Kina, e gatshme të punojë me Britaninë për zhvillimin e qendrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe
2023-05-09 20:29:36

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin bëri të ditur të martën se, ditët e fundit, i dërguari i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping, zv.presidenti i Kinës Han Zheng, mori pjesë në Londër në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit të Britanisë Çarls III. Pala britanike i ka kushtuar rëndësi të madhe kësaj dhe i ka ofruar delegacionit kinez një pritje të nivelit të lartë.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Wang tha se mbreti Çarls III e falënderoi presidentin kinez Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij Peng Liyuan për mesazhin e urimit për mbretin dhe mbretëreshën e Britanisë. Mbreti britanik e mirëpriti pjesëmarrjen e Han Zheng, si i dërguari i posaçëm i presidentit Xi, në ceremoninë e kurorëzimit në Britani. Han u takua me kryeministrin Rishi Sunak, princin e Uellsit William, zv.kryeministrin Oliver Dowden dhe personalitete të tjera britanike, mori pjesë në një darkë të organizuar nga komuniteti i biznesit dhe mbajti fjalim.

“Gjatë bisedimeve, Han paraqiti gjendjen e tanishme ekonomike të Kinës dhe drejtimin e politikave. Han theksoi se Kina dhe Mbretëria e Bashkuar kanë potenciale të mëdha bashkëpunimi. Qeveritë e të dy vendeve duhet t’i përgjigjen pozitivisht dëshirës së sipërmarrjeve për bashkëpunim, të vendosin bazat e marrëdhënieve të qëndrueshme dypalëshe për bashkëpunim me përfitime të ndërsjella dhe të ofrojnë më shumë politika mbështetëse. Kina i kërkon Britanisë t’u krijojë ndërmarrjeve kineze një mjedis biznesi të hapur, të drejtë e jodiskriminues dhe t’u garantojë studentëve e turistëve kinezë siguri e komoditet,” tha zëdhënësi.

Ai theksoi në vijim se Kina është e gatshme të punojë me Britaninë për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. (Li Huailiang/Artan)