Shehu: Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë në tregun valutor
2023-04-30 11:11:57

foto/RTSH

foto/RTSH

Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë në tregun valutor nëse nuk ka një çekuilibrim, deklaroi për “RTSH” drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, Klodion Shehu.

Sipas tij, mbivlerësimi i lekut ka ardhur si rrjedhojë e flukseve hyrëse të monedhës që ka qenë në rritje ndikuar dhe nga rritja e turizmit, investimeve të huaja direkte, por dhe nga rritja e remitancave.

Ai theksoi se edhe pse grupet e interesit dhe shoqata të sektorëve të ndryshëm janë bërë bashkë për t’i kërkuar bankës dhe Ministrisë së Ekonomisë që të marrin masa për rënien e euros, banka nuk mund të ndërhyjë deri në momentin që të shikohet një çekuilibrim i tregut valuator.

Ekonomia shqiptare në tremujorin e fundit të vitit 2022 ka pasur një rritje prej 4.7%, sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë.

Ndikim pozitiv në këtë rritje ka pasur edhe rritja e pagave dhe ulja e papunësisë.

Duke u ndalur te kreditimi, sipas bankës vijon të mbetet e mirë edhe pse janë vërejtur ulje të kërkesës për kreditim të cilat vijnë nga rritja e normave të interesit.

Një tjetër pikë e marrë në analizë nga banka, është edhe tregu i pasurive të paluajtshme i cili cilësohen si treg që jep sinjale mikse, kjo pasi kërkesa për blerje ka rënë e ndërlidhur edhe me uljen e kërkesës për kreditim, po ashtu janë rritur edhe kostot e ndërtimit. (Irma)