Ministrja Balluku: Brenda verës përfundon traseja e aksit Elbasan-Qafë Thanë
2023-05-03 11:29:19

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi ecurinë e punimeve në aksin Elbasan-Qafë Thanë, ku njoftoi se brenda kësaj vere do të jetë e përfunduar e gjithë traseja e rrugës në këtë lot, ndërsa në shtator nis asfaltimi.

Sipas Ballukut, përfshirja e këtij aksi rrugor, pjesë e Korridorit 8, në Korridorin Paneuropian, krijon edhe mundësinë e financimit të hekurudhës nga fondet e BE-së, përcjell “ATSH”.

Ministrja Balluku shtoi se ky korridor do t’i shërbejë edhe Portit të Thatë të Strugës.

“Ky korridor ka edhe një vlerë shumë të madhe për sa i përket portit të ri të Durrësit, pasi parashikon lidhjen direkt me portin e ri të Durrësit si përmes autostradave, ashtu dhe përmes hekurudhës”,- tha Balluku, e cila theksoi se brenda muajit qershor do të jetë përfunduar edhe procedura për lotin e dytë, që nis në Mirakë dhe përfundon te kthesat e Murrasit.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, theksoi se dalja e këtij segmenti rrugor në zonën e Maqedonisë së Veriut nuk do të jetë pika kufitare e Qafë-Thanës, por do të jetë një pikë tjetër më e afërt, e cila do të lidhet me anë të një tuneli 4-5 km. Sipas tij, ky ndryshim do të shkurtojë me 20 km distancën për të shkuar në Strugë.

Ky aks do të shkurtojë rrënjësisht distancat dhe do të kthehet në një rrugë interurbane me katër korsi, si pjesë e Korridorit të 8-të, tanimë i përfshirë në rrjetin europian.

Rruga Elbasan-Qafë Thanë është e kategorisë B, me 2 korsi nga secili krah, me ndarëse korsie dhe të gjitha parametrat rrugore.

Punimet nuk përfshijnë vetëm zgjerimin e rrugës ekzistuese, por edhe daljen në një aks të ri të rrugës për shkak të rritjes së fluksit, ndërsa parashikohet edhe përmirësimi i parametrave të rrugës dhe i shpejtësisë së lëvizjes. (Elona)