Panairi i Leipzig 2023, ku Shqipëria kishte stendën e saj, nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës- foto QKLL
Libri shqip dhe autorët shqiptarë kanë qenë të pranishëm në ngjarjet më të rëndësishme të pranverës kushtuar librit. Panairi i Leipzigut dhe Panairi i Torinos kanë pasur në qendër të tyre shkrimtarët dhe lëtërsinë shqipe, duke ekspozuar tituj dhe autorë.
Panairi i Librit në Laipcig dhe festivali i tij i leximit “Leipzig liest” vlerësohen si ngjarjet e pranverës në sektorit e librit dhe medias. Autorët, lexuesit dhe shtëpitë botuese takohen për të mbledhur informacion, për t’u angazhuar në shkëmbim dhe për të zbuluar se çfarë është e re.
Mijëra vizitorë ndoqën panairin, pjesë e të cilit ishte edhe Shqipëria me stendën e saj, falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Të pranishëm me publikimet e tyre ishin autorët Lindita Arapi, Arian Leka, Ag Apolloni, Loer Kume, Andreas Dushi, Flogerta Krypi, Ervin Nezha, Stefan Çapaliku, Ana Kove etj.
Andreas Dushi, autor i tre romaneve, ishte shkrimtari më i ri në të gjithë Panairin, i cili pati një eksperiencë të tijën unike. Ndërkohë, në bashkëpunim me Tradukin, autorja Lindita Arapi prezantoi librin e saj “Motrat Shqiptare”. Po kështu, poeti Arian Leka prezantoi librin e tij “Porta e Mbyllur”. Lindita Arapi është një shkrimtare dhe gazetare shqiptare me banim në Gjermani. Në vitin 2011, romani i saj i parë “Vajzat me çelës në qafë” u vlerësua si Libri i Vitit në Shqipëri. Ndërsa Arian Leka është një poet dhe eseist shqiptar, i cili ka marrë disa çmime letrare.
Por fati në këtë panair i parapriu shkrimtarit Ag Apolloni me romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, i cili u nderua me çmimin “Special Mention” nga Bashkimi Eurpoian për Çmim në Letërsi. Ndërkohë që çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi e fitoi Martina Vidaić nga Kroacia.
Panairi i Librit ne Leipcig - foto QKLL
Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsi (EUPL), i mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, është një iniciativë për të njohur shkrimtarët më të mirë të letërsisë në zhvillim në Evropë.
Çmimi synon të vërë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane në fushën e letërsisë artistike, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare.
Fituesit e përzgjedhur promovohen me synimin për të zgjeruar audiencën e lexuesve përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë.
E ardhmja përmes librit erdhi në refleksionet e autorëve të rinj shqiptarë përballë një audience të gjerë. I pranishëm në aktivitete ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko.
Panairi i Leipzigut dhe festivali "Leipzigu Lexon” janë ngjarja më e rëndësishme pranverore e librit evropian. Vlera e tij kryesore qëndronte te lidhjet e drejtpërdrejta midis letrarëve, botuesve dhe lexuesve.
Diskutimet e panarit - foto QKLL
Ndërkohë, një tjetër panair shumë i rëndësishëm, Panairi i Librit të Torinos, që pret çdo vit botues dhe autorë, priti me dashamirësi edhe librin shqip i cili u prezantua nga një radhë autorësh.
Në Salonin e Torinos, Shqipëria u prezantua nga autorë shqiptarë, si kantautori Ermal Meta, shkrimtari Ylljet Aliçka, Enkel Demi (i njohur me pseudonimin Tom Kuka), Benko Gjata, Anilda Ibrahimi, Fatos Kongoli, Darien Levani, Matteo Mandalà, Virgjil Muçi, Liridon Mulaj, Lucia Nadin, Ardian Ndreca, Bashkim Shehu, Ornela Vorpsi, Tobias Xhaxhiu dhe Lea Ypi.
Vendi ynë mori pjesë për herë të parë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, me një stendë të tijën ku u paraqitën veprat e autorëve më të njohur shqiptarë të botuar në gjuhën italiane, si edhe një përzgjedhje titujsh në gjuhën shqipe.
Lexuesit patën mundësinë të njiheshin aty nga afër me veprat e Kadaresë, Kongolit, Aliçkës, Cekës, Zhitit, Kyçykut, Çulit, Mustafajt, etj, të përkthyera në italisht, si edhe ato të shkrimtarëve shqiptarë që shkruajnë dhe botohen drejtpërdrejtë në gjuhën italiane, ndër të cilët Ibrahimi, Dones, Vorpsi, Kubati, etj. Nuk mungonin titujt e zgjedhur në gjuhën shqipe, si edhe një seksion i posaçëm kushtuar letërsisë dhe studimeve arbëreshe. Prania e Shqipërisë tërhoqi gjithashtu vëmendjen e shumë personaliteteve të artit dhe të politikës së vendit fqinj.
Panairi Ndërkombëtar i Librit në Torino është më i madhi në Itali dhe një prej më të rëndësishmëve në Europë dhe në rajonin e Mesdheut.
Neritana Kraja
Protagonistet e librit ne panair - foto QKLL