“Euronews”: Përjetoni parajsën në Parkun Kombëtar të Vjosës
2023-05-02 11:02:12

Foto nga ATSH

Parku Kombëtar i Vjosës ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare. “Euronews” ka botuar shkrimin “Përjetoni parajsën në Parkun Kombëtar të Vjosës”.

“Rafting në ujë të bardhë, ushqime të shijshme dhe banja termale ju presin në parkun më të ri kombëtar të Europës Lindore”, vlerëson “Euronews”, duke e cilësuar lumin Vjosa një mrekulli, citon “ATSH”.

Pas vitesh fushate nga kompania “Patagonia”, IUCN-ja dhe aktivistëve ndërkombëtarë, këtij lumi prej 6500 kilometrash katrorë me degë dhe rrugë të egra ujore iu dha mbrojtja që meritonte duke e bërë atë parkun e parë lumor të egër në Europë.

Në këtë lumë ndodhen rreth 1110 lloje kafshësh dhe bimësh, nga të cilat dy specie bimore dhe 13 kafshë janë në rrezik të zhdukjes globale. Prandaj, mbrojtja zyrtare është kaq e rëndësishme.

Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër malet e Ballkanit dhe në fund të arrijë në detin Adriatik. Gjatë rrugës, ajo kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rërë dhe kthesa të mrekullueshme.

“Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra blu e Europës”, shkruan “Euronews”. (Fatosi)