Mitingje masive në Stamboll përpara zgjedhjeve presidenciale turke
2023-05-09 11:28:11

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mitingje në shkallë të gjerë u mbajtën në fundjavë në Stamboll, qyteti më i madh në Turqi, duke shënuar fundjavën e fundit përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për në 14 maj, shkruan “Xinhua”.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, që përfaqëson koalicionin zgjedhor Aleanca Popullore, tërhoqi qindra mijëra mbështetës në tubimin e tij. Duke e zhvilluar mitingun në anën europiane të qytetit, Erdogan vuri në pah arritjet e partisë së tij në pushtet dhe përshkroi planet e tyre të ardhshme.

Erdogan theksoi rëndësinë simbolike të zgjedhjeve të ardhshme, pasi viti 2023 shënon 100-vjetorin e themelimit të Republikës, duke shtuar se ai synon të krijojë një shekull turk me mbështetjen e popullit.

Duke qenë se në Stamboll ndodhen më shumë se një në gjashtë votues turq, të gjitha partitë politike dhe kandidatët presidencialë po i kushtojnë rëndësi të madhe fitimit të qytetit.

Nga popullsia totale e Turqisë prej afro 85 milionë banorësh, rreth 60.7 milionë kanë të drejtë vote, me 11.3 milionë banues në Stamboll.

Ndërsa Kemal Kilicdaroglu, kreu i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane (CHP) dhe kandidati presidencial për CHP, mori pjesë në një tubim masiv në anën aziatike të Stambollit. Ai u zotua për të sjellë paqe dhe prosperitet në vend, duke premtuar se do të qeverisë me arsye, njohuri dhe përvojë. Kiliçdaroglu theksoi përkushtimin e tij ndaj gjithëpërfshirjes, duke u zotuar mos të lërë pas asnjë segment të shoqërisë.

Të dy kandidatët po bëjnë fushatë për të përmirësuar cilësinë e jetës për shumë turq që janë prekur nga rënia ekonomike e fundit. (Fatosi)