
foto/VCG
Termocentrali i parë bërthamor i Turqisë, “Akkuyu”, mori zyrtarisht statusin e objektit bërthamor me ngarkimin e karburantit të parë bërthamor në uzinë. Presidenti Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalimit të tij përmes videos në ceremoni, tha se Turqia është ngritur në ligën e vendeve me energji bërthamore në botë, megjithëse pas një vonese 60-vjeçare, raporton “Anadolu Agency”, citon “RTSH”.
“Me ngarkimin e karburanteve bërthamore nga ajri dhe deti në termocentralin tonë, “Akkuyu” tani ka fituar statusin e një centrali bërthamor”, - tha Erdogan.
Një marrëveshje ndërqeveritare për uzinën në provincën jugore të Mersinit u nënshkrua midis Turqisë dhe Rusisë në maj 2010.
Ceremonia e nisjes së uzinës u mbajt më 3 prill 2018, pas së cilës filloi ndërtimi i njësisë së parë.

foto/VCG
“Ashtu si shumë projekte të rëndësishme, “Akkuyu” u zbatua me një model financimi që nuk rëndon buxhetin tonë kombëtar. “Akkuyu” është investimi ynë më i madh i përbashkët me Rusinë”, - tha Erdogan.
Ai shtoi se projekti, i cili do të kontribuojë në uljen e importeve të gazit natyror të Turqisë me 1,5 miliardë dollarë në vit, do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e të ardhurave kombëtare.

foto/VCG
Presidenti turk tha se centrali bërthamor do të jetë plotësisht funksional deri në vitin 2028, duke furnizuar 10 për qind të konsumit të energjisë elektrike të Turqisë.
Centrali, që pritet të ketë një kapacitet të instaluar prej 4.800 megavatë dhe katër reaktorë, do të fillojë të prodhojë energji më vonë këtë vit. (Irma)
