Kursi i këmbimit ndikoi uljen e borxhit publik
2023-05-08 14:54:58

Kursi i kembimit me euro (Foto shqiptarja.com)

Kursi i kembimit me euro (Foto shqiptarja.com)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat mbi ecurinë ekonomike në vend gjatë muajve të parë të vitit 2023, theksoi se numri dhe aktiviteti i bizneseve në Shqipëri ka vijuar të rritet. Ajo foli në lidhje me treguesit e rritjes ekonomike, të ardhurat, punësimin, aktivitetet dhe numrin e bizneseve dhe qarkullimin e bizneseve

“Rritja ekonomike në vend për vitin 2022 rezultoi 4.8 %, ndjeshëm më e lartë se ajo që kishim planifikuar jo vetëm ne, por edhe të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që merren me analizat e rritjes ekonomike. Për tremujorin e fundit të vitit, rritja rezultoi 4.7 %, ndërkohë që ne vijojmë të mbajmë të njëjtën shifër për parashikimin e rritjes për vitin 2023, në nivelin 2.6 %. Rritja ekonomike në vend, vitin e kaluar ishte më e lartë se sa pjesa më e madhe e vendeve të rajonit, më e lartë se sa Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe i vetmi vend që pati një rritje më të lartë se sa ne ishte Mali i Zi.”- tha ministrja.

Sipas Ibrahimaj, inflacioni  krahasimisht me vendet e tjera të rajonit, ka qenë ndjeshëm më i ulët.

“Përsa i përket inflacionit, që në fakt ka qenë treguesi kryesor dhe më problematik i ecurisë ekonomike të vitit 2022, ne për vitin kemi pasur një inflacion të barabartë me 6.7 %, ndjeshëm më i ulët se sa inflacioni i vendeve të rajonit apo dhe i mesatares së vendeve të BE-së dhe nga piku i muajit tetor ne kemi pasur një shifër inflacioni në ngadalësim, ku muaji mars shënoi 5.3 %, ndërkohë që mesatarja e tremujorit të parë ishte 6.5 %. Edhe treguesit e inflacionit për vitin 2023, krahasimisht me vendet e tjera të rajonit, kanë qenë ndjeshëm më të ulët, qoftë për inflacionin total, qoftë për inflacionin e ushqimeve dhe pijeve që në fakt ka peshën dhe kontributin kryesor në inflacionin tonë. Shifrat e Shqipërisë kanë qenë më të ulëta se sa shifrat e pjesës tjetër të rajonit apo mesatares së BE-së. Siç e thashë, në Shqipëri për tremujorin e parë inflacioni total ka qenë 6.5 %, ndërkohë që inflacioni i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ka qenë 12.6 %, ndërsa në vendet e BE inflacioni total ka qenë mesatarisht 9.4 % dhe inflacioni i ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike ka qenë 15.8 %. “- tha Ibrahimaj.

Kursi-i-kembimit (monitor)

Kursi-i-kembimit (monitor)

Sipas kreut të ekonomisë dhe financave Ibrahimaj, inflacioni më i ulët vjen si rezultat i politikave të ndjekura nga qeveria shqiptare.

“Kemi analizuar në disa raste arsyet e këtij inflacioni ndjeshëm më të ulët se sa vendet e rajonit apo të mesatares së BE dhe arsyet kryesore lidhen me politikat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në mbështetje të bizneseve dhe të familjarëve, me qëllim nga njëra anë mos rritjen e kostove të prodhimit që do të ndikonte direkt në inflacion, dhe nga ana tjetër përsa i përket konsumatorëve mos ndryshimin e kostove të tyre, shpenzimeve të tyre, me qëllim mbajtjen e konsumit në nivele të kënaqshme. Megjithatë, në këtë nivel inflacioni ka ndikuar kryesisht dhe kursi i këmbimit pasi, gjatë gjithë vitit të kaluar, monedha vendase Lek ka pasur një vlerësim kundrejt euros që është monedha kryesore e shkëmbimeve tregtare të vendit. Sigurisht që vlerësimi i monedhës vendase dhe zhvlerësimi i euros ka pasur një ndikim në çmimet e importit që kanë peshën kryesore në inflacionin vendas.”

Përsa i përket të dhënave për tremujorin e parë të këtij viti, ato rezultojnë me rritje.

 “Të ardhurat kanë vijuar të rriten me ritme të përshpejtuara gjatë tremujorit të parë të vitit 2023. Në krahasim me vitin e kaluar, të ardhurat totale u rritën me 16.2 miliardë lekë ose 11.7 %, ndërsa në krahasim me planin ne kemi një realizim të ardhurash prej 3.67 miliardë lekësh më shumë se sa kishim planifikuar. Siç e shihni, shifra 11.7 % e rritjes së të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar është ndjeshëm më e lartë se sa shifra mesatare e inflacionit prej 6.5 % për tremujorin e parë.  Pra të ardhurat dhe rritja e të ardhurave ka vijuar të ndikohet nga rritja e çmimeve, por në pjesën më të madhe është aktiviteti ekonomik që ka ndikuar rritjen e të ardhurave.Më specifikisht, të ardhurat janë rritur me 16.7 % për tatimin mbi vlerën e shtuar, shifër që ne e analizojmë kryesisht për të kuptuar dhe analizuar ecurinë e tremujorit të parë të ekonomisë, pasi është një shifër që lidhet qoftë me aktivitetin ekonomik, qoftë me konsumin. 16.7 % është ndjeshëm më e lartë se shifra prek 6.5 % e inflacionit.”

Ministrja thekson edhe rritjen e mbledhjes së kontributeve.

“Nga ana tjetër, ne kemi pasur një rritje të tatimit mbi fitimin me 22.5 %. Tatim fitimi i tremujorit të parë lidhet ngushët me tatim fitimin e vitit 2022 dhe kjo është një tjetër shifër që tregon për ecurinë e mirë ekonomike të vitit 2022.Tatimi mbi të ardhurat është rritur me 9.5 %.Kontributet e sigurimeve shoqërore janë rritur me 14.8 % dhe në fund të muajit mars është derdhur gjithashtu kontributi për taksën e jashtëzakonshme, i cili ka qenë në një nivel prej 4.1 miliardë lekësh.Kontributet sipas kategorive, ne kemi pasur një rritje të ardhurash në të gjithë sektorët e ekonomisë, të shpërndara sipas të gjithë zërave. TVSH, tatim fitimi, tatimi mbi të ardhurat dhe kontributet në të gjithë sektorët kryesorë kanë qenë me rritje.”

Pozitivisht ka performuar sektori i ndërtimit, ndërsa punësimi është në trend pozitiv.

“Sektori i ndërtimit ka pasur një rritje të ardhurash me 14.4 %, sektori i prodhimit prej 31 %, sektori i shërbimeve prej 13.6 %, transporti 24 % dhe tregtia 11.2 %.Të dhënat e punësimit vijojnë të mbështesin rritjen ekonomike. Vendet e punës për tremujorin e parë të vitit janë në nivelin 709.203 të punësuar, një nivel i krahasueshëm me fundin e vitit 2022, ndërkohë që dhe sipas sektorëve ne kemi pasur një ecuri të fortë të punësimit në ato sektorë që kanë ndikuar kryesisht dhe më shumë në rritjen ekonomike. Pra kemi pasur rritje të punësimit në sektorin e ndërtimit, në sektorin e prodhimit, në sektorin e shërbimeve kemi pasur një ngadalësim me 0.5 %, pra shifra është e krahasueshme me vitin e kaluar. Kemi pasur rritje në sektorin e transporteve me 3.6 % dhe rritje në sektorin e tregtisë me 1.16 %. Sipas strukturës, sektori i shërbimeve vijon të zërë peshën më të madhe në punësim, siç zë edhe peshën më të madhe në qarkullim.”

Kreu i dikasterit të financave dhe ekonomisë thekson se në fund të vitit 2022 paga mesatare shënoi 66 mijë lekë në ekonomi.

“Përsa i përket financimit të konsumit dhe pagave, ne ende nuk e kemi informacionin për tremujorin e parë, por sigurisht që ne presim që pagat të vijojnë të rriten. Në fund të vitit 2022 paga mesatare shënoi 66 mijë lekë në ekonomi, ndërkohë që ne presim që për 6 mujorin e parë të vitit të kemi një rritje të ndjeshme, të ndikuar nga politikat e qeverisë qoftë sa i përket rritjes së pagës minimale, qoftë dhe sa i përket rritjes së pagave në administratën publike në të gjithë sektorët e saj.”

Kursi i këmbimit ka patur efekt pozitiv tek borxhi ndërsa kredia ka qenë në rritje.

Ministrja Ibrahimaj në konferencë për shtyp(Foto Ministria e financave)

Ministrja Ibrahimaj në konferencë për shtyp(Foto Ministria e financave)

“Shifrat e borxhit kanë vijuar të jenë pozitive dhe borxhi ka vijuar të ulet. Në tremujorin e parë, sipas shifrave paraprake, borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është në nivelin 63.27 % të PBB nga 64.58 % që ishte në fund të vitit 2022.Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm dhe këtu dua të theksoj efektin e kursit të këmbimit në uljen dhe reduktimin e borxhit duke qenë se një pjesë e madhe e borxhit është i vlerësuar dhe i marrë në euro, kursi i këmbimit ka sjellë dhe një ngadalësim të shifrës së borxhit publik.Po nga ana e financimit, kredia për sektorin privat ka vijuar të jetë pozitive, ndonëse ka ngadalësuar ritmet e rritjes. Kredia për konsumatorët, që lidhet ngushtë me konsumin dhe me shpenzimet konsumatore, është rritur në tremujorin e parë me 11 %, një shifër kjo që është më e ulët se sa fund viti i 2022, megjithatë është ndjeshëm më e lartë se sa mesatarja afatgjatë e këtij treguesit. Kjo do të thotë se konsumi ka vijuar të jetë pozitiv gjatë tremujorit të parë sa i përket shifrave të financimit.Gjithashtu, edhe kredia për blerje banesash, ndonëse kemi pasur një rritje të normave të interesit, ka vijuar të jetë e lartë. Ritmi i rritjes në krahasim me vitin e kaluar është 14.2 %, ndjeshëm dhe ky tregues më i lartë se mesatarja afatgjatë.Përsa i përket kredisë për biznesin, stoku kryesor i kredisë për biznesin është marrë nga sektori i tregtisë, ndjekur nga sektori i ndërtimit.”- shprehet Ibrahimaj.

Gjatë këtij viti në vend  janë  905 biznese më shumë se fund vitit 2022.

“Aktiviteti i bizneseve për tremujorin e parë të vitit 2023 ka vijuar të jetë pozitiv. Në mars të vitit 2023 ne kemi 126.299 biznese, një shifër kjo me 4506 biznese më e lartë se sa marsi i vitit 2022 dhe ndërkohë janë 905 biznese më shumë se fund vitit 2022. Pra, aktiviteti dhe numri i bizneseve ka vijuar të rritet. Qarkullimi i bizneseve gjithashtu në total për ekonominë është rritur me rreth 5 %, ndërsa shpërndarë sipas sektorëve, qarkullimi i sektorit të ndërtimit është rritur me 11.35 %, sektori i prodhimit me 5 %, sektori i shërbimeve me 13.69 % dhe sektori i tregtisë me 1.4 %.”

Eksportet janë rritur në vlerë dhe në vëllim.

“Të dhënat e fundit që dua të analizoj janë shifrat e importeve dhe të eksporteve.Importet për herë të parë pas një periudhë të gjatë janë rritur më shumë në vëllim se sa në vlerë, që do të thotë se çmimet e importeve kanë filluar të ngadalësohen dhe kjo është shenjë e mirë për pritshmëritë që ne kemi për normat e inflacionit në pjesën e mbetur të vitit. Importet në vëllim në total janë rritur me 6.9 % për tremujorin e parë të vitit ndërsa në vlerë janë rritur me 0.4 %.Eksportet janë rritur në vlerë dhe në vëllim. Në vlerë janë rritur me 2.1 % ndërsa në vëllim me 1 % që tregon gjithashtu se produktet shqiptare vijojnë të shiten. Ne kemi pasur një rritje të vëllimeve dhe të vlerave të eksporteve të atyre lloj produktesh që kanë peshë të madhe në prodhimin vendas, pra ushqimi, materialet dhe lëndët djegëse, energjia elektrike lidhur me prodhimin e lartë të energjisë elektrike që ka rezultuar në tremujorin e parë.”- analizon ministrja e ekonomisë dhe financave Delina Ibrahimaj.