Numri i udhëtimeve gjatë pushimeve të 1 Majit dëshmon forcën e ekonomisë kineze
2023-05-05 15:37:34

CFP

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë pushimeve të festës së 1 Majit, mbi 274 milionë udhëtime individuale u bënë në mbarë Kinën, ndërsa të ardhurat turistike arritën 148.056 miliardë juanë, me një rritje përkatësisht 70.83 % dhe 128.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i rezervimeve të hoteleve turistike u shtua 10 herë në krahasim me pushimet e 1 Majit të vitit 2019.

Përveç tregut kulturor dhe turistik, edhe sektori i ushqimit e shërbime të tjera patën rritje. Në disa restorante, mbi 1 000 klientë prisnin në radhë. Gjatë festës së 1 Majit të këtij viti, vlera e përgjithshme e të ardhurave nga biletat e kinemave i kaloi 1.5 miliardë juanët, duke u renditur në vendin e 3-të në histori.

CFP

CFP

Në të njëjtën kohë, edhe turistët kinezë jashtë vendit u shtuan shumë. Numri i rezervimeve për turizëm jashtë vendit u shtua 18 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tajlanda, Maldivet, Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet më të preferuara nga turistët kinezë. 

Ekonomia e pushimeve është një "dritare" e rëndësishme për të vëzhguar ekonominë kineze. Pasi ekonomia kineze në tremujorin e parë realizoi një rritje më të lartë sesa pritej, shumë të dhëna konsumi gjatë festës së 1 Majit i kaluan parashikimet, duke dëshmuar se forca e brendshme e tregut kinez të konsumit po çlirohet me shpejtësi. 

Në kohën e tanishme, ekonomia botërore gjendet përballë faktorëve negativë, si ulja e kërkesës, shtrëngimi i politikave monetare në disa ekonomi të mëdha etj. Kërkesa e fortë e brendshme e Kinës ka ndezur "zjarrin" e ekonomisë botërore. Sipas raportit më të ri nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), kontributi i Kinës për rritjen ekonomike globale renditet në vendin e parë. "Goldman Sachs" parashikoi se, deri në fund të vitit 2023, rimëkëmbja e përgjithshme e kërkesës së brendshme të Kinës do të nxitë rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) global prej 1 %. (Xu Guang)

CFP

CFP