Sllovakia konfirmon zbulimin e pesticideve në grurin ukrainas
2023-05-04 14:23:49

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Testet e kontrollit në Kopenhagë kanë konfirmuar se gruri nga Ukraina i ekzaminuar fillimisht në Sllovaki përmbante pesticide të dëmshme, njoftoi të mërkurën ministri sllovak i Bujqësisë, Samuel Vlčan.

Ndalimi i shitjes së grurit ukrainas, i vendosur nga autoritetet bujqësore sllovake në prill, ndezi debate politike.

Sllovakia është një nga vendet e BE-së që dëshiron të kufizojë importin e produkteve bujqësore ukrainase, sepse e shohin si një kërcënim për fermerët e tyre, duke argumentuar se gruri i lirë ukrainas po shkakton çrregullim të tregut, bën të ditur “ATSH”.

Qeveria e Sllovakisë, e cila është një nga mbështetëset më të përkushtuara të Ukrainës, kërkoi të shmangte përshtypjet se zbulimi i pesticideve ishte thjesht një pretekst për masat.

Më 13 prill, Vlčan njoftoi se një mulli sllovak kishte zbuluar nivele të larta të pesticideve të ndaluara në BE në një dërgesë prej 1500 tonë grurë nga Ukraina.

Si pasojë, ministria ndaloi përpunimin dhe shitjen e grurit ukrainas dhe informoi BE-në dhe autoritetet ukrainase përgjegjëse për sigurinë ushqimore. (Elona)