Rikthehet opera shqiptare në skenën e TKOB
2023-05-09 11:41:07

Premiera botërore “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Kryezot i Arbërit” rikthen operën shqiptare në skenë. Opera solemne kompozuar nga Vasil S. Tole, shkruar mbi tekstin e Fan S. Nolit, është fituese e “Konkursit mbarëkombëtar të krijimtarisë muzikore”, shpallur nga Ministria e Kulturës në vitin 2018.

Vepra ngjitet në skenë me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, me premierën më 9 maj, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, njofton “ATSH”.

Në opera interpretojnë baritoni Artur Vera, tenori Gerald Murrja, sopranoja Eva Golemi dhe mezzo-sopranoja Amelda Papa.

Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, si dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës, janë në drejtimin e dirigjentëve Sieva Borzak, Dritan Lumshi dhe Hajrullah Syla. (Fatosi)