Foto nga VCG
Spanja kontinentale dhe Portugalia kanë thyer rekordet e temperaturës për muajin prill, pasi të dy vendet po përjetojnë një valë të nxehti jashtëzakonisht të hershme që ka rritur rrezikun e zjarreve.
Termometri arriti të enjten 38.8 gradë Celsius në aeroportin në qytetin jugor të Spanjës të Kordobës, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 38.6 gradë Celsius në qytetin lindor të Elche, bëri të ditur zyra kombëtare e motit “AEMET”, citon “CGTN”.
Temperatura më e lartë për të gjithë Spanjën në muajin prill, megjithatë, u regjistrua në vitin 2013 në Ishujt Kanarie në brigjet veriperëndimore të Afrikës, kur termometri shënoi 40.2 gradë Celsius.
Në Portugalinë fqinje, temperaturat në qytetin qendror Mora arritën 36.9 gradë Celsius të enjten, duke tejkaluar rekordin prej 36 gradë Celsius të vendosur në prill 1945 në qytetin verilindor të Pinhão, sipas agjencisë së motit “IPMA”.
Ndërsa temperaturat filluan të ulen në Portugali të premten, vapa përvëluese vazhdoi në pjesën më të madhe të Spanjës me merkurin që arriti në 36 gradë Celsius në Kordoba.
Vala jashtëzakonisht e hershme e të nxehtit është nxitur nga një masë ajri shumë e nxehtë dhe e thatë që vjen nga Afrika, shoqëruar me një sistem moti që lëviz ngadalë. Një sistem moti me presion të lartë plus qielli i pastër mbi Gadishullin Iberik po lejojnë më shumë rrezet e diellit të arrijnë në tokë, e cila tashmë është aq e thatë sa nuk mund të avullojë nxehtësinë.
Temperaturat përvëluese kanë nxitur paralajmërime për rrezikun e lartë të zjarreve dhe përkeqësimin e kushteve të thatësirës, të cilat tashmë kanë bërë që disa fermerë në Spanjë mos të mbjellin fare këtë vit.
Flakët kanë shkatërruar rreth 54.000 hektarë tokë deri më tani këtë vit në Spanjë, krahasuar me pak më shumë se 17.000 hektarë në të njëjtën kohë në vitin 2022, sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje.
Vitin e kaluar, Spanja përjetoi vitin e saj më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve, me shifrat e OKB-së që sugjerojnë se gati 75 për qind e tokës së saj është e ndjeshme ndaj shkretëtirëzimit për shkak të ndryshimeve klimaterike.
Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës i nxitur nga aktiviteti njerëzor po rrit intensitetin dhe shpeshtësinë e ngjarjeve ekstreme të motit, si valët e të nxehtit, thatësirat dhe zjarret. (Fatosi)