Kinë, mbi 274 milionë udhëtime brenda vendit gjatë pushimeve të 1 Majit
2023-05-04 14:43:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministria kineze e Kulturës dhe Turizmit njoftoi të mërkurën se gjithsej 274 milionë udhëtime u bënë në mbarë Kinën gjatë pushimeve të Ditës së Punëtorëve sivjet, 70.83 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, madje duke kaluar edhe nivelin e 2019-s.

Gjatë pushimeve, të ardhurat nga turizmi i brendshëm arritën në 148.056 miliardë juanë (rreth 21.42 miliardë dollarë), me një rritje prej 128.90 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, bëri të ditur ministria.

Kjo mund të shihet si një pikë kthese në sektorin turistik kinez. Qytetarët e etur për udhëtime shkuan në pikat turistike anembanë vendit gjatë pushimeve.

Sipas analistëve, pushimet e 1 Majit i dhanë një nxitje të fortë rimëkëmbjes së turizmit në Kinë.

Të dhënat nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit tregojnë që më tepër se 1.2 miliard udhëtime të brendshme u bënë në tremujorin e parë, duke sjellë 1.3 trilionë juanë të ardhura turistike, me një rritje përkatësisht 46.5 e 69.5 % në krahasim me vitin e kaluar.

Rimëkëmbja e turizmit nxiti gjithashtu udhëtimet jashtë vendit gjatë pushimeve. Sipas të dhënave prej degës së udhëtimeve të kompanisë "Alibaba", "Fliggy", porositë për udhëtime jashtë vendit gjatë pushimeve u rritën me 200 për qind krahasuar me Festën e Pranverës të këtij viti.

Në një libër blu për ekonominë turistike të Kinës të publikuar së fundmi nga Akademia e Turizmit e Kinës parashikohet që 4.55 miliardë udhëtime të brendshme turistike do të bëhen sivjet në Kinë, 73 për qind më shumë se vjet. Po ashtu, sipas këtij dokumenti,  90 milionë udhëtime hyrje-daljeje nga Kina do të bëhen këtë vit.