Nxënësi i klasës së shtatë vret rojën dhe 8 bashkëmoshatarë në një shkollë në Serbi
2023-05-04 11:46:38

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tetë fëmijë dhe një roje sigurie u vranë pas të shtënave me armë në një shkollë fillore në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën në masakrën e ndodhur mëngjesin e së mërkurës, për të cilën policia arrestoi si autor një 14-vjeçar nxënës të kësaj shkolle, bën të ditur “RTSH”.

Djali, i cili u arrestua në oborrin e shkollës, dyshohet se përdori armën e të atit, informon policia.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi përmes një deklarate se ishte informuar në orën 08:40 për të shtënat në shkollë.

“Policia dërgoi patrullat në vendngjarje dhe arrestoi një të mitur të dyshuar, nxënës i klasës së shtatë, i cili dyshohet se ka qëlluar me armën e të atit në drejtim të nxënësve dhe rojës së sigurisë së shkollës”,- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

“Të plagosurve uerdhi në ndihmë kujdesi mjekësor, ndërsa policia po punon për zbardhjen e fakteve dhe rrethanave që kanë çuar në këtë ngjarje”,- thuhet në njoftimin e ministrisë.

Mediat lokale transmetuan pamje të momentit kur autori shoqërohej nga policia i lidhur me pranga në duar dhe kokën të mbuluar me një xhaketë. (Elona)