Modeli ekonomik i Kinës: Nga "sasia" te "cilësia e forcës punëtore"
2023-05-08 11:26:37

Foto nga VCG

Duhet të bëhen përpjekje për të çuar përpara modernizimin kinez mbështetur te zhvillimi me cilësi të lartë i popullsisë, u tha të premten në mbledhjen e parë të Komisionit Qendror për Çështjet Financiare dhe Ekonomike të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës. Ekspertët besojnë se kjo dërgon mesazhin që modeli ekonomik i Kinës do të kalojë nga "sasia e forcës punëtore" te "cilësia e forcës punëtore".

Kina po përjeton tani një prirje të rënies së lindshmërisë, plakjes së popullsisë dhe dallimeve në rritjen rajonale të popullsisë, u raportua në këtë mbledhje.

Në janar të këtij viti, të dhënat qeveritare treguan rënien e parë të popullsisë në Kinë në rreth gjashtë dekada, me normën e lindshmërisë që arriti në një nivel të ulët rekord vitin e kaluar.

"Plakja e popullsisë do të sjellë disa sfida për zhvillimin ekonomik. Zgjidhja e këtij problemi është gjithashtu një nga faktorët e rëndësishëm për konkurrencën kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm," i tha CGTN-it të dielën Jimmy Zhu, kryestrategjist në firmën e kërkimeve "Fullerton".

Në mbledhjen e së premtes u theksua gjithashtu se Kina do të përshpejtojë zhvillimin e burimeve njerëzore moderne me cilësi të mirë, sasi të mjaftueshme, strukturë të optimizuar dhe shpërndarje të arsyeshme, në mënyrë që modernizimi kinez të përparojë duke e mbështetur nga zhvillimi me cilësi të lartë i popullsisë.

Mao Zhuoyan, profesor në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit të Kryeqytetit, u shpreh në një intervistë për "21st Century Business Herald" se ka tre pika që meritojnë t'i kushtohen vëmendje në mbledhje. Së pari, përmirësimi i strukturës së popullsisë; së dyti, nxitja e cilësisë së popullsisë; së treti, përparimi i modernizimit kinez me mbështetje nga zhvillimi me cilësi të lartë i popullsisë.

Zhu parashikoi se politikat e ardhshme do të synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit, kultivimin e talenteve me cilësi të lartë që kanë aftësi praktike dhe për risi teknologjike dhe përshpejtimin e transformimit e përmirësimit industrial, zhvillimin e industrive të reja, shtimin e zhvillimit të bashkërenduar rajonal, realizimin e lëvizshmërisë së popullsisë e ndarjen e barabartë të mundësive të punësimit.