Foto nga VCG
Ditët e fundit, mediat e huaja kanë bërë njoftime të vazhdueshme mbi ekonominë e zjarrtë të pushimeve të Kinës me rastin e festës së 1 Majit. Shumë raporte mediatike kanë vënë në dukje në njoftimet e tyre se të dhënat e fuqishme turistike dhe të konsumit tregojnë një shenjë të mirë të rimëkëmbjes ekonomike të Kinës në muajt e ardhshëm dhe forcojnë më tej besimin e tregut për rritjen ekonomike të Kinës.
Gjatë pushimeve të 1 Majit, numri i turistëve në Kinë shënoi 274 milionë, 70.83 për qind më shumë se në 2022-in, ndërsa numri i vizitorëve në pikat kryesore turistike arriti shifra rekord.
CNN njoftoi: “Ky është 1 Maji i parë i Kinës pas përmirësimit të masave antiepidemike. Turizmi në Shangai po lulëzon dhe Departamenti i Turizmit tha se vetëm në ditën e parë të pushimeve, Shangai priti mbi 3 milionë turistë. Ndërsa në Pekin, shumë turistë u dyndën drejt atraksioneve të njohura, përfshirë Murin e Madh. Në ditën e dytë të pushimeve për ‘1 Majin’, mbi 14 mijë persona vizituan Murin e Madh”.
Foto nga VCG
Një sërë mediash ndërkombëtare u shprehën në njoftimet e tyre se “ky është një fenomen inkurajues”. CBS raportoi se industria e turizmit të Kinës e shfrytëzoi plotësisht këtë mundësi, duke injektuar më shumë gjallëri për ekonominë e vendit dhe rritur besimin e konsumatorëve. Reuters theksoi se rimëkëmbja e turizmit është një nxitje e mirëpritur për ekonominë e 2-të më të madhe në botë.
Krahas këtyre, të dhënat e konsumit të publikuara nga Ministria e Tregtisë e Kinës kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Gjatë periudhës së pushimeve, shitjet me pakicë të ndërmarrjeve ushqimore dhe hotelerisë u rritën me 18.9 për qind në krahasim me një vit më parë. Ndër to, shitjet e produkteve të naftës dhe automjeteve u rritën përkatësisht 24.4 dhe 20.9 për qind. Edhe shitja e bizhuterive, veshjeve, kozmetikës dhe duhanit e pijeve alkolike shënuan rritje, me 22.8 për qind, 18.4, 16.5 dhe 15.1 për qind.
Foto nga VCG
Drejtuesja e ekipit kërkimor të konsumit për Azinë pranë grupit Goldman Sachs, Michel Chen vuri në dukje: “Të dhënat e përgjithshme dhe ato të turistëve gjatë pushimeve të ‘1 Majit’ në Kinë, janë shumë inkurajuese. Numri i turistëve është rritur me afro 70 për qind, ose 120 për qind në raport me shifrat e vitit 2019. Ajo që është më inkurajuese është fakti që të ardhurat nga turizmi janë rikthyer në nivelin para pandemisë. Nga ana tjetër, mund të shohim që konsumi i përgjithshëm gjatë pushimeve është i mirë, duke shënuar një rritje me afro 19 për qind. Ne besojmë se Kina po ecën në shinat e rimëkëmbjes së vazhdueshme eknonomike”.
Bloomberg u fokusua në kërkesën e lartë të konsumatorëve kinezë për mallrat e konsumit të nivelit të lartë. Sipas këtij njoftimi, kjo tregon elasticitetin e konsumit në Kinë. Analistja e Bloomberg-ut Catherine Lin tha: “Vërehet fenomeni që konsumatorët kinezë po shpenzojnë para për mallrat e konsumit me cilësi më të lartë, si këpucë sportive dhe kozmetikë më cilësore. Kjo në fakt ka ofruar hapësirë për rritjen e mëtejshme të konsumit të Kinës”.
Studiuesja e ekonomisë së tregut në Qendrën e Studimeve të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, Chen Lifen është e mendimit se popullariteti i ekonomisë së pushimeve ka konsoliduar më tej prirjen e mëkëmbjes së vazhdueshme të ekonomisë kineze. Sipas saj, “ekonomia e pushimeve ka aktivizuar potencialin e konsumit, ka forcuar besimin e konsumatorit në mënyrë të jashtëzakonshme dhe ka përmirësuar perspektivën e tregut. Kjo tregon se Kina po çliron më shpejt gjallërinë e saj të brendshme të konsumit. Ekonomia e pushimeve është bërë motori kryesor për nxitjen e rimëkëmbjes së përshpejtuar të konsumit të përgjithshëm, zgjerimit të kërkesave të brendshme dhe përmirësimit të gjendjes ekonomike. Ditët e zjarrta të ekonomisë së pushimeve kanë lëshuar një sinjal pozitiv se ekonomia kineze po rimëkëmbet vazhdimisht”. (Jiang Lei)