Kina nxit investimet e huaja, SHBA në krizë besimi dhe identiteti
2023-05-01 17:49:06

Mediat amerikane ditët e fundit kanë informuar se administrata Biden do të vendosë kufizime të pa parashikuara më parë mbi investimet amerikane në Kinë. Kina është tashmë ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe kjo manovër sipas media amerikane bëhet “për të frenuar rritjen teknologjiko-ushtarake të Kinës, manovër që do të godasë shumë rëndë ekonominë botërore, e cila në fakt, për shkak të krizës së viteve 2008 – 2012,  pandemisë Covid – 19 dhe Luftës Ruso-Ukrainase, është përkeqësuar në vazhdimësi në rreth 10 – 15 vitet e fundit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Frenimi i investimeve për firmat amerikane në Kinë vjen si një iniciativë e Uashingtonit, që në fakt dëmton më së shumti firmat individuale amerikane dhe zinxhirët e furnizimit të industrive në shkallë globale.

Synimi për kufizimin e rritjes teknologjike dhe ushtarake të Kinës mendohet të arrihet duke vendosur rregulla të paprecedentë, për të kufizuar investimet e SHBA në Kinë dhe t’i japë mundësi Uashingtonit për të kontrolluar sektorin teknologjik të Kinës.

Duket se interesat ekonomike të firmave amerikane që operojnë në Kinë dhe të atyre subjekteve që do të donin të operonin në këtë vend tashmë janë në pikëpyetje. Pas periudhës së pandemisë Covid – 19, u duk sikur një numër firmash amerikane u riorientuan për investime jashtë SHBA-së, dhe këtu në konsideratë ishte edhe opsioni për investime dhe realizim operacionesh ekonomike dhe financiare edhe në Kinë, si një opsion prioritar. Kjo pasi Kina është një nga ekonomitë me produktivitetin më të lartë në botë dhe një ekonomi që arriti të mbante në këmbë zinxhirin e furnizimit me produkte dhe shërbime në shkallë globale. Në periudhën afatshkurtër, një masë e tillë vetëm se do dëmtonte interesat e firmave individuale amerikane, që operojnë dhe që duan të operojnë jashtë shtetit, përfshirë këtu dhe Kinën. Në periudhën afatmesme, hapësira që mbetet bosh nga largimi i operatorëve ekonomikë amerikanë nga territori i Kinës do zëvendësohet nga operatorë të tjerë biznesi dhe investimesh që mezi presin dobësimin e  konkurrencës për të hyrë në këtë treg marramendës aziatik. Në periudhën afatgjatë, humbësi i vetëm do jetë SHBA, që me politikën e shkëputjes dhe atë të proteksionizmit, do dëmtojë vetvehten.

Foto:VCG

Foto:VCG

Administrata Biden ka filluar që të informojë grupet e interesit në lidhje me këtë vendim dhe rregullat përkatëse pritet që të bëhen publike këto ditë. Mendohet se ky urdhër i paprecedent, kërkon që operatorët amerikanë të biznesit të njoftojnë qeverinë amerikane për investimet e reja që ata do kryejnë në kompanitë kineze të teknologjisë dhe të ndalohet bashkëpunimi midis firmave amerikane dhe atyre kineze në fushën e prodhimit të mikroçipëve, etj.

Këto zhvillime janë në vazhdën e rregullave të vitit të kaluar të lançuara nga ana e Byrosë së Industrisë dhe Sigurisë e Departamentit të Tregtisë së SHBA-së, që në tetor 2022 njoftoi kufizimin e çipave të prodhuar nga teknologji amerikane e cila eksportohej në Kinë. Por, nuk mjafton me kaq. Administrata e Biden po detyron gjithashtu vendet e tjera të kontribuojnë në qëllimin e saj për të ulur aftësinë e Kinës për të prodhuar çipa të avancuar.

Sipas ekspertëve, “SHBA po aplikon mentalitetin e Luftës së Ftohtë, duke synuar frenimin e rritjes së aftësive të ekonomisë kineze në aspektin e përdorimit të teknologjive të nivelit të lartë në realizmin e produkteve sensitive, për të cilat ka kërkesë shumë të lartë dhe në rritje në tregjet ndërkombëtare, gjë që SHBA po e bën pa ndonjë mbështetje në logjikën e tregut dhe pa ndonjë mbështetje në rregullat ekonomike”.

Në vitet e fundit, pas shmangies me sukses të pandemisë në territorin e Kinës, ka një dyndje deri në dyfishim të kompanive amerikane dhe për këto kompani ndikimi i këtyre ndërhyrjeve qeveritare nuk do ketë ndonjë efekt të madh, por ato kompani që preken janë ato që operojnë në fushën e teknologjisë në investime.

Ekspertët theksojnë se një dëm të dukshëm do ketë për kompanitë amerikane që sapo kanë hyrë në tregun kinez, pasi janë pikërisht këto kompani që e kanë parë tregun kinez si një mundësi e mirë për të vënë në jetë idetë e tyre inovative, për shkak të kostove të ulëta dhe kushteve në përmirësim të vazhdueshëm të bërjes së biznesit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Gjithashtu ka një mendim të konsoliduar në komunitetin e specialistëve se “lëvizja e shkëputjes, e nisur nga SHBA, shtrembëron tregjet dhe efikasitetin dhe në fund të fundit do kthehet në një disavantazh të madh për vendin, duke shtuar kostot e kompanive dhe të klientëve të këtyre kompanive, duke dëmtuar dhe shkatërruar edhe zinxhirët globalë të industrive”.

Si kundërpeshë ndaj këtyre pikëpamjeve, nënsekretari i Thesarit për çështjet ndërkombëtare i SHBA-ve, Jay Shambaugh, në një intervistë të datës 10 prill 2023, dhënë për Bloomberg, tha se “SHBA nuk po kërkon të shkëputë ekonominë e saj nga ajo e Kinës ose të kufizojë rritjen e vendit, gjë që nuk është as praktike dhe as në interesin e SHBA-së”.

Këto zhvillime vijnë pikërisht në momentin kur ekonomia kineze po përgatitet për një hapje të madhe postpandemike, në kuadër të politikës së hapjes së vendit ndaj faktorit ndërkombëtar dhe investimeve të huaja, një iniciativë e duartrokitur kjo më parë edhe nga vetë drejtuesit e nivelit të lartë të SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore.

Konkretisht, mundësitë e pafundme që ofron tregu kinez kanë bërë që kompani të tilla si prodhuesi amerikan i makinave Tesla, gjiganti i çipeve Intel, etj, të zbulojnë mundësi të reja biznesi dhe të hartojnë plane biznesi ambicioze për investime në Kinë, dhe këta shembuj shërbejnë edhe si modele besimi për kompani të tjera amerikane dhe të huaja nga vende të tjera të botës.

Tesla ka deklaruar se do të ndërtojë një Megafabrikë në Shangai për të prodhuar ruajtës të energjisë Megapack. Fillimet e punimeve datojnë tremujorin e tretë të vitit dhe prodhimi do të fillojë në tremujorin e dytë të vitit 2024. Intel me një ceremoni solemne, në fillim të prillit, deklaroi hapjen e një zyre në Sanya, provinca Hainan, Kina Jugore, për biznesin e saj të qarqeve të integruar. Kjo njësi do të kryejë tregti ndërkombëtare, shërbime teknologjike dhe aktivitete investimi në kapital, duke synuar krijimin e një entiteti të ri biznesi si dhe selinë e biznesit të Intel Capital në Kinë.

Sipas Librit të Bardhë 2023 mbi Mjedisin e Biznesit në Kinë, botuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinën Jugore më 27 shkurt, më shumë se 90 për qind e kompanive pjesëmarrëse zgjodhën Kinën si një nga destinacionet më të rëndësishme të investimeve dhe 75 për qind e kompanive deklaruan se planifikonin që gjatë vitit 2023 të riinvestonin në Kinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, në një deklaratë për shtyp, në mars 2023, tha: “Bashkëpunimi i tregtisë dhe investimeve Kinë-SHBA është reciprokisht i dobishëm dhe fitues. Shkëputja dhe thyerja e zinxhirit do të dëmtojë të tjerët dhe veten tonë. Është e papëlqyeshme dhe e parealizueshme. Kompanitë e financuara nga jashtë, përfshirë kompanitë amerikane, mbeten optimiste për tregun kinez dhe planifikojnë të zgjerojnë biznesin e tyre. Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, vendosmëria e Kinës për të zgjeruar hapjen e nivelit të lartë dhe për të ndarë mundësitë e zhvillimit me botën nuk do të ndryshojë. Ne mirëpresim kompanitë nga e gjithë bota, përfshirë kompanitë amerikane, për të hyrë në tregun kinez, të ndajnë dividentët e zhvillimit dhe së bashku të promovojmë rritjen ekonomike botërore”.

Duke parë dy anët e medaljes, duket se Kina është e vendosur në rrugën e hapjes së vendit dhe të nxitjes së investimeve të huaja, mallrave dhe kapitalit ndërkombëtar, ndërsa në SHBA ka ende një krizë besimi dhe identiteti, në një kohë që trumbetohet si vendi i lirisë dhe i ekonomisë së tregut.