Zibo, qyteti kinez që tërheq turistë me qebap
2023-05-08 11:21:18

Postimi i Erik Solheim-it për vizitën e tij në Zibo

Pak ditë më parë, Erik Solheim, ish-nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe drejtori ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, vizitoi qytetin Zibo të Kinës Lindore. Pasi postoi disa fotografi nga treni i shpejtësisë së lartë Pekin-Zibo, dikush nga përdoruesit e internetit i sugjeroi të provonte pa tjetër qebapin e Zibos.

Videot rreth këtij qebapi në rrjetin social "Douyin", versioni kinez i "Tiktok"-ut, janë shfaqur mbi 6 miliardë herë deri më sot, që kur qyteti Zibo në Kinën Lindore pushtoi internetin për më shumë se një muaj. Në prill, qyteti me popullsi prej 4.7 milionë priti plot 4.8 milionë turistë nga krahina të ndryshme të Kinës. Ndërsa gjatë pushimeve pesëditore me rastin e 1 Majit, ai priti çdo ditë mbi 200 mijë turistë.

Qebapi i Zibos përfshin zakonisht pite, mish të pjekur në hell dhe presh kinez/ Foto nga CFP

Sigurisht, Zibo nuk është i vetmi qytet në Kinë që ofron qebap, as më i njohuri, por fama e tij që duket e befasishme u formua hap pas hapi. Zhou Maosong, drejtor i Shoqatës së Promovimit të Turizmit të Zibos, tregon se si erdhi ky popullaritet për qebapin dhe qytetin e tij. Zhou thotë se kjo vjen nga efekti i grumbullimit të njerëzve gjatë një sërë aktivitetesh kulturore e turistike, përfshirë një festival muzikor, ku pjesëmarrësit shijuan qebapin dhe postuan përvojën e tyre në rrjetin social, duke tërhequr shumë të rinj. Për rrjedhojë një valë studentësh nga qytetet përreth erdhën në Zibo.

Klientët pozojnë për një foto në grup në një restorant në Zibo, në provincën Shandong të Kinës Lindore, 31 mars 2023. / Foto nga CFP

Zibo ka shfrytëzuar edhe epërsinë e saj në koston e ulët të jetesës. Çfarë slogani mund të jetë më tërheqës për studentët aventurierë, të uritur dhe me pak para se sa ai i qytetit Zibo: "Qebap i shijshëm që ju ngrop me 50 juanë (7.2 dollarë)!".

Qeveria lokale zbuloi shpejt mundësitë e këtij biznesi dhe mori një sërë masash në përkrahjen e sektorit të qebapit, tregon Zhou. Ajo shpërndau 250 mijë juanë në kupona qebapi dhe krijoi dy turne turistikë 1 dhe 2-ditorë me temë kryesore qebapin. Hartat e lokaleve të qebapit dhe 21 autobusë u ofruan falas për turistët. 

Një vullnetare duke mbajtur një tabelë mirëseardhjeje pranë një autobusi të posaçëm për turizmin e qebapit, afër stacionit të hekurudhës Zibo, më 14 prill 2023/ Foto nga CFP

Fama e denjë

Zibo nuk ra në grackën e famës së lehtë që “vdes” shpejt dhe ku tregtarët mashtrojnë klientët për çmimin dhe cilësinë për një fitim maksimal brenda një kohe të shkurtër. Një bloger me afro 18 milionë ndjekës në rrjetin social "Douyin", vizitoi 10 tregtore qebapi në Zibo, duke marrë me vete një peshore elektronike, për të vërtetuar nëse shitësit janë besnikë në peshë. Ai u mahnit pasi asnjë prej tyre nuk rezultoi me mungesë peshe, madje disa prej tyre i ofruan specialitete pa pagesë. Sinqeriteti dhe mikpritja e vendësve prekën edhe më shumë njerëz në internet, duke rritur më tej popullaritetin e qytetit. 

Krahas gastronomisë, turistët vizitojnë pikat turistike dhe monumentet historike në Zibo gjatë ndalesës së tyre, sipas të dhënave statistikore.

Faltorja Zhongshuge në tempullin Haidai tërheq shumë vizitorë, më 15 prill 2023/ Foto nga CFP

Ardhja e turistëve ka nxitur ekonominë e Zibos dhe ka krijuar më shumë mundësi punësimi. Sipas të dhënave statistikore, në këtë qytet ka mbi 3 mijë biznese të lidhura me qebapin. Vetëm gjatë marsit u shtuan 197 firma të reja, ndërsa në gjysmën e parë të prillit, edhe 170 të tjera. Me shtimin e kërkesës së punësimit në sektorin e qebapit, zyra e punësimit të Zibos ka organizuar aktivitete rekrutimi për të plotësuar vendet e lira.

Kina ka vendosur objektivin e rritjes së PBB-së me 5 për qind për këtë vit, ndërsa autoritetet lokale në mbarë vendin po kërkojnë mënyra për të nxitur rritjen ekonomike. Zibo ka ofruar një histori suksesi të një përpjekjeje të përbashkët, nga tregtarët dhe qeveria, në nxitjen e konsumit. Qeveritë në krahina të tjera të vendit po tregojnë gjithashtu vëmendje në përmirësimin e mënyrave në përkrahje të biznesit lokal. (Wang Lei/ Laçi)