Rritet inflacioni në Eurozonë. BQE pritet të rrisë normën e interesit
2023-05-03 12:17:37

Foto nga VCG

Inflacioni në Europë është rritur edhe më tej, duke shtuar rëndesën ndaj ekonomive familjare e duke ushtruar trysni ndaj Bankës Qendrore Europiane për të miratuar atë që mund të jetë një tjetër rritje e madhe e normës së interesit.

Çmimet e konsumit në 20 vendet e Bashkimit Europian që përdorin valutën euro janë rritur me 7 për qind në prill, krahasuar me një vit më parë, njoftoi të martën agjencia e statistikave e BE-së, Eurostat, përcjell “RTSH”.

Inflacioni i çmimeve të ushqimeve është zbutur paksa, duke rënë në një shkallë vjetore prej 13.6 për qind nga 15.5 për qind sa ishte në mars, ndërsa çmimet e energjisë pësuan rritje prej 2.5 për qind.

Inflacioni bazë, i cili nuk përfshin ushqimin dhe karburantet, është ngadalësuar paksa, por ende është i lartë, prej 5.6 për qind, duke forcuar bindjen se BQE-ja do të vazhdojë me fushatën e saj për mposhtjen e inflacionit me rritje të normës së interesit. (Elona)