Mbi 4.6 milionë hyrje-dalje priten në Hong-Kong gjatë pushimeve të 1 Majit
2023-05-02 11:50:26


Foto nga VCG

Me fillimin e pushimeve për festën e 1 Majit, fluksi i udhëtarëve që kanë hyrë dhe kanë dalë nga Hong-Kongu është rritur ndjeshëm. Departamenti i Emigracionit i Qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut njoftoi se gjatë pushimeve të festës së 1 Majit, parashikohet se rreth 4.61 milionë veta do të hyjnë dhe dalin nga Hong-Kongu, dhe data 1 maj ishte periudha e pikut të hyrjeve.

Këto janë pushimet e para të festës së 1 Majit pas hapjes së plotë të pikave të kalimit ndërmjet Hong-Kongut e pjesës kontinentale dhe shumë turistë nga pjesa kontinentale zgjodhën të udhëtojnë për në Hong-Kong. Kjo mund të shihen edhe në daljen e stacionit të hekurudhës me shpejtësi të lartë në West Kowloon të Hong-Kongut, ku kishte një rrjedhë të pafund turistësh që vinin. Kur u pyet se ku do të vizitonte, zonja Peng, një turiste nga Kina kontinentale, tha:

"Do të vizitojmë pikat e njohura turistike, si Mongkok, Victoria Peak etj. Për shkak të pushimeve të gjata të festës së 1 Majit dhe për shkak se e kam dashur kulturën e Hong-Kongut që kur isha fëmijë, kam ardhur në Hong-Kong këtë herë për vizitë dhe për të bërë fotografi këtu.”

Zonja Hou, një tjetër turiste nga pjesa kontinentale, tha se e ka sjellë vajzën e vet në Hong-Kong jo vetëm për të bërë detyrat e shtëpisë, por edhe për të zgjeruar horizontin e saj.

"Në festën e 1 Majit, vajza ime ka si detyrë shtëpie të bëjë një ese. Gjatë tre vjetëve të epidemisë nuk kemi qenë këtu. Do të shikojmë Hong-Kongun e tanishëm, pastaj ajo do të bëjë esenë me këto shënime udhëtimi. Kur të kthehet, mund t'ua lexojë edhe fëmijëve të tjerë. Ajo mund të ndiejë ndryshimet në këtë qytet dhe të përjetojë parimin 'Një vend, dy sisteme', gjë që do të zgjerojë horizontin e saj”.

Foto nga VCG

Z. Cui, i cili jeton në Shenzhen, tha i emocionuar se ka dy vjet që nuk ka shkuar në Hong-Kong dhe tani, pas rihapjes së pikave të kalimit, dëshiron të përjetojë të gjitha gjërat e shijshme dhe argëtuese.

"Hekurudha e shpejtësisë së lartë është shumë e përshtatshme dhe ne erdhëm këtu vetëm me një ndalesë, sepse jetojmë në Longhua, që është shumë afër stacionit të hekurudhës me shpejtësi të lartë të Shenzhenit Verior. Jemi shumë të emocionuar, sepse nuk kemi qenë në Hong-Kong për dy vjet. Dua të përjetoj në Hong-Kong pikat tërheqëse interesante, ushqimet e shijshme dhe çajin e mëngjesit."

Sipas departamentit të hekurudhave të Kinës, gjatë festës së 1 Majit, kërkesa për të udhëtuar në Hong-Kong nga shumë qytete të pjesës kontinentale u rrit dhe biletat e hekurudhave me shpejtësi të lartë për në Hong-Kong u shitën shpejt. Për më tepër, Autoriteti i Turizmit i Hong-Kongut deklaroi që deri në orën 17:00 e 30 prillit, 636 grupe nga pjesa kontinentale u regjistruan për të vizituar Hong-Kongun midis 29 prillit dhe 3 majit, duke përfshirë rreth 20 000 turistë. Departamenti i Emigracionit i Qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut parashikon se rreth 4.61 milionë njerëz do të hyjnë dhe dalin nga Hong-Kongu gjatë festës së 1 Majit. (Çang Çuo)