta.

Simptomat e alergjive kanë bërë që në dyert e qendrave shëndetësore, por edhe në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, të kërkohet ndihma e mjekut.

Të dhënat flasin se 1 në 4 të rritur preket nga polinoza ose alergjitë e stinës dhe rastet e reja po shfaqen çdo vit në shtim. Mjekët flasin edhe për prekje të moshave të vogla, raporton “RTSH”.

E ndërsa simptomat po shfaqen më të rënda se më parë dhe pacienti mund të kalojë kriza të forta të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, mjekët apelojnë për përdorim të maskës gjatë orëve të daljes në rrugë dhe vaksinim në tre doza. (Fatosi)