Një dokumentar për kinematë e dikurshme në Shqipëri
2023-05-03 11:06:48

“Kinema dhe Dashuri -Lamtumirë 35/mm” një film dokumentar, i cili evokon historinë e pelikulës në Shqipëri. Kinemaja shqiptare vjen natyrshëm në këtë dokumentar nëpërmjet intervistave, imazheve të saj, materialeve filmike gjatë xhirimeve, shifrat dhe faktet sjellin në memorien e spektatorit një copëz jetë të përjetuar nga koha. Mes gëzimit dhe ndonjë loti për punën dhe magjinë e një epoke të ndritur që la pas filmi 35/mm, premiera e dokumentarit "Kinema dhe Dashuri - Lamtumirë 35/mm" u pëlqye dhe u ndoq me interes nga shumë kineastë, krijues të ish Kinostudios "Shqipëria e re", regjisorë dhe skenaristë, të cilët  u mblodhëm të gjithë bashkë pas kaq vitesh duke kujtuar momentet e bukura të kinemasë shqiptare dhe asaj botërore. Producenti Skënder Jaçe dhe skenaristja Rezarta Reçi në një intervistë për Radio Ejani tregojnë për punën që është bërë për realizimin e këtij dokumentari. 

Skënder Jaçe: Ka qenë një periudhë kohore prej gjashtë muajsh ku na u desh të shkelnim në qytetet kryesore të Shqipërisë për të gërshetuar mirë materialin arkivor që ne dispononim dhe gjendjen aktuale të gjithë rrjetit të kinemave në Shqipëri. Ishte një punë e bukur, por dhe e dhimbshme njëkohësisht, pasi duke bërë krahasimin me arkivin që ne kemi shikonim që mjaft salla në Shqipëri janë shkatërruar ose nuk ekzistojnë më që nga viti 1992 me hyrjen e ndryshimit të sistemeve.

CMG: Ju në fakt kishit prekur në dokumentar të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe dukej qartë që të gjitha kinematë ishin të shkatërruara. Ky dokumentar  solli dhe një mesazh për publikun, duke kujtuar kohët kur kinematë ekzistonin në çdo qytet të vendit.

Skënder Jaçe: Është pikërisht një stacion mendoj unë, që njerëzit të shikojnë se si ka qenë kinemaja e dikurshme dhe me ndryshimin e teknologjisë digjitale të re që ka hyrë, të mësojnë se si kinematografia ka ecur në Shqipëri njësoj me vendet e tjera europiane. Pra sot shikojmë një kthesë qoftë edhe të publikut, por dhe të ringritjes së sallave të kinemave, politikat janë drejtuar drejt sallave të reja të kinemasë. Sidomos Qendra Kombëtare e Kinematografisë po bën përpjekje të herë pas hershme për të ndihmuar me politika, Ministria e Kulturës gjithashtu, që shumë qytete të kenë përsëri një ambient që quhet kinema.

CMG: Mendoni se e zëvendëson teknologjia e sotme kinemanë e dikurshme dhe 35/mm?

Skënder Jaçe: Unë këtu ndahem në mendim, pasi i takoj brezit që punoi me 35/mm dhe për mua 35/mm është i pazëvendësueshëm. Sado që teknologjia ka avancuar, nuk ka arritur akoma në thelësinë dhe cilësinë e filmit në mënyrë absolute. Filmi mbetet një shkollë e madhe për të gjithë ata që punuan dhe prekën një industri mjaft të bukur, pasi ishte e specializuar dhe shumë profesioniste. Kështu që teknologjia mund të eci me hapa të shpejta, ku filmin sot mund ta shikosh dhe në një celular, por ekrani i kinemasë mbetet magji. Pra kinemaja si shumë zhanre të tjera bëri epokë dhe ka qenë epoka e ndritur e kinemasë.

CMG: Prej disa vitesh ju keni lëvizur në shumë qytete të Shqipërisë me projektin tuaj për kinemanë verore, duke e çuar ekranin e madh të kinemasë edhe në qytete të vogla të vendit. Mendoni se ky aktivitet i ka afruar njerëzit me kinemanë?

Skënder Jaçe: Pikërisht ky projekt këtë ka synuar, për t’i thënë spektatorit të sotëm të ri që nuk e njohin ekranin e madh që kinemaja nuk mund të vdesë, ajo ecën dhe shoqëron njerëzimin. Është një art mjaft i bukur që ndiqet sot në gjithë Europën dhe në botë. Kështu që ne me këtë kemi dashur të tregojmë që kinemaja është prezent sot  dhe jemi munduar që të gjitha këto vepra të prodhimit të fundit të kinemasë shqiptare t’i përcjellim tek spektatori në shumë qytete të Shqipërisë që nuk ka kinema.

CMG: A është zbehur  tek të rinjtë  dëshira për kinemanë e mirëfilltë?

Skënder Jaçe: Natyrisht që është zbehur dhe kjo ka shkaqet e saj objektive që i kemi thënë. Problemi shtrohet që sot gjërat kanë ndryshuar dhe çdo vend i botës nuk është ai që ishte dje, pasi informacioni sot është i menjëhershëm dhe shumë i shpejtë, mos të harrojmë këtu televizionet, rrjetet sociale, piraterinë që vazhdon akoma në shumë shtete se nuk është vendosur ligji ose nuk respektohet. Kështu që detyrimisht është zbehur dhe nuk është më ai interes, por unë kam besim që nëse ne fillojmë edukimin me kinemanë si mentalitet i zhdukur dhe të futet tek brezi i ri, që nga fëmijët, që nga kopshti, shkolla 8 vjeçare dhe deri në gjimnaz, them se shumë shpejt spektatori do t’i rikthehet sallave të kinemasë.

CMG: Cilat janë risitë që do të sillni me projektin tuaj veror “Open Cinema” në qytetet e Shqipërisë?

Skënder Jaçe: Këtë vit kemi prurje shumë interesante të filmit shqiptar, ka pasur prodhime  mjaft të bukura, të cilat do të shfaqen dhe do vazhdojmë të operojmë me shumë qytete për të parë se si kanë qenë dikur dhe se si ka evoluar jeta sociale tek ne. Kemi material të bollshëm për të paraqitur një fytyrë tjetër të kinemave, natyrisht të shoqëruar dhe gërshetuara me kolonat zanore të filmit shqiptar dhe të huaj.

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për ata që e dashurojnë kinemanë?

Skënder Jaçe: Duajeni kinemanë se është e bukur dhe është e pavdekshme, është një art sintetik që i ka të gjitha të gatshme dhe nuk të lodh, aty është muzika, teatri, aktrimi, skenografia dhe të gjitha.

Ndërkohë gazetarja Rezarta Reçi, skenariste e dokumentarit shprehet e lumtur që ishte pjesë e atij grupi të vogël që e kanë dashur dhe vazhdojnë ta duan kinemanë.

Rezarta Reçi: Ishte një kërkesë e brendshme e një grupi të vogël kinemadashësish dhe më vjen shumë mirë por dhe jam shumë e lumtur që u bëra zëri i atij grupi shumë të vogël që e kanë dashur shumë kinemanë dhe vazhdojnë ta duan, pavarësisht se tituli është “Lamtumirë 35/mm”. Përveç nostalgjisë, dhimbjes dhe momenteve faktuese të një rrugëtimi të gjatë të kinemasë, por dhe me gjithë kushtet e rrugëtimit të kinemasë shqiptare, gjithçka ka qenë me pasion nga më i vogli e deri tek aktori më i madh. Gjithçka ka funksionuar  në bazë të pasionit. Këtu në këtë grup unë jam skenaristja, ndërsa producent dhe shpirti i kësaj është Skënder Jaçe  sepse është dashuria për diçka që kemi humbur jo për shkakun tonë, por për shkak të rrethanave. Kështu që është kjo frymë dashurie që na mban të zhdërvjellët, të gjallë, plot frymë dhe pse jo edhe me kinemanë nesër e pasnesër.

CMG: Udhëtuat me këtë dokumentar në qytetet e Shqipërisë që sot ju mungon kinemaja. Cila ishte ndjesia juaj kur patë këtë mungesë të kinemave?

Rezarta Reçi: Dhimbja është pjesë përbërëse e gjithçkaje. Unë gjatë kohës që e shikoja filmin me të gjithë të mirat, por edhe me anën kritike, thoja se çfarë tjetër nuk është prishur në Shqipëri, por të paktën me këtë dokumentar dëshmuam se kemi një histori në celoluid, kemi një dokumentar të asaj çfarë kemi jetuar deri tani.

CMG: Mendoni se e ka zëvendësuar teknologjia e sotme kinemanë e atëhershme?

Rezarta Reçi: Do ecin gjërat patjetër, por do gjendet mënyra për të ruajtur kujtesën.

Intervistoi: Gazmend Agaj