Nga konflikti Rusi – Ukrainë, te përgjimi i aleatëve, sekrete që rrjedhin nga administrata amerikane.
2023-05-02 22:05:17

Çarja e murit të sigurisë shumë të lartë të institucioneve të inteligjiencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën një problem shumë të madh pasi ve në pikëpyetje jo thjesht sigurinë e informacionit, por edhe procedurat, proceset dhe sistemet e menaxhimit të informacionit dhe të menaxhimit të riskut për këto informacione dhe për institucionet e këtij vendi dhe të vendeve satelite të SHBA-ve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kjo ka ndikuar në një masë shumë të madhe jo vetëm në besimin midis punonjësve të administratës së inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe midis vetë aleatëve të SHBA-ve, aq më tepër kur rrjedhja e këtyre informacioneve sensitive paralelizohet me përgjimet që SHBA ka bërë në vazhdimësi për drejtuesit e vendeve aleate, për sistemet e sigurisë së këtyre shteteve, etj. Por kjo nuk është asgjë krahasuar me faktin se nga rrjedhja e këtyre informacioneve del se SHBA ka përgjuar edhe vetë sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Nuk është hera e parë që informacione të sigurisë së lartë dhe shumë të lartë që janë pjesë e dokumentacionit kryesor të punës së institucioneve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve aleate të saj, kalojnë dorë më dorë dhe përfundojnë në duart e mediave ndërkombëtare.

Ka dy postulate shumë të rëndësishëm në fushën e inteligjencës.

E para: Nëse nuk je në gjendje të ruash informacionin sensitive, më mirë mos e mbaj atë.

E dyta: Investimi për ruajtjen e informacioneve sensitive duhet të jetë të paktën dy herë më i madh se sa investimi për grumbullimin, krijimin, përpunimin e këtij informacioni dhe marrjen e vendimeve bazuar në këtë informacion.

Në rastin konkret personi që besohet të jetë përgjegjës për rrjedhjen e qindra dokumenteve të mbrojtjes amerikane që përbëjnë sekrete ushtarake dhe kanë prishur marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët kryesorë, është një roje kombëtare ajrore 21-vjeçar, me gradën e pilot i klasit të parë, me uniformë dhe nën armë që në momentin kur hyri në Gardën Kombëtare Ajrore në shtator 2019, i dislokuar në bazën e Gardës Kombëtare Ajrore Otis në Cape Cod, emëruar mbikëqyrës në sistemet e transportit kibernetik, i cili u arrestua i veshur me pantallona të shkurtra, javën që shkoi në shtëpinë e tij në North Dighton, Massachusetts, SHBA, nga agjentët e FBI-së (Byroja Federale e Investigimit), që me mjete të blinduara, të veshur me kamuflazh dhe parzmore, të armatosur me armë luftarake, pasi ndaluan të dyshuarin, e dërguan dosjen përkatëse në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA, Merrick Garland, që konfirmoi arrestimin, duke thënë se djaloshi Jack Teixeira (emri i adoleshentit të akuzuari) “u ndalua në lidhje me një hetim mbi heqjen, mbajtjen dhe transmetimin e dyshuar të paautorizuar të informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare”, dhe kjo pasi sipas prestigjiozes “New York Times”, Teixeira ishte udhëheqësi i një grupi bisedash në internet, i vetëquajtur “Thug Shaker Central”, grup të adoleshëntësh të dashuruar pas armëve, memeve raciste dhe videolojërave, grup i cili ngarkoi qindra fotografi të dokumenteve sekrete dhe top-sekret në rrjete sociale.

Foto:VCG

Pentagon(Foto:VCG)

Ajo që ka mbetur nga çështja është fakti se anëtarët e këtij grupi kanë deklaruar se dokumentet janë shpërndarë në “Thug Shaker Central” në kuadër të një përpjekjeje për t’i bërë përshtypje publikut dhe jo për të arritur ndonjë rezultat të veçantë në lidhje me politikën e jashtme, por sipas një anëtari tjetër të grupit, të rinjtë mendojnë se “qeveria e tyre ka një pamje të errët dhe agjencitë e forcimit dhe zbatimit të ligjit në Amerikë janë forca represive”, deklaratë që përbën një shqetësim tjetër të madh për Qeverinë e SHBA-ve dhe e bën me dhimbje koke edhe vetë Presidentin Biden. Kjo është më keq nëse do ishte ndryshe.

Në fakt, volumi i informacionit të hedhur në internet në formën e fotove për më shumë se një vit deri në mars 2023, ndryshuar nga formati i tyre origjinal, tregon se informacionet në fjalë qenkan lehtësisht të aksesueshme dhe të kopjueshme në formate elektronike, manipulueshme dhe të përshtatshme për tu vjelë dhe përdorur rëndom si foto modelesh apo makinash luksoze. Pra, aq keq qenka gjendja e proceseve, procedurave dhe mënyrës së mbajtjes së rekordeve në institucionet e inteligjencës amerikane, sa dokumente sekrete të këtij shteti dhe të shteve aleate të SHBA, përfundojnë rëndom në internet dhe bëhen pjesë e shakave adoleshente. 

Media tjetër prestigjoze “The Times” informon se bëhet fjalë për rreth 300 dokumente dhe vetëm një pjesë e tyre janë raportuar deri tani, duke treguar se dëmi që i është bërë sigurisë kombëtare mund të jetë shumë më i madh, se sa është pranuar zyrtarisht dhe publikisht nga ana e autoriteteve përkatëse.

Informacioni që përmbajnë këto dokumente bën fjalë për (1) dislokimet e trupave të Ukrainës në luftën me Rusinë, (2) dobësitë ushtarake dhe përpjekjet për të armatosur forcat e Ukrainës përpara një kundërofensive pranverore, (3) prova të spiunimit të SHBA-së ndaj aleatëve dhe hezitimit të tyre për të armatosur Ukrainën, (4) informacione sekrete për aleatët, përfshirë Korenë e Jugut dhe Izraelin, (5) materiale për forcat ruse dhe vendimmarrjen në Moskë që mund ta ndihmonin Kremlinin të kuptojë më mirë pikat e forta dhe të dobëta të inteligjencës amerikane në Rusi, (6) njohuri për luftimet e brendshme midis inteligjencës ruse dhe ministrisë së mbrojtjes, (7) përshkrime se si Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në Rusi akuzonte Ministrinë e Mbrojtjes se po përpiqej të mbulonte numrin e viktimave midis ushtarëve rusë në Ukrainë, etj.

Përveç kësaj, në një video të grupit të adoleshentëve në internet paraqitet një person në një poligon qitjeje me një pushkë të madhe, që shan me fjalë raciste dhe antisemite, dhe më pas qëllon me armë me disa fishekë në një objektiv, duke deklaruar se punon në një bazë ushtarake, në të cilën ky person ka akses në sasi të mëdha në informacion të klasifikuar.

Pas kësaj ngjarjeje të paprecedent për inteligjencën amerikane dhe për inteligjencën e mbrojtjes amerikane dhe të aleatëve të saj, Pentagoni ka filluar të shtërngojë rrethin e punonjësve dhe të kontraktorëve dhe ka premtuar të rishikojë politikën e lëshimit të lejes së sigurisë së lartë.

Edward Snowden(Foto:VCG)

Edward Snowden(Foto:VCG)

Edhe deklarata e FBI-së me këtë rast përmban një tekst të ashpër, ku ndër të tjera theksohet: “Që nga fundi i javës së kaluar, FBI-ja ka ndjekur në mënyrë agresive pistat hetimore dhe arrestimi i sotëm ilustron angazhimin tonë të vazhdueshëm për identifikimin, ndjekjen dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga të tërë ata që tradhtojnë besimin e vendit tonë dhe venë në rrezik sigurinë tonë kombëtare”.

Edhe sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral Brigade i Forcave Ajrore, Pat Ryder, deklaroi se “kemi të bëjmë me një çështje të zbatimit të ligjit, në një hetim në vazhdim. Departamenti i Mbrojtjes po punon gjatë gjithë kohës, që bashku me komunitetin e inteligjencës, për të kuptuar më mirë shtrirjen dhe shkallën e këtyre rrjedhjeve”, duke shtuar më tej se Pentagoni është shumë i kufizuar në lidhje me atë se çfarë përmbajnë këto dokumente.

Ndërsa, Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, Jack Reed, në lidhje me këtë çështje tha: “Kjo ishte një shkelje e madhe e sigurisë, që nuk mund të lejohet të ndodhë përsëri. Rrjedhja e kësaj sasie të informacionit të klasifikuar rrezikoi profesionistët tanë ushtarakë dhe të inteligjencës dhe minoi sigurinë e aleatëve dhe partnerëve tanë. Kushdo me një leje sigurie që tradhton vendin, duke keqpërdorur qëllimisht dokumente të klasifikuara ose duke zbuluar materiale të klasifikuara, duhet të mbajë përgjegjësi”.

Kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, R-Ohio, tha në një deklaratë se paneli i tij do të “shqyrtojë pse ndodhi kjo, pse kaloi pa u vënë re për javë të tëra dhe si të parandalohen ngjarje të tilla në të ardhmen”.

Rëndësia e çështjes është aq e madhe se vetë Presidenti i SHBA-ve Joe Biden, gjatë një vizite zyrtare në Irlandë, deklaroi: “Si edhe vetë e dini po zhvillohet një hetim të plotë. Komuniteti i inteligjencës dhe Departamenti i Drejtësisë po i afrohen çështjes. Unë nuk jam i shqetësuar për rrjedhjen, Jam i shqetësuar se ka ndodhur. Por nuk ka asgjë të njëkohshme për të cilën jam i vetëdijshëm se ka një pasojë të madhe”.