Ç'përshtypje kanë për Kinën banorët e Amerikës Veriore?
2023-05-04 16:29:25

Vitet e fundit, në mediat perëndimore janë përhapur raportime të shtrëmbëruara dhe keqdashëse mbi Kinën. Banorët e Amerikës Veriore janë ndikuar nga këto paragjykime apo jo? Si e shikojnë ata të ashtuquajturin "kërcënim nga Kina"? Si e kuptojnë ata modernizimin e stilit kinez? Me këto pyetje, gazetarët e Grupit Mediatik të Kinës (CMG) bënë intervista rastësore me banorë në rrugë në gjashtë qytete të mëdha të Amerikës Veriore: Uashington, Nju-Jork, San-Francisko, Majami, Vankuver e Meksiko. Ata morën shumë përgjigje "të papritura".


Në internet është i përhapur mendimi që në Amerikën Veriore, veçanërisht në ShBA, publiku nuk ka interes për ta njohur botën joperëndimore. Por intervistat e CMG-së tregojnë që kjo nuk është e vërtetë. Gjatë intervistave, duke folur mbi ushqimet kineze, një burrë u shpreh:

"Rosa e Pekinit! Nuk ka asnjë gjellë kineze që nuk më pëlqen. E dua ushqimin kinez."

Nga një intervistë në tjetrën, gazetarët zbuluan dalëngadalë se shumë banorë vendorë njohin aspekte të ndryshme të Kinës, jo vetëm ushqimin kinez. Shumë prej tyre kishin përdorur produkte të markave kineze, kishin vizituar Kinën ose kishin jetuar në Kinë, dhe disa mund të thoshin fjalë në gjuhën kineze.

Një burrë tregoi: "Dëshiroj të vizitoj Pekinin dhe Hong-Kongun. Më pëlqen shumë kungfuja që nga vogëlia."

Kurse një grua u shpreh: "Kam qenë në shumë krahina të Kinës, si për shembull Pekin, Mongolinë e Brendshme etj. Kam vizituar shumë rajone kineze dhe më kanë pëlqyer."

"Disa raporte të medies të japin përshtypjen që cilësia e produkteve kineze s'është e mirë, por unë nuk e pranoj aspak," tha një tjetër.

Gjatë intervistës, gazetarët zbuluan se modernizimi i stilit kinez është pranuar më thellësisht nga banorët vendorë, njohja e Kinës prej të cilëve është bërë më gjithëpërfshirëse. Në fushën e kulturës, ndikimi i kulturës kineze është ngritur më tej dhe shumë prej të intervistuarve përmendën historinë e kulturën tradicionale kineze, si për shembull poezinë, filozofinë etj. Në fushën e zhvillimit, zhvillimi modern i Kinës është njohur më tej nga të tjerët. Disa banorë janë të mendimit se Kina ka teknologji shumë të përparuar dhe forcë krijuese, ndërsa të tjerë theksuan gjithashtu se kinezët janë shumë miqësorë.

"Të gjithë kinezët me të cilët jam takuar, janë shumë miqësorë," vuri në dukje një burrë, ndërsa një grua tha: "Më pëlqejnë historia, poezitë e bukura, filozofët e tyre, si Konfuci."

"Më pëlqejnë modestia dhe bashkimi i kinezëve, teknologjia e tyre është shumë e përparuar. Ata janë të mirë në krijimin e risive," theksoi një intervistuar. Ndërsa një tjetër u shpreh: "Historia e tyre është shumë e gjatë. Anijet me vela më të mahnitshme në botë janë krijuar nga inxhinierët e detarët kinezë, shumë më herët se ato në Europë."

Duke iu përgjigjur pyetjeve për bashkëjetesën paqësore mes Kinës dhe ShBA-së, banorët e intervistuar shprehën qëndrime pozitive dhe kundërshtuan teorinë e "kërcënimit nga Kina" të përhapur nga politikanët e mediat perëndimore. Shumë banorë u shprehën se Kina dhe ShBA-ja mund dhe duhet të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore, dhe se shkëmbimet ndërmjet popujve të të dy vendeve janë më të rëndësishme.

"Mendoj që Kina dhe ShBA-ja duhet të bëhen miq, kjo është në të mirë të të gjithëve," tha një banor. Dikush tjetër theksoi: "Shumë nga mallrat që përdorim janë të prodhuara në Kinë, përse të mos bëhemi miq? Është e nevojshme që të bëhemi miq."

Këto intervista u publikuan në llogaritë në "Twitter", "Facebook" dhe "YouTube" të degës së CGTN-it në Amerikën Veriore, duke u parë 6.21 milionë herë dhe duke marrë shumë vlerësime pozitive. (Xu Guang)