Në Parkun Rinia të ulur këmbëkryq në natyrë fëmijët kanë ndjekur personazhet e përrallave nën interpretimin e aktorëve të njohur të Teatrit të Kukullave, leximin e përrallave klasike, piktura dhe lojëra të ndryshme për fëmijët. Ky aktivitet është ndjekur me interes edhe nga Elva Margariti, Ministre e kulturës. Në fund muajit prill u organizua ky aktivitetet për fëmijë në Parkun Rinia, nga shtëpia botuese “Albas” dhe Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë. Personazhet e përrallave u ulën në park me fëmijët.
Ministrja Margariti shkroi në mediat sociale për veprimtarinë:
“Të ulesha mes këtyre fëmijëve, të lexonim përralla e të vizatonim lule e diej, ishte jo thjesht momenti më i bukur e shlodhës i ditës, por edhe më frymëzuesi për punët që çojmë përpara, sepse e ardhmja u përket atyre. Shumë shpejt Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë do të ketë një hapësirë dinjitoze”, ka premtuar ministrja, ndërsa kaloi një kohë mes fëmijëve e prindërve, duke ndarë kënaqësinë që të dhuron leximi. Ndër të tjera ajo shtoi se: “Përrallat e rrëfyera nga aktorët e Teatrit të Kukullave na rikthyen edhe njëherë të vegjël, duke ndjerë edhe më tepër nevojën për të punuar më shumë për të bërë realitet ëndrrat e fëmijëve tanë”.
Për mikrofonin e Radio Ejani, Joeli një nga fëmijët e pranishëm na tregon për dashurinë e tij për librin.
CMG: Përshëndetje zemër! Si quhesh dhe në çfarë klase je?
Joeli: Quhem Joeli, jam 10 vjeç, në klasën e 5-të.
CMG: Si u gjende në këtë aktivitet?
Joeli: Isha duke shëtitur me familjen time, kur pashë një aktor që po u lexonte përralla fëmijëve dhe u bashkova edhe unë me ta.
CMG: Lexon shumë libra jashtëshkollor?
Joeli: Po, mua më pëlqejnë shumë librat.
CMG: Cilat libra të tërhoqën më tepër në stendën e shtëpisë botuese “Albas”?
Joeli: Unë kam lexuar shumë libra nga shtëpia botuese “Albas”, por më të preferuarit aty do thoja “Përrallat e Vëllezërve Grim” dhe “Piter Pani”.
CMG: A të pëlqejnë aktivitete të tilla?
Joeli: Mua më pëlqejnë aktivitete të tjera se aty mund të njohësh shokë të rinj, janë eksperienca të reja, mund të tregojmë historitë e librave që kemi lexuar, etj.
CMG: Dhe në cilin libër është ajo historia më e bukur që ty të pëlqen më shumë?
Joeli: Libri im më i preferuar është “Ditari Gregut” se ka shumë humor.
CMG: Cili prej tyre?
Joeli: “Ditari i Gregut” ka shumë libra, po ajo që mua më pëlqen më tepër është “S’mban më ujë pilafi”.
CMG: Faleminderit dhe suksese në shkollë!
Ky ishte një aktivitet mjaft i bukur dhe i dashur për fëmijët, për të nxitur tek ata dashurinë për librat,e veçanërisht për personazhet e famshme të veprave klasike për fëmijë. Të gjithë fëmijët u argëtuan me interpretimin e aktorëve, pikturave dhe lojëra të ndryshme në Parkun Rinia të cilat u realizuan nga bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës dhe Shtëpisë Botuese ALBAS dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Sava Lena