Mania ndaj pandave rrit ekonominë pranë bazës së shumimit
2023-05-04 11:05:39

Panda Hua Hua në bazën kërkimore Chengdu të shumimit të pandave gjigante në provincën kineze Sichuan, më 3 maj 2023/ foto nga CFP

Çdo ditë, një radhë e gjatë fillon të krijohet në bazën kërkimore Chengdu të shumimit të pandave gjigante në provincën kineze Sichuan rreth orës 7 të mëngjesit, gjysmë ore para se të hapet.

“Shumë prej nesh vijnë për të parë Hua Hua”,- tha Yuan Yuan një student universiteti 21-vjeçar nga Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan.

Hua Hua, një panda femër gati 3-vjeçare në bazë, u bë një sensacion në internet kohët e fundit për shkak të inteligjencës së saj. Ajo i bindet kur e thërret rojtari i saj, tha Yuan.

Mania ndaj pandave ka luajtur një rol të fortë në nxitjen e ekonomisë në zonë. Baza prej 3 kilometrash katrorë, ku ndodhen rreth 200 panda, u rendit ndër destinacionet kryesore të vendit gjatë festës pesëditore të Ditës së Punës dhe ka parë një rritje të turizmit, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra komunale e Turizmit në Chengdu.

Biletat në ditët e festës u shitën menjëherë dhe shumë pak mbetën në dispozicion për ditët e fundit, deklaroi zyrtari i bazës Li Jie. Ai theksoi se çdo ditë vihen në dispozicion maksimumi 60.000 bileta.

foto nga

Dyqani i suvenierëve të pandave në bazën kërkimore Chengdu të shumimit të pandave gjigante në provincën kineze Sichuan/ foto nga "China Daily"

Në tremujorin e parë të vitit, numri i rezervimeve për hotelet rreth bazës ishte 3.2 herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, bëri të ditur “China Central Television”.

“Shumica e turistëve vijnë në zonë veçanërisht për të parë Hua Hua”,- tha Li Sheng, i zoti i një shtëpie pranë bazës.

Po ashtu janë tepër të kërkuara edhe suveniret me panda, si shiritat e kokës, kukullat, çantat e shkollës dhe unazat dekorative, që shiten në dyqanet në bazë dhe në pjesë të tjera të Chengdu. Vendi ka përfituar ndjeshëm nga vëmendja e dhënë ndaj arinjve.

Në vitin 2021, u krijua zyrtarisht Parku Kombëtar i Pandave Gjigante, duke mbuluar 22.134 kilometra katrorë dhe duke përfshirë provincat Sichuan, Shaanxi dhe Gansu. Si një park demonstrues për ruajtjen e biodiversitetit, ai mbron habitatet kryesore të 87.5 për qind të pandave gjigante të egra të Kinës.

foto nga CFP

Panda Hua Hua në bazën kërkimore Chengdu të shumimit të pandave gjigante në provincën kineze Sichuan, më 3 maj 2023/ foto nga CFP

Industritë tradicionale të hidrocentraleve, drurit dhe mineraleve në qarkun Yingjing, pjesë e Ya'an në Sichuan, u tkurrën pasi mbrojtja e pandave u bë një përparësi kryesore.

Ndërsa qarku eksploron gradualisht një rrugë zhvillimi të gjelbër, ai ka investuar 1 miliard juanë (144 milionë dollarë) për të ndërtuar skulptura dhe ekspozita me temë panda, një pyll bambuje dhe një bazë popullarizimi shkencor në një zonë prej më shumë se 33 hektarësh në fshatin Wannian, i cili është në hyrjen jugore të Parkut Kombëtar të Pandave Gjigante.

Si rezultat, nga turizmi i lidhur me pandat në Wannian, që ndodhet rreth 189 kilometra nga Chengdu, ka përfituar i gjithë qyteti i Longcanggou, i cili administron fshatin.

Gjatë Festivalit të Pranverës në janar, Longcanggou, priti më shumë se 60.000 turistë, 170 për qind më shumë në baza vjetore, dhe të ardhurat nga turizmi kaluan 11 milionë juanë, një rritje prej 200 për qind në baza vjetore, tha Gao Xiaosong, sekretari i Komitetit të PKK-së në qytetin Longcanggou.

Regjistrimi i katërt i pandave në Kinë, rezultatet e të cilit u publikuan në vitin 2015, tregoi se kishte 1864 panda të egra deri në fund të vitit 2013.