Kinë-Afganistan-Pakistan, angazhim për shtimin e bashkëpunimit ekonomik e të sigurisë
2023-05-08 11:20:56

Foto nga MPJ

Kina, Afganistani dhe Pakistani pranuan të shtunën të thellojnë bashkëpunimin kundër terrorizmit e të forcojnë bashkëpunimin ekonomik për të forcuar qëndrueshmërinë dhe zhvillimin rajonal. 

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Qin Gang, ministri i Jashtëm në detyrë i qeverisë së përkohshme afgane Amir Khan Muttaqi dhe ministri i Jashtëm pakistanez Bilawal Buto Zardari morën pjesë në Islamabad në Dialogun e 5-të të Ministrave të Jashtëm Kinë-Afganistan-Pakistan.

Qin Gang-u u shpreh që ky dialog shënon rinisjen e mekanizmit të bashkëpunimit trepalësh Kinë-Afganistan-Pakistan. Sipas tij, Kina i kushton rëndësi të madhe miqësisë me Afganistanin e Pakistanin dhe është e gatshme të punojë me të dy këto vende për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, për të ndarë mundësitë e zhvillimit, për të përballuar së bashku sfidat e sigurisë dhe për të nxitur qëndrueshmërinë e begatinë rajonale. 

Kreu i diplomacisë kineze e vuri theksin po ashtu në rëndësinë e bashkëpunimit kundër terrorizmit, duke thënë se Kina kundërshton me vendosmëri çdo formë terrorizmi dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit në kuadrin rajonal shumëpalësh, duke përfshirë mekanizmin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve fqinjë të Afganistanit. Ai shtoi se Kina shpreson që Afganistani dhe Pakistani do të forcojnë më tej masat e sigurisë për personelin, institucionet dhe projektet kineze.

Foto nga MPJ

Qin vuri në dukje më tej se pala kineze është e gatshme të forcojë bashkërendimin e politikave dhe të shtojë besimin e ndërsjellë strategjik nëpërmjet mekanizmit të bashkëpunimit trepalësh. Kina dëshiron gjithashtu të zgjerojë bashkëpunimin në fushën e zhvillimit, të ndajë mundësitë e zhvillimit dhe të rritë shkëmbimet kulturore e njerëzore me Afganistanin e Pakistanin.

Bilawal e Muttaqi ishin të një mendjeje se mekanizmi i bashkëpunimit trepalësh ka rëndësi të madhe për paqen dhe lulëzimin rajonal. Ata u zotuan për të nxitur aktivisht bashkëpunimin trepalësh, duke hartuar një program për bashkëpunimin politik, ekonomik e të sigurisë për të mbrojtur interesat e përbashkët të të tre vendeve dhe për të arritur përfitime të ndërsjella për popujt e tyre dhe të vendeve të tjera në rajon.