Kreu i IAEA-së paralajmëron për rreziqe rreth centralit bërthamor Zaporizhzhia
2023-05-08 14:18:54

Foto nga VCG

Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, paralajmëroi se situata rreth stacionit bërthamor të Zaporizhzhias, të mbajtur nga Rusia, është bërë gjithnjë e më shumë e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme. Ai bëri thirrje për marrjen e masave, për të siguruar funksionimin e tij të sigurt, shkruan “CGTN”.

Grossi theksoi se paralajmërimi u bë duke pasur parasysh, siç tha ai, evakuimet në qytetin e afërt të Enerhodar, të urdhëruara nga guvernatori lokal i caktuar nga Rusia.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet reale të sigurisë bërthamore dhe të sigurisë me të cilat përballet centrali. Ne duhet të veprojmë tani për të parandaluar kërcënimin e një aksidenti të rëndë bërthamor dhe pasojat që lidhen me të për popullatën dhe mjedisin”,- tha ai.

Forcat ruse morën kontrollin e uzinës së Zaporizhzhias, centrali më i madh i energjisë bërthamore në Europë, disa ditë pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt 2022. Pranë objektit ka pasur shpesh shkëmbime zjarri, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën.

Grossi vizitoi për herë të fundit stacionin e Zaporizhzhia në mars, si pjesë e përpjekjeve për të folur me të dyja palët për të siguruar një marrëveshje mbi masat mbrojtëse për të siguruar funksionimin e sigurt të uzinës.

Ai ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e aktiviteteve ushtarake rreth uzinës. (Fatosi)