Koreja e Jugut vetëcënon sovranitetin e saj
2023-05-01 17:06:31

Vizita e Presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në SHBA javën e fundit të muajit Prill 2023, do kishte kaluar pa patur ndonjë mbulim të rëndësishëm në mediat ndërkombëtare, nëse Yoon do ishte përmbajtur më shumë në deklaratat e tij gjatë takimeve dhe bisedimeve me zyrtarët e lartë të SHBA, përfshirë edhe takimin me Presidentin Joe Biden.

Në këtë vizitë, organizuar edhe me rastin e 70 vjetorit të aleancës midis dy vendeve, u diskutuan çështje sensitive, që prekin interesa edhe më të mëdha se interesat e Koresë së Jugut dhe të SHBA në rajonin e Azisë Lindore dhe më gjerë.

Foto:VCG

Banorët në Seul protestojnë fjalëve të presidentit Yoon Suk-yeol gjatë vizitës në ShBA(Foto:VCG)

Diskutimi i çështjeve të tilla si partneritetet e Koresë së Veriut për të ndërtuar zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit për çipat, bateritë dhe fusha të tjera të teknologjisë së lartë me vendet e tjera të rajonit, vetëcënimi i sovranitetit të Koresë së Jugut duke i lënë hapësirë për mbrojtje bërthamore SHBA-ve, etj., ndezën përsëri tensionet midis vendeve të rajonit të Azisë Lindore dhe të vendeve të tjera të përfshira në interesa të përbashkëta në këtë rajon.

Yoon, që ka rreth një vit që mori detyrën e presidentit të vendit, duket haptazi që ka qasje krejt të ndryshme nga presidenti i mëparshëm, që promovoi negociatat me Korenë e Veriut, me synimin e përmirësimit të klimës midis dy Koreve, ndërkohë që Koreja e Veriut testoi po ditët e vizitës së Yoon në SHBA,  raketën e saj të parë balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë.

Përpos kësaj, Yoon dhe Biden morën në shqyrtim edhe mbështetjen dhe ndihmën për Ukrainën, për ta ndihmuar atë të luftojë forcat ruse. Kjo pasi Koreja e Jugut është një vend prodhues i madh i municioneve për artilerinë. Duket se mbështetja e drejtpërdrejtë e Amerikës për Ukrainën ka hasur në ngërç jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për shkak të përshkallëzimit të konfliktit dhe tensioneve midis SHBA dhe Rusisë, kështu që Biden është duke kërkuar mbështetje nga vende të tjera për këtë çështje, ndërkohë që Yoon në fund vendosi që të fokusohet vetëm në ndihmën humanitare dhe financiare për Ukrainën, që deri tani ka arritur vlerën rreth 230 milionë dollarë, duke deklaruar se “qeveria e tij mund të mos ngulmojë vetëm në mbështetje humanitare ose financiare, në rast të një sulmi në shkallë të gjerë ndaj civilëve, ose ndaj një situate që komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’a pranonte”. Sipas Yoon, “pushtimi rus ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe e të drejtave të ukrainasve”.

Nga ana e tij Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë, u zotua t’i japin Koresë së Jugut më shumë njohuri për planifikimin e saj bërthamor për çdo konflikt me Korenë e Veriut, dhe mesa duket euforizmi i Yoon pas kësaj arriti deri aty sa të deklaronte se (1) “Aleanca jonë u krijua 70 vite më parë për të mbrojtur lirinë e Koresë. Ajo është shndërruar tashmë në një aleancë globale që mbron lirinë dhe paqen në mbarë botën”, (2) “duhet një bashkëpunim tre palësh Kore e Jugut – SHBA – Japoni në fushën e sigurisë, për t’ju përgjigjur një kërcënimi bërthamor në rritje të Koresë së Veriut”, dhe (3) “Koreja dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqitë më të mëdha të teknologjisë në botë, që udhëheqin inovacionin dhe imagjinatën, që së bashku krijojnë një simbiozë më të fuqishme”, deklarata disi groteske këto kur bëhet fjalë për një shtet vetëm me një sipërfaqe rreth 100.000 km² dhe me një popullsi rreth 50 milionë banorë.

Presidenti jugkorean këndon për homologun amerikan(Foto:VCG)

Presidenti jugkorean këndon për homologun amerikan(Foto:VCG)

Duket se hapësira transnacionale po rrezikon humbje të besimit dhe mirëkuptimit dhe shtim të tensioneve të panevojshme, pikërisht nga deklarata të tilla të nxituara dhe të artikuluara pa kujdes dhe që bien ndesh edhe me Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore dhe edhe me interesat strategjike të vendeve të tjera në rajon dhe më gjerë në kontinentin aziatik, duke minuar kështu edhe atë paqe të brishtë të vendosur me shumë mund dhe angazhim në gadishullin e Koresë edhe me përfshirjen dhe kontributin e Kinës, Australisë, etj.

Biden u justifikua duke u referuar te marrëveshja e vitit 1953, nënshkruar në fund të Luftës Koreane, sipas së cilës Uashingtoni angazhohej ta ndihmonte Korenë e Jugut në vetëmbrojtje, në veçanti nga Koreja e Veriut dhe te Deklarata e vitit 2022 për Rishikimin e Gatishmërisë Bërthamore, sipas së cilës “Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen sulmeve ndaj aleatëve dhe partnerëve në mbarë spektrin e skenarëve të mundshëm bërthamorë dhe jo-bërthamorë”.

Analistë të shumtë janë shprehur se Yoon e “ka humbur ekuilibrin” dhe ende nuk e kupton se nga deklarata dhe veprime të tilla është e dukshme se përfitimet do jenë shumë më të vogla se sa humbjet kolaterale dhe jo kolaterale.

Shumë ekspertë të fushave të ndryshme janë shprehur se këto veprime dhe deklarata mund të konsiderohen edhe si provokime ndaj Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut, që mund të agravojnë edhe në kundërveprime për të cilat askush nuk është i gatshëm ti përballojë, pasi rindezja e krizave të natyrave ekonomike, ushtarake, fetare, territoriale, etj, në rajon do ishte një katastrofë tjetër në kurriz të kombeve dhe popujve.

Opozita koreanojugore deklaroi se “performanca e Yoon në takimin e tij me Biden përfundoi në një situatë poshtëruese të përhapjes bujare të diplomacisë globale “hogang” (një fjalë koreane që i referohet një klienti që është e lehtë të mashtrohet) dhe gjithashtu kritikoi Yoon për pozicionet e tij të pahijshme mbi krizën e Ukrainës dhe çështjen e Tajvanit.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë me këtë rast deklaroi se “kjo kthesë e ngjarjeve është qartësisht me natyrë destabilizuese dhe do të ketë pasoja serioze negative për sigurinë rajonale dhe stabilitetin global”, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “çdo vendim i Koresë së Jugut për të furnizuar Ukrainën me armë do ta bënte Seulin një pjesëmarrës në konflikt”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning, duke treguar vetëpërmbajten tipike të politikës së jashtme kineze, që e kërkon edhe vetë situata e nderë, por duke treguar edhe vendosmërinë e përshtatshme në këto raste, tha se “SHBA vendos interesat e veta gjeopolitike përpara sigurisë së të gjithë rajonit. SHBA kanë qenë një burim tensioni duke shfrytëzuar çështjet në Gadishullin Korean. Sjellja e SHBA është rezultat i mentalitetit të saj të Luftës së Ftohtë, nxit konfrontimin, minon sistemin e mospërhapjes bërthamore dhe dëmton interesat e vendeve të tjera, duke rritur tensionet në gadishull dhe duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin rajonal. Kjo është krejt e kundërta e qëllimit për denuklearizimin e gadishullit dhe ne jemi të vendosur kundër kësaj”.

Japonia nga ana e saj i ka parë shumë ftohtë këto zhvillime, pasi prej më shumë se 10 vitesh marrëdhëniet me Korenë e Jugut kanë qenë ngurtësuar për shkak të paqëndrueshmërisë së deklaratave të drejtuesve të Koresë së Jugut në lidhje me marrëdhëniet midis vendeve të rajonit dhe për disa çështje të tjera dypalëshe, përfshirë edhe çështjen e shfrytëzimit të forcave të punës koreanojugore në fabrikat japoneze të armëve përpara viteve 1945, por një darkë e shtruar në Tokio, në mars 2023, në të cilën kryeministri Japonez Kishida, i serviri Yoon-it pjatën e tij të preferuar omëletë orizi, shërbeu për fillimin e shkrirjes së akujve.  

Meqenëse Koreja e Jugut është zonë e interesave të Kinës, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, administrata e mëparshme e Moon Jae-in tregonte shumë kujdes për të mos arritur përafrim më të madh me njërën nga palët, duke adoptuar një qasje kooperuese me të tërë partnerët. Yoon përkundrazi, me papërgjegjshmërinë e retorikës së tij, me përfshirjen në mënyrë të pakujdesshme në çështjen e armëve bërthamore, dhe me konsumin e paplanifikuar mirë të omeletave me oriz, i ka sjellë dëme të mëdha interesave kombëtare të vendit të vet, por kjo nuk është e pariparueshme dhe marrëdhëniet me Kinën, Rusinë dhe Japoninë mund të përmirësohen ende nëse ai ka vullnet dhe kjo është ajo që duhet të ndodhë.