Deterrenca, interesat dhe realiteti i Gadishullit Korean
2023-05-01 21:46:51

 

Gadishulli korean ka qenë përherë në qendër të eventeve të rëndësishme aziatike. Mjafton të shohim nga historia dhe vihet re çfarë potenciali ka ky rajon për t’u kthyer në “Thembrën e Akilit”  ose në balancues strategjik të situatave madhore, simbolikisht këtu vjen në mendje patjetër  “Paraleli 38”.

Në fakt, për të kuptuar të tashmen duhet hedhur një sy nga e shkuara. Më 25 qershor 1950, shpërtheu Lufta Koreane midis Republikës së Koresë (ROK) dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK), ose si njihen sot, Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut. Më 7 korrik 1950, Shtetet e Bashkuara bashkë me  Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) miratuan një rezolutë për dërgimin e një force të OKB-së që ajo udhëhoqi në Gadishullin Korean. Në luftën e Koresë, ShBA-të mobilizuan një të tretën e ushtrisë së tyre, gjysmën e marinës dhe një të pestën e forcës ajrore. Forca e saj maksimale e trupave arriti në 300,000. Më 15 shtator, forcat amerikane detyruan forcat e Koresë së Veriut të tërhiqen. Ndërkohë, avionët ushtarakë amerikanë hynë në hapësirën ajrore të Kinës, duke bombarduar aeroportet dhe infrastrukturën përgjatë kufirit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Një paralajmërim vinte atëherë nga Pekini: “Mos e kaloni paralelin e 38-të”!

Por, nuk ndodhi kështu, ushtria e huaj e kaloi vijën më 7 tetor dhe vazhdoi drejt kufirit Kino-Korean. Një ditë më pas, u formua një tipologji garnizoni ushtarak i quajtur Vullnetarët e Popullit Kinez (CPV) të cilët zbarkuan në Korenë e Veriut. Pas dy betejash, në nëntor të vitit 1950, ushtritë e udhëhequra nga ShBA-të, u tërhoqën në jug të paralelit të 38-të. Deri në qershor 1951, pati pesë beteja të mëdha në shtatë muaj që shkaktuan humbje të shumta në forcën e OKB-së dhe në tërheqje u fiksuan rreth “Paralelit 38-të”. Më 27 korrik 1953, Marrëveshja Koreane e Armëpushimit u nënshkrua, duke i dhënë fund Luftës 33-mujore. Në ato 33 muaj, gjithsej 2.9 milionë ushtarë kinezë hynë në fushën e betejës dhe 197.653 humbën jetën. Për Kinën, historia nuk do të harrohet kurrë dhe heronjtë do të kujtohen. Me të gjitha sa më sipër, duke shtuar dhe afrimitetin gjeografik përveç atij historik, Kina ka qënë përherë e investuar dhe e interesuar për realitetet e Gadishullit Korean.

 

Dilemat moderne të paralelit 38 dhe vizitat si deklarim pozicioni

Duket se shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë janë një pararendëse e mbështetjes së hapur midis liderëve. Në fakt, një vit më parë Presidenti i ShBA-ve Joe Biden kreu vizitën e tij të parë në Azi në Maj të vitit 2022, përkatësisht në Korenë e Jugut dhe Japoni, më anë të së cilës administrata e tij parashtroi strategjinë e re në pjesën Aziatike të oqeanit Paqësor. Kur Biden shkoi në Seul, Yoon kishte vetëm 10 ditë në detyrë, dhe po aty u ra dakord për stërvitje të kombinuara ushtarake dhe vendosjen e më shumë armëve amerikane në vend. Sipas tyre, kjo për të nxitur parandalimin kundër të ashtuquajturit kërcënim në rritje nga Koreja e Veriut. Biden riafirmoi gjithashtu angazhimin e ShBA-së për të vendosur asete strategjike ushtarake në mënyrë dhe në kohë të koordinuar sipas nevojës. 

Afro një vit më vonë, Presidenti i Republikës së Koresë, Yoon Suk-yeol përfundoi vizitën e tij njëjavore në ShBA më 30 prill 2023 dhe mori një pritje të ngrohtë nga Presidenti Biden në Uashington. Por, menjëherë pas kthimit në Seul, ai po përballet me mëdyshje dhe antagonizëm. Publiku i Koresë së Jugut ka dyshime të thella për politikën e jashtme të Yoon, e cila e lidh vendin e tij më afër me ShBA-në dhe Japoninë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kjo është vizita e parë në Uashington nga një udhëheqës i Koresë së Jugut që nga viti 2011 dhe shënon 70-vjetorin e aleancës së tyre. Yoon shoqërohej nga një delegacion biznesi prej 122 personash për të forcuar lidhjet tregtare, teknologjike dhe deri te lidhjet kulturore. Vizita vjen gjithashtu në një kohë kur Koreja e Jugut po përballet me testet e ripërtëritura bërthamore të Pionyang-ut dhe presionin e madh nga Uashingtoni për të furnizuar Ukrainën me armë. Me pak fjalë kjo vizitë vjen në një kohë shumë kritike, dhe me nevoja të mëdha ekuilibrash.

Vendosja e një bilanci duket si detyrë shumë delikate për Korenë e Jugut, por siç u pa me këtë vizitë presidenti i saj  nuk po kërkon domosdoshmërisht ekuilibrin. Ai foli më gjuhën e vlerave universale duke dëshiruar një marrëdhënie të ngushtë trepalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

 

“Deklarata e Uashingtonit” dhe kthimi i ftohtë i Yoon në Korenë e Jugut

Si një fuqi e mesme, Koreja e Jugut ka përfituar prej kohësh nga adoptimi i një politike të jashtme të ekuilibruar dhe strategjike që as nuk anon plotësisht dhe as nuk izolon një partner specifik. Kjo linjë e politikës së jashtme është bërë edhe më e rëndësishme në dekadat e fundit me globalizimin duke i bërë vendet gjithnjë e më të lidhura dhe të ndërvarura.

Dy liderët nënshkruan një plan të ri të quajtur “Deklarata e Uashingtonit”. Ata thonë se është një zgjerim i paprecedentë i parandalimit të tyre bërthamor në rajon. Plani përfshin stërvitje të përbashkëta dhe vendosjen e rregullt të mjeteve taktike në gadishull, edhe pse Koreja e Jugut është zyrtarisht një vend i “Mospërhapjes bërthamore”. Sipas Deklaratës, një nëndetëse amerikane e armatosur me armë bërthamore do të vendoset në Korenë e Jugut si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të rritur “dukshmërinë e rregullt të aseteve strategjike në Gadishullin Korean”. Një Grup Konsultativ Bërthamor (NCG) është krijuar gjithashtu si një lëvizje konkrete dhe thelbësore.

Megjithatë, Yoon, duke ftuar ushtrinë amerikane në Azinë Verilindore, po vepron të kundërtën. Prania e një nëndetëseje me raketa balistike bërthamore amerikane në Korenë e Jugut do të jetë hera e parë që nga vitet 1980. Kjo, pa mohim, do të rrisë jashtëzakonisht nivelin e tensioneve.

Banorë jugkoreanë protestojnë fjalëve të presidentit gjatë vizitës në ShBA(Foto:VCG)

Banorë jugkoreanë protestojnë fjalëve të presidentit gjatë vizitës në ShBA(Foto:VCG)

Sa efektive janë aftësitë parandaluese dhe a mund të funksionojnë vërtet për të shmangur  çdo dëm serioz në rajon? - Seuli dëshiron pajtimin me Republikën Popullore Demokratike të Koresë (DPRK) dhe kështu denuklearizimin e Gadishullit Korean. Por rritja e ombrellës bërthamore, siç pohohet në Deklaratën e Uashingtonit, mund të sjellë vetëm rezultate kundërproduktive.

Edhe media më e madhe e shkruar amerikane, më 1 maj 2023 shënon “Shumë veta dyshojnë gjithashtu në fuqinë e ‘Deklaratës së Uashingtonit’, marrëveshjen e re bërthamore me ShBA-në që kodifikoi një angazhim amerikan për të mbrojtur Korenë e Jugut me armë bërthamore, nëse Koreja e Veriut do të fillonte fillimisht një sulm të tillë.”

Për Kinën, Republika e Koresë po nxit telashe rajonale dhe performanca e Yoon në Uashington tregon gatishmërinë e tij për të hapur kutinë e Pandorës, një veprim i parë nga vëzhguesit si tronditës dhe që shton  pasigurinë për paqen rajonale. Diplomacia e Seulit duket se po dëshiron të përshkallëzojë tensionet rajonale, gjë që në Pekin as nuk e duan, dhe as nuk do e lejojnë.

Është e rëndësishme që pala koreano-jugore t'i qaset bisedimeve duke mbajtur parasysh pamjen më të gjerë dhe afatgjatë. Duke pasur parasysh pozicionin unik gjeopolitik të Koresë së Jugut dhe situatën globale, linja e politikës së jashtme e zgjedhur nga Seuli është vendimtare jo vetëm për interesat e saj të brendshme, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe botës.

 

Së fundmi, Seuli është vetëm 1000 km larg Pekinit, një fuqi kontinentale që është e detyruar të vërejë çfarë ndodh afër kufijve të saj. Studiuesit e çështjeve të sigurisë në Kinë paralajmëruan se marrëveshje të tilla do të krijonin vetëm komplikacione dhe do të intensifikonin më tej krizën në Gadishullin Korean duke thyer një ekuilibër të ndërlikuar dhe delikat në rajon, i cili mund të çojë në pasoja katastrofike që Seuli nuk mund t'i përballojë. Nëse ekuilibri i forcës në Gadishullin Korean do të prishet, gjë që do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një garë të ashpër armatimesh në gadishull e më tej.

 

Dr. Marsela Musabelliu