Pekini: Asnjë frenim nuk mund ta pengojë zhvillimin e Kinës
2023-05-04 20:21:17

Frenimi dhe shtypja nuk mund ta pengojnë zhvillimin e Kinës, por përkundrazi, vetëm se forcojnë vullnetin dhe aftësinë e saj për të kërkuar vetëmbështetje dhe risi teknologjike, tha në një konferencë shtypi të enjten në Pekin zëdhënësja e diplomacisë kineze Mao Ning.

Zëdhënëse e diplomacisë kineze Mao Ning(Foto:MPJ)

Zëdhënëse e diplomacisë kineze Mao Ning(Foto:MPJ)

Ajo i bëri këto komente pas deklaratave të zv.kryetarit të Shoqatës së Industrisë së Gjysmëpërçuesve të ShBA-së John Neuffer në një intervistë për “Bloomberg”-un se industria amerikane e gjysmëpërçuesve ende ka nevojë për Kinën pavarësisht shqetësimeve të qeverisë për “sigurinë kombëtare”, pasi ajo është tregu më i madh për kompanitë amerikane të mikroçipave.

Sipas znj. Mao, Kina është tregu më i madh në botë i gjysmëpërçuesve dhe “shkëputja” prej Kinës ndikon në funksionimin e tregut, gjë që nuk është në interes të asnjë pale.

Ajo shtoi se, duke kërkuar të arrijë interesat e veta, ShBA-ja e ka shtrirë së tepërmi konceptin e “sigurisë kombëtare” dhe ka shpërdorur masat e kontrollit për të kufizuar eksportet në Kinë. “ShBA-ja jo vetëm shtyp dhe frenon Kinën, por edhe përpiqet t’u heqë të gjitha vendeve në zhvillim të drejtën për përparim tekniko-shkencor, në mënyrë që t’i mbajë në fund të zinxhirit industrial,” shtoi zëdhënësja.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duke i quajtur këto veprime “egoiste” dhe “të pandershme”, Mao tha se ato jo vetëm do të minojnë qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të prodhimit e të furnizimit, gjë që nuk është në favor të rritjes së ekonomisë globale, por edhe do të dëmtojnë vetë ShBA-në.

Sipas saj, Kina do të ngulë këmbë në nivelin e lartë të hapjes ndaj botës së jashtme dhe është e gatshme të zhvillohet bashkërisht e të ndajë mundësitë me vendet e tjera, duke mbrojtur në mënyrë të palëkundur të drejtat dhe interesat e vet të ligjshëm.(Zhang Yan/Artan)