Hapet strehëza veterinare për kafshët e rrugës në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj: Kujdes mjekësor dhe vaksinim
2023-05-04 14:26:26

Bashkia e Tiranës ka hapur në Tufinë “Strehëzën veterinare”, qendrën e kafshëve të rrugës që i jep zgjidhje përfundimtare problematikës së qenve endacakë në kryeqytet.

“Strehëza” do të funksionojë me konceptin e “shtëpisë së përhershme” për qentë endacakë, por edhe si qendër veterinare, ku do të kryhen proceset e sterilizimit, vaksinimit dhe matrikullimit e më pas edhe adoptimi i tyre, bën të ditur “ATSH”.

“Vitet e fundit kemi trajtuar 6 mijë qen në situatë rruge, të cilët janë vaksinuar dhe kanë marrë shërbimin mjekësor e më pas janë adoptuar. Sigurisht, tani që kemi një hapësirë më dinjitoze, ky proces ndodh me kushte shumë herë më të mira, por krijon edhe një mundësi për të ftuar njerëz për t’i parë, për t’i inkurajuar që të lidhen me botën e kafshëve, sidomos fëmijët. Mund t’u shërbejë edhe studentëve të ardhshëm të veterinarisë apo atyre që duan të krijojnë një sipërmarrje të vogël si kujdestarë të tyre”,- tha Veliaj.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, do të trajnojë edhe studentë të kësaj shkolle si kujdestarë për qentë.

Kjo qendër është finalizimi i projektit të nisur vite më parë me procesin e sterilizimit, vaksinimit dhe matrikullimit të qenve endacakë në qytetin e Tiranës. (Elona)