Qin Gang: Kina do të thellojë bashkëpunimin me Mongolinë për nismën "Një brez, një rrugë"
2023-05-02 12:05:29

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang bëri thirrje të hënën për të thelluar bashkëpunimin mbi nismën "Një brez, një rrugë" me Mongolinë gjatë takimit të tij me ministren e jashtme mongole Battsetseg Batmunkh në Pekin.

Duke e quajtur Mongolinë vend fqinj, mik dhe partner të mirë të Kinës, Qin tha se Pekini do të vazhdojë t'i trajtojë marrëdhëniet dypalëshe me një qëndrim strategjik dhe nga një këndvështrim afatgjatë. Ai theksoi gjithashtu se duhet të forcohet besimi i ndërsjellë politik mes dy vendeve dhe të nxitet koordinimi i thelluar i strategjive zhvillimore.

Nga ana e saj, ministrja e jashtme mongole theksoi se prioriteti diplomatik i vendit të saj mbetet zhvillimi i marrëdhënieve të partneritetit të qëndrueshme, miqësore dhe gjithëpërfshirëse.

Ajo tha se Mongolia respekton parimin e “Një Kine”, duke shtuar se çështja e Tajvanit dhe çështjet që lidhen me Hong-Kongun e Tibetin janë thjesht punë të brendshme të Kinës.

Të dy palët ranë dakord gjithashtu për të forcuar bashkëpunimin në menaxhimin e stuhive të rërës, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm. (Çang Çuo)