Ekonomia globale parashikohet që do të marrë gjallëri nga rritja e turistëve kinezë jashtë vendit teksa festa e 1 Majit, një nga periudhat më të gjata të pushimeve në vend, po çliron potencialin e madh të fuqisë së tyre konsumatore pas tre vjetësh të epidemisë së koronavirusit të ri, kur udhëtimet jashtë vendit ishin kryesisht të kufizuara.
Rihapja e ekonomisë së dytë më të madhe në botë në fillim të këtij viti forcoi shumë besimin e ekonomisë globale të goditur rëndë, dhe tregu ndërkombëtar i turizmit pritet që të njohë një rimëkëmbje të madhe.
Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, turistët kinezë janë ata që kanë kontribuuar më së shumti në tregun global të turizmit, pasi kanë shpenzuar mesatarisht rreth 260 miliardë dollarë në vit gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit nga viti 2015 deri më 2019, përpara se epidemia e COVID-19 të godiste Kinën.
Pushimet e festës së 1 Majit, nga 28 prilli deri më 3 maj, janë pushimet e para të gjata që kur Kina rifilloi udhëtimet turistike në grup jashtë vendit në shkurt, dhe janë të shumtë ata që po shfrytëzojnë mundësinë për të nisur turizmin e munguar gjatë tre vjetëve të fundit.
Kërkimet në internet për bileta aeroplanësh e hotelet jashtë vendit për atë që njihet si "java e artë" kanë arritur përkatësisht në 120 dhe 70 për qind të shifrave në të njëjtën periudhë të vitit 2019, sipas një raporti nga kompania e sigurimeve “Minsheng”.
Foto nga VCG
Ndërkohë në “Ctrip”, një agjenci e njohur kineze në internet për udhëtime, kërkimet për bileta aeroplanësh jashtë vendit ishin nëntë herë më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, e rezervimet për shërbime udhëtimi jashtë vendit 18 herë më shumë.
Vala e udhëtimeve ka ndodhur në një kohë kur edhe kërkesa e konsumatorëve kinezë po rritet në mënyrë eksponenciale. Mesatarisht, turistët kinezë po shpenzojnë dy herë më shumë për udhëtim këtë vit sesa në vitin 2019, sipas një raporti nga “Euromonitor International”. Ky raport gjithashtu parashikon që turistët kinezë janë burimi kryesor i të ardhurave për dyqanet pa taksa doganore në gjashtë ndër 10 tregjet më të rëndësishme, duke kontribuuar për rreth 117 miliardë dollarë të ardhura nga shitjet globale.
Sandiaga Uno, ministri i Turizmit i Indonezisë, pret që kthimi i turistëve kinezë të ndihmojë ndjeshëm industrinë e turizmit në vendet e ASEAN-it. Të dhënat nga “Ctrip” treguan se Tajlanda, Singapori, Malajzia, Indonezia dhe Filipinet janë ndër 10 destinacionet kryesore për turistët gjatë festës së 1 Majit nga pjesa kontinentale e Kinës.
Efektet e rritjes së udhëtimeve në Kinë i kanë shtyrë vendet e tjera t’i mbajnë dyert e tyre të hapura për turistët kinezë. Vendet nga Azia Juglindore deri në Evropën Perëndimore i kanë përshtatur politikat e tyre të udhëtimit për të tërhequr turistët kinezë.
Duke filluar nga e hëna, ambasada dhe konsullatat gjermane në Kinë kanë rifilluar pranimin e aplikimeve për viza turistike, duke e bërë Gjermaninë vendin e fundit pas Japonisë, Koresë së Jugut dhe shumë vendeve të Bashkimit Evropian që hoqën kufizimet e udhëtimit për vizitorët kinezë.
Ministria e Turizmit e Tajlandës tha se do të bashkëpunojë në mënyrë aktive me kompanitë ajrore për të rritur numrin e fluturimeve komerciale, ndërsa ambasada japoneze në Kinë mbajti një veprimtari madhështore për promovimin e udhëtimeve turistike në Japoni. (Çang Çuo)