Bujar Llapaj, dirigjenti i njohur gjate nje koncerti (facebook)
Dirigjenti shqiptar me banim dhe aktivitet në Vankuver të Kanadasë Maestro Bujar Llapaj është artist i mirënjohur i muzikës klasike, si një specifikë unike pasi muzika është gjuhë ndërkombëtare. Dirigjenti Llapaj është kontigjent elitar për çdo skenë të gjuhës së tij muzikore. Pas formimit profesional në Tiranë dhe më pas në Konservatorin Kombëtar de Rueil Malmaison në Fancë, Bujarit në vitin 2008 iu besua drejtimi i Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor (West Coast Symphony). Buajr Llapaj ka drejtuar koncerte në shumë vende të Evropës dhe vazhdon me sukses të jetë i ftuar si njëri ndër dirigjentët që ngjitet furishëm në poltronet e shumë orkestrave simfonike, duke zbërthyer dhe ekzekutuar me profesionalizëm të lartë dhe ekspresivitet e integritet estetik partiturat e muzikës klasike.
Dirigjenti Bujar Llapaj u rikthye nga Kanadaja ku zhvillon jetën artistike prej shumë vitesh për të drejtuar një koncert me Orkestrën Simfonike të RTSH. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për koncertin e tij në Tiranë me orkestrën e RTSH si dhe aktivitetet e tij muzikore në Kanada dhe vende të tjera.
Bujar Llapaj (Facebook)
CMG: Maestro Llapaj riktheheni pas shumë vitesh me një koncert me orkestrën sinfonike të RTSH-së. Cilat ishin emocionet që përjetuat në këtë koncert pas kaq vitesh në Tiranë?
Bujar Llapaj: Emocione shumë të bukura sepse unë ndjej gjithmonë kënaqësi kur vij në Shqipëri sepse është vendi im, këtu kam kolegët, kam miqtë dhe këtu jam rritur. Ndërsa bërja e koncertit me orkestrën prestigjoze të Radio Televizionit Shqiptar ka përgjegjësi më të mëdha për arsye se këtu tani kanë filluar të vijnë shumë dirigjentë të mirë dhe ata krahasojnë, kështu që emocionet ishin më të mëdha dhe gjithashtu përgjegjësia më e madhe kësaj here.
CMG: Nëse rikthehemi para shumë vitesh kur ju keni qenë pjesë e kësaj orkestre prestigjoze, si i kujtoni momentet e bukura që keni kaluar me këtë orkestër?
Bujar Llapaj: Unë kam bërë shumë vepra të bukura me ta, ku edhe në kohë të vështira kemi bërë koncerte shumë të mira. Unë e di sakrificën që bëjnë muzikantët në Shqipëri dhe duhet të vlerësohen më shumë për nivelin që kanë. Pra duhet një përkrahje më e madhe sepse njerëzit nuk e kanë idenë se sa shumë sakrifikojnë muzikantët pikërisht vetëm për të ardhur këtu në skenë dhe për t’i dhënë këtë kënaqësi publikut.
Bujar Llapaj gjate drejtimit te nje koncerti (facebook)
CMG: Ju padyshim që keni një rrugëtim të gjatë muzikor në Shqipëri dhe në botë me suksese të mëdha. Si ka vijuar karriera juaj në Kanada këto 20 vite?
Bujar Llapaj: Në Vankuver të Kanadasë unë jam dirigjent i parë i orkestrës West Coast Symphony, me të cilën kam bërë edhe dy turne në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu jam dhe drejtor artistik dhe dirigjenti i një orkestre tjetër dhe kam bërë jo vetëm koncerte sinfonike, por dhe koncerte me pianistë të rinj shumë të talentuar, dhe shumë prej tyre janë aziatikë me prindër kinezë, disa të linduar aty por dhe disa të ardhur dhe janë vërtetë për tu admiruar për vullnetin dhe punë që bëjnë. Unë kam ndjerë gjithmonë kënaqësi dhe kam miq shtëpie që hyjmë dhe dalim tek njëri- tjetri.
CMG: Si ka qenë eksperienca me pianistët e rinj kinezë?
Bujar Llapaj: Patjetër që janë vërtetë për t’u admiruar për punën e madhe që bëjnë. Edhe bashkëshorja ime që jep mësime violine, në shumicën e tyre nxënësit i ka aziatikë. Është kënaqësi e madhe që të punoj me të rinjtë, muzika bashkon, muzika shëron, muzika nuk ka nevojë për ndarje dhe urrejtje, as për përkthim.
Bujar Llapaj me nxenesit (Facebook)
CMG: Sa herë që ju ftojnë në Shqipëri besoj se vini gjithmonë me kënaqësi?
Bujar Llapaj: Absolutisht se këtu dhe të përqafojnë, të puthin dhe si mos të ndjej kënaqësi.
CMG: Pse aty ku jetoni në Kanada nuk është kjo ngrohtësi dhe dashuri si këtu në Shqipër?
Bujar Llapaj: Jo është, por në mënyra të tjera, kurse këtu është pak më ndryshe sepse jemi në vendin tonë dhe nuk kemi turp.
CMG: Kur të riktheheni në Kanada, cilat janë projektet tuaja artistike për këtë vit?
Bujar Llapaj: Unë sapo të kthehem kam dy koncerte me kompozitorë kanadezë dhe shumë punë të tjera.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Bujar Llapaj: Muzika nuk ka nevojë as për fjalë dhe sa për gjë tjetër. Kush ndjehet i stresuar të shkojë në një koncert dhe do të qetësohet të paktën për dy orë, duke e hequr mendjen nga problemet e tjera. Merruni më shumë me muzikë se do shikoni që do relaksoheni më shumë, dhe do njihni njerëz të tjerë të mirë.
Intervistoi: Gazmend Agaj