Shkencëtarët parashikojnë sasinë e uljes së CO2-shit prej pajisjeve fotovoltaike të çative në Kinë më 2030
2023-05-04 17:48:31

Panele diellore në çatinë e Stacionit Hekurudhor Perëndimor të Hangzhou-t, në provincën Zhejiang të Kinës Lindore.(Foto:VCG)

Shkencëtarët kinezë dhe homologët e tyre ndërkombëtarë kanë publikuar një vlerësim të potencialit të uljes së lëshimit të karbonit me anë të pajisjeve fotovoltaike të çative në Kinë, duke vënë në dukje se ato mund ta pakësojnë me rreth 2.72 miliardë tonë lëshimin e CO2-shit në vitin 2030.

Pajisjet fotovoltaike të çative janë sisteme panelesh diellore që prodhojnë energji elektrike, të vendosura në çatinë e një ndërtese. Sipas studimit të botuar kohët e fundit në revistën "Nature Communications", këto pajisje janë të rëndësishme për arritjen e tranzicionit të energjisë dhe objektivave klimatikë, veçanërisht në qytetet me dendësi të madhe ndërtimi dhe konsum të lartë energjie.

Vlerësimi i potencialit të uljes së lëshimit të karbonit nga pajisjet fotovoltaike të çative në qytetet e një vendi të madh është diçka e ndërlikuar, duke pasur parasysh vështirësinë e përcaktimit të zonave të çative.

Kërkuesit nga Universiteti Pedagogjik i Nankinit dhe institucione të tjera kineze, si edhe ato nga Shtetet e Bashkuara e Singapori, përdorën të dhëna gjeografike shumëburimëshe dhe metodën e prapavajtjes të të mësuarit automatik për të identifikuar një zonë çatie gati 66 000 kilometra katrorë për 354 qytete kineze në vitin 2020, që përfaqësojnë rreth 3.63 miliardë tonë ulje të CO2-shit.

Duke pasur parasysh zgjerimin e tokës urbane dhe transformimin e përzierjes së energjisë, studiuesit vlerësuan një ulje të mundshme të CO2-shit prej rreth 2.72 deri 3.63 miliardë tonë në vitin 2030, kur Kina planifikon të arrijë kulmin e saj të lëshimit të karbonit.

Sipas studimit, është e nevojshme të bëhen kërkime të mëtejshme për të përmirësuar prodhimin e energjisë me anë të pajisjeve fotovoltaike të çative, si ndërthurja me teknologjinë e ruajtjes së energjisë, për të arritur furnizimin e vazhdueshëm me energji natën dhe për të zvogëluar luhatjet në rrjetin energjetik.(Artan)