Ibrahimaj: rritja e pagave fillon menjëherë për disa kategori
2023-05-01 10:11:30

“Ky projektligj i hap rrugën disa kompetencave të qeverisë për të përcaktuar disa kategori pagash, janë diskutuar edhe më parë, të cilat do të marrin disa bonuse speciale. Dhe në kuadër të reformës së rritjes së pagave dhe të rritjes së eficencës së administratës publike, ne kemi menduar që pozicione të caktuara duhet të jenë konkurruese me tregun, dhe këtu e kam fjalën për pozicione të cilat mirë paguhen jo vetëm në vend por edhe jashtë vendit, si p.sh sektori i IT-së apo sektorë të tjerë të lidhur me sigurinë kibernetike por dhe sektorë të cilët kemi hasur mungesa si në pozicione të ndryshme, p.sh në sektorin e bujqësisë, ku duhen ekspertë të cilët mirë-paguhen qoftë në vend, qoftë dhe jashtë.”-tha Ibrahimaj.

Llogaritja e pagës më të lartë për disa kategori ka nisur nga 1 prilli.

“Megjithatë në vijim të ligjeve dhe reformave që po bëjmë për rritjen e pagave, ne sot kemi filluar dhe kemi miratuar, disa projekt vendime që lidhen me rritjen e pagave dhe me hapjen e parë të rritjes për sektorin shëndetësor, për sektorin arsimor dhe të sigurisë, konkretisht për policinë e burgjeve, gardën dhe zjarrfikësit. Në zbatim të vendimit të marrë më parë, nga 1 prilli do të rriten edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.”

Është parashikuar që rritja e pagave të jetë graduale, duke u shtrirë edhe në vitin 2024.

“Siç kemi anonçuar kjo rritje do të jetë e ndarë në dy faza. Pra projektvendimet që sapo miratuam  janë projektvendime që lidhen me pagat e vitit 2023 ndërkohë që do të ketë një rritje të mëtejshme të pagave në 2024 kur reforma supozohet që të përfundojë. Kostoja vjetore e cila e plotë do të jetë për vitin 2025 e rritje së pagave është në nivelin 38 miliardë Lekë. Këto fonde janë parashikuar që të mblidhen qoftë nga rritja e të ardhurave, qoftë nga ri-alokime të brendshme. Pra janë kosto që përballohen brenda kuadrit makro-fiskal duke ruajtur të gjitha parametrat e ligjit organik të buxhetit. Që do të thotë ne do të vijojmë të ulim borxhin dhe ne do të vijojmë të ulim deficit  duke garantuar qëndrueshmëri fiskale.”- thotë Ibrahimaj.

Në komunikimin me mediat, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka dhënë detaje për politikën  buxhetore që do të ndiqet nga qeveria për pagat.

“Për vitin aktual në buxhetin e vitit 2023, që kur u hartua ne kemi parashikuar një politikë të rritjes së pagave dhe ishte një vlerë prej 2.4 miliardë lekësh të parashikuara në buxhet për politikën e rritjes së pagave. Ajo rritje targetonte sistemin e arsimit, të shëndetësisë, por edhe disa kategori të tjera si për shembull sektori i IT. Sigurisht që në projektbuxhetin e këtij viti kishim një fond rezervë për disa politika sociale të cilat planifikonim t’i implementonim gjatë vitit. Rritja e pagave dhe momenti i rritjes së pagave vjen si pasojë e krizës inflacioniste që është duke ndodhur, çmimeve të larta dhe rritjes së kostove të jetesës. Janë disa zëra të parashikuara në buxhetin e vitit 2023 të cilët akomodojnë rritjen e pagave dhe koston shtesë të parashikuar për këtë vit.”

Sipas planeve te qeverisë paga e mësuesve në arsimin e mesëm  shkojë mbi 100 mijë lekë. Në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë. Infermierët  kapin një bazë prej 87 mijë lekësh, kjo bazë shkon edhe mbi 90 mijë lekësh në bazë të pozicionit në punë.