Projekti i demonstrimit të energjisë bërthamore të Kinës “Hualong One” kalon testet
2023-05-08 10:28:05

Foto nga VCG

Projekti demonstrues i “Hualong One”, dizajni i reaktorit të energjisë bërthamore të gjeneratës së tretë të Kinës, kaloi testet përfundimtare, njoftoi Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës (CNNC), shkruan “CGTN”.

Projekti përfshin dy reaktorë - Njësinë 5 dhe Njësinë 6 - në centralin bërthamor Fuqing në qytetin Fuzhou, në provincën Fujian të Kinës juglindore.

Kalimi i testeve ishte hapi i fundit që shënoi përfundimin e projektit, që do të thotë se kompetenca e Kinës për energjinë bërthamore tani renditet ndër më të mirat në botë, bëri të ditur “CNNC”.

Ndërtimi i Njësisë Fuqing 5 filloi në maj 2015 dhe ai i Njësisë 6 filloi në dhjetor të po atij viti. Njësia 5 hyri në funksionim tregtar në janar 2021 dhe njësia 6 në mars 2022. Aktualisht, të dyja njësitë mund të prodhojnë 20 miliardë kWh energji elektrike në vit.

Sipas CNNC-së, procesi i ndërtimit të projektit ofron referenca të vlefshme për ndërtimin e njësive të tjera Hualong One.

Që nga viti 2017, ekspertë të industrisë nga Europa Lindore, Amerika e Jugut, Lindja e Mesme dhe Afrika kanë vizituar centralin bërthamor Fuqing për të mësuar rreth Hualong One, në udhëtime të organizuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, Shoqata Botërore e Operatorëve Bërthamorë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës. (Fatosi)