Panairi i Kantonit, një hapësirë shkëmbimesh dhe bashkëpunimi
2023-05-02 09:49:16

Edicioni i 133-të i Panairit Ndërkombëtar të Importeve dhe Eksporteve të Kinës, i njohur botërisht si Panairi i Kantonit, nisi zyrtarisht më datën 15 prill 2023 në qytetin Guangzhou, provincën Guangdong të Kinës Jugore. Ai po vijon aktivitetin e tij deri më datën 5 maj. Përfaqëson panairin më të madh tregtar të organizuar ndonjëherë, pas rifillimit të plotë të pavioneve të tij me prani fizike, për herë të parë që nga koha e shpërthimit të pandemisë së COVID-19.

Panairi i Kantonit, i cili zhvillohet çdo vit në pranverë dhe vjeshtë, filloi për herë të parë në vitin 1957 dhe, që nga ajo kohë dhe gradualisht, u shndërrua në një barometër të besueshëm të tregtisë së jashtme të Kinës dhe të vitalitetit të ekonomisë së saj, përherë në zgjerim dhe përmirësim të vazhdueshëm, jo vetëm të sasisë, por edhe të cilësisë së mallrave dhe shërbimeve që paraqet.

Në Panairin e sivjetshëm të Kantonit, 35 mijë kompanitë prezantuese nga Kina dhe nga 226 vende dhe rajone të botës, po zhvillojnë me sukses paraqitjet e produkteve dhe shërbimeve të tyre, si në pavjonet e eksporteve, ashtu edhe në ato të importeve, duke u angazhuar në procesin e lidhjes së dhjetëra mijëra kontratave të furnizimit, blerjes dhe shitjes, si dhe të investimit.

Janë 1.5 milionë metra katrorë sipërfaqe ekspozimi për këtë vit, 300 mijë metra katrorë më shumë nga sipërfaqja e ekspozimit e vitit 2019. Për këtë vit, sipërfaqja e pavjoneve dhe stendave të ekspozimit për produktet dhe shërbimet e importeve për në Kinë u shtua me 50 përqind, si shenjë e dukshme jo vetëm e hapjes së mëtejshme të ekonomisë kineze, por edhe e kërkesave në rritje të tregut të brendshëm në Kinë, për mallra dhe shërbime nga jashtë.

Në Panair po prezantojnë 47 organizata globale të biznesit, të cilat po marrin pjesë në grup. Shitësit me pakicë të Fortune 500 dhe Fortune 250 dërguan blerës në këtë ngjarje tregtare më të madhe të botës. Një total prej 53 kompanish kryesore shumëkombëshe, duke përfshirë Walmart, Auchan, Carrefour dhe Metro, prezantuan dhe po vijojnë të prezantojnë produktet e e tyre.

Një numër i madh pjesëmarrësish janë nga vende të tilla si SHBA, Japonia, Koreja e Jugut, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe India. Në pavjonet e ekspozimeve të importeve të Kinës, po marrin pjesë 508 kompani nga 40 vende dhe rajone. Më shumë se dy të tretat e tyre, 73 përqind, janë nga vende dhe rajone të përfshira në iniciativën e “Një Brez, një Rrugë”, të propozuar nga Kina.

Gjatë takimeve biznes me biznes, konferencave të shtypit, seminareve dhe simpoziumeve të zhvilluara dhe që po zhvillohen në Guangzhou, spikati besimi i pjesëmarrësve në Panair tek ekonomia kineze dhe tregtia e jashtme të Kinës, duke pasur parasysh zinxhirin e fortë konkurrues të furnizimit dhe produktet e mbështetura nga teknologjitë më të avancuara të kohës.

Shumë nga pjesëmarrësit u shprehën se rritja ekonomike e Kinës në gjysmën e dytë të këtij viti, do të jetë shumë më e mirë se në gjysmën e parë, duke vënë në dukje bazat solide dhe elasticitetitin e vendit drejt një rimëkëmbjeje të përshpejtuar.

Zëvendëskryeministri i Kinës, He Lifeng theksoi se ky Panair i sivjetëm i Kantonit ka një rëndësi të madhe për thellimin e tregtisë midis Kinës dhe vendeve të tjera dhe promovimin e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë dhe tregtisë globale. Ai u shpreh se Kina do të marrë iniciativën për të zgjeruar importet dhe do të vazhdojë të përdorë zhvillimin e ri ekonomik të saj, për të ofruar mundësi të reja për ekonominë botërore.

Në tërësi, sipërmarrësit dhe tregtarët në Panairin e Kantonit, vlerësuan eksportet dhe importet e qëndrueshme të Kinës, si një kontribut themelor në ekonominë botërore, e cila po përballet me presione të forta për rënie të ritmeve të rritjes së saj.

Sipas statistikave nga autoritetet doganore kineze, në muajin mars 2023, vëllimi i eksporteve të Kinës u rrit me 23.4 përqind, në krahasim me marsin e vitit 2022, duke mposhtur ngurrimet e tregjeve ndërkombëtare. Importet e vendit në muajin mars 2023, u rritën me 15.3 përqind, në krahasim me muajin shkurt 2023.

Në mes të prillit 2023,  FMN parashikoi se ekonomia e Kinës do të rritet me 5.2 përqind për këtë vit. Po në prill, Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass, tha se për shkak të një perspektive të përmirësuar për rimëkëmbjen e Kinës, Banka Botërore ka rishikuar perspektivat e rritjes së Kinës për vitin 2023 nga 4.3 përqind në 5.1 përqind, gjë që rriti parashikimin e saj të rritjes globale nga 1.7 për qind në 2 përqind.

Fatos Çoçoli