Kinë, bum udhëtimesh dhe turizmi me fillimin e pushimeve 5-ditore të Ditës së Punëtorëve
2023-05-01 12:03:47

Foto nga VCG

Ndërsa në Kinë kanë nisur pushimet e para të gjata pas atyre shtatëditore të Festës së Pranverës në janar, udhëtimet dhe turizmi po shohin një bum.

Numri i udhëtimeve individuale në hekurudhat e vendit arriti në 19.66 milionë të shtunën, në ditën e parë të pushimeve pesëditore të Ditës së Punëtorëve, njoftoi të dielën Grupi Shtetëror i Hekurudhave i Kinës. Kjo ishte një shifër rekord, bëri të ditur grupi.

Parashikohet se rreth 120 milionë udhëtime të brendshme pritet të kryhen me hekurudhat kineze nga 27 prilli deri më 4 maj.

Ministria e Transporteve parashikon që numri i përgjithshëm i udhëtimeve individuale ditën e parë të festës do të jetë 56.99 milionë, duke u rritur 151.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Udhëtimet rrugore do të rriten 98.8 për qind, duke arritur në 34.5 milionë; udhëtimet ajrore me 441.8 për qind, në 2.04 milionë, ndërsa udhëtimet me anije do të shtohen me 86.2 për qind, ose 950 000.

Kërkesa në rritje për udhëtime ka sjellë lulëzimin e sektorit të turizmit. Akademia e Turizmit e Kinës deklaroi se rreth 240 milionë udhëtime turistike priten gjatë stinës së pushimeve, në të njëjtin nivel me vitin 2019, përpara pandemisë së COVID-19. Po ashtu, më shumë se 120 miliardë juanë (17.4 miliardë dollarë) të ardhura parashikohet të sigurohen nga turizmi. (Çang Çuo)