Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një takim përkujtimor me miq, familjarë e adhurues të veprës së Robert Shvarcit. Me pijen e tij të preferuar, “Kalvados”, si dhe fotografitë e Roland Tashos, të pranishmit udhëtuan në kohë, duke u ndjerë pranë Robert Shvarcit, njeriut që i dha aq shumë kulturës shqiptare.
Shqipëruesi i kryeveprave të letërsisë botërore, u kujtua në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku mes personalitetesh të artit e kulturës, gjendej dhe i biri, Edvin Shvarc.
Ky takim i mbajtur në Qendrën Kombëtare të Kulturës, nuk do të ishte një takim që do të mund të tregonte tërësisht punën, apo të fokusohej tërësisht te puna e Robert Shvarcit si përkthyes, por do të ishte si një prememorie e këtij përkthyesi shumë të mirë të kryeveprave botërore në shqip, i cili ka lënë edhe mjaft kujtime të mira mes njerëzve që ishin të pranishëm, miq, shokë, krijues.
“Ishte dicka shumë interesante të rrije me Robertin, sepse dëgjoje diçka ndryshe, për një botë ndryshe”, shprehet miku i tij Robert Radoja.
Ndërsa Alda Bardhyli tregon ekseriencën e saj të parë në gazetë, që e lidh me emrin e Robert Shvarc:
“Në fillimet e mia, kur punoja në gazetë, isha 20 vjeç dhe më bie telefoni, i cili më foli shumë ashpër, sepse ishte shumë i mërzitur, që unë kisha botuar një cikël përkthimesh dhe nuk kisha vendosur emrin e përkthyesit”.
Ndërkohë Edvin Shvarc, i ftoi të gjithë ta kujtonin ashtu siç kishte qenë përkthyesin:
“Le ta kujtojmë ashtu siç ishte, i thjeshtë, me të mirat dhe të këqijat e tij, le të pimë një gotë kalvados për kujtimin e tim eti”.
Mes kujtimeve dhe udhëtimeve në kohë që bënë pjesmarrësit për veprën dhe jetën e Robert Shvarc, QKLL solli në nder të përkthyesit, një pasazh nga kujtimet e tij: “Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit”, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta përktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, m’u desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar”.
“Harku i Triumfit”, “Tre shokët” dhe “Asgjë e re nga Fronti i perëndimit”, janë tituj shumë të dashur për lexuesin shqiptar, që si përkthime të Robert Shvarc, e sollën Remarkun në Shqipëri dhe e vendosën atë në bibliotekën e çdo lexuesi.
Por nuk janë të vetmit. Robert Shvarc është përkthyes i disa kryeveprave botërore që ne i kemi lexuar në gjuhën shqipe në sajë të gjuhës së tij. Ai është përkthyes i titujve të të tillë si: “Obelsiku i zi” dhe “Shkendija e jetës” nga Remark; “Nderi i humbur i Katerina Blum” nga Hajnri Bël; “Arturo Ui” dhe “Nëna kurajë dhe bijtë e saj” nga Bertold Breht; “Amok” dhe “Letra e një të panjohue” nga Stefan Cvajg; “Tonio Krëgëri”nga Tomas Mann, etj.
Robert Shvarc nuk ishte vetëm përkthyes, ai ishte edhe poet. Vite përpara, të gjitha poezitë e tij u përmblodhën në një album, me kujdestarinë e Roland Tashos.
Fakti që ai e lëvronte poezinë, ndonëse ky është një fakt pak i njohur për publikun, shpjegon edhe gjuhën e tij poetike, mjaft të pasur, që përdorte në përkthimet e bëra, për të cilën vlerësohet.
Robert Shvarc ishte një përkthyes skrupuloz, shpërthyes në punë, por aq edhe i qetë dhe njerëzor në jetën e tij. Kalonte shumë orë pa gjumë, mbi gërma e duke kërkuar fjalë, deri sa të ishte i bindur se kishte gjetur të duhurën. Ai e dashuronte fjalën, e fliste me shumë maturi e urtësi dhe e përdorte në përkthime me shumë respekt e dashuri. Robert Shvarc i mësoi shqiptarët të ëndërronin përmes librave, për të cilët ai u kujdes të sillte më të mirët. U hapi atyre një dritare pa fund leximesh.