Në kujtim të këngëtarit Evans Rama
2023-04-30 09:07:25

Evans Rama e ka dashur muzikën që kur ishte fëmijë, kur ndiqte  festivalet nga ekrani, duke dirigjuar. Kjo u vu re nga gjyshi i tij, i cili duke parë talentin e nipit e regjistroi që në klasë të parë në shkollën e muzikës, ku ndoqi studimet për violinë. Ndonëse është angazhuar në aktivitete të ndryshme kulturore me shkollën, zemra e tij rrihte fort për muzikën rrok dhe instrumentin e kitarës. Më pas Evansi u largua drejt Italisë për një jetë më të mirë, duke u kthyer herë pas here dhe duke u shoqëruar me djemtë e grupit “X” dhe “Thunder Way”, gjë e cila i jepte shumë kënaqësi. Evansi ka qenë një ndihmesë për miqtë e tij të rrokut në ato fillime, duke i sjellë instrumenta nga Italia, por edhe veshje të stilit rrok me të cilat ata interpretonin në skena. Ëndrra e tij në atë kohë në moshën 19 vjeçare, ishte që të merrte pjesë në festival,  por për shkak të impenjimeve me punën në Itali, nuk arriti që të angazhohej në atë moshë. Do të kalonin disa vite dhe Evansi u rikthye në atdhe, ku mori pjesë në disa festivale në vend  si Top-Fest, Mikrofoni i Artë, si dhe disa pjesëmarrje në Festivalin e Këngës në Rtsh.  Ai ka qenë disa herë pjesë e festivaleve të muzikës shqiptare, tejet i veçantë me vokalin e një baritoni rroku të forte.

Në një intervistë për Radio Tiranën në vitin 2016 Evans Rama ka rrëfyer për jetën e tij artistike.

Si nisi karriera artistike e këngëtarit Evans Rama?

Evans Rama: Unë e kam pasur shumë qejf muzikën.  Qysh i vogël, shihja festivalet dhe bëja sikur dirigjoja. Kjo gjë i ra në sy gjyshit tim, i cili më regjistroi në shkollën “Kongresi i Përmetit”, ku fillova studimet që në klasën e parë. Në vitin 1979 fillova klasën e parë dhe deri në vitin 1987 studiova 8 vite violinë, më pas konkurova për në liceun Artistik ku edhe pse dola i dyti në konkurim nuk arrita të hyja në shkollën e mesme të Liceut. Për mua  ishte një zhgënjim total dhe  aty pashë që bota e artit ishte e vështirë. Pas këtij zhgënjimi, nisa shkollën e mesme të përgjithshme “Myslym Keta,” dhe më pas vijova me Teknologji ushqimore dhe më pas e gjeta veten në emigrim në Itali.

Cilat kanë qenë aktivitetet artistike ke ndjekur në atë kohë?

Evans Rama: Pësova një rënie në violinë se mësuesja ime mori lejen e lindjes dhe në të njëjtën kohë unë hyra në orkestër në një aktivitet për 40 vjetorin e çlirimit të artdheut, ku dirigjent kishim maestro Zhani Cikon. Ka qenë viti 1984 dhe ky ishte një emocion shumë i madh, pasi aty ka qenë dalja ime e parë në skenë dhe në televizion. Në këtë kohë duke u angazhuar edhe këtu, i lash mbrapa mësimet.

Ishte instrumenti yt i preferuar violina?

Evans Rama: Me thënë të drejtën violina jo. Mendoj se na është djegur fëmijëria me 4-8 orë studime. Do doja të kisha botën time dhe lirinë time pa u imponuar. Në atë  moshë unë kisha qejf kitarën, por në shkollë nuk kishte për kitarë. Siç kishim sekondare  pianon, kur studionim violinë, studionim dhe piano, ndërsa kitarë jo.  

Cili ishte idhull yt në atë kohë?

Evans Rama: Ne kishim  të preferuar në atë kohë Tedi Papavramin dhe i kishim të gjitha fotografitë e tij. Shpesh na thonin, duhet të bëhesh si ai që të udhëtosh edhe jashtë shtetit. Janë disa gjëra që sot kur i mendoj më vjen të qesh, sepse motivi që të shtynin për të studiuar më duket shumë banal sot, por që atëherë nuk mund ta arrije dot.  Unë në adoleshencën time emigrova drejt Italisë. Në atë kohë kishte dale në festival grupi “Albatros”, të cilët publikuan këngën “Në këtë natë”, ishin Gjergj Jorgaqi, Bruno Qerimi, Land Fusha etj. Në atë kohë jam njohur me Elton Dedën, Aleksandër Gjokën, Adhurim Demirin, etj. Kjo gjë më jepte shumë gëzim në shpirt, ishte kënaqësi të ndaja kohën me ta. Po në të njëjtën kohë jam njohur dhe me tekstshkruesin e ndjerë Alqi Boshnjakun, i cili kur më dëgjoi duke kënduar tha “Sa zë të bukur që ke!”.

Unë e kisha ëndërr të merrja pjesë në festival, por në atë kohë kisha shumë punë në Itali dhe  nuk kisha kohë që të përgatitesha për festivalin, por kthehesha herë pas herë dhe isha pjesë e pandarë e grupeve. Më pas u krijua grupi  “X” dhe “Thunder Way” dhe unë isha pjesë e pandarë e grupit “Thunder Way” sepse sillja tastierën dhe veshjet që dilnin në festival djemtë në vitin 1992. Kjo gjë ma mbushte shpirtin  me gëzim. Më pas ardhja e  Albanos dhe Rominës ishte një gjë e madhe, ishte sikur të vinte Michael Jackson.

I ke takuar personalisht?

Evans Rama: Albanon e kam takuar në Itali në vreshtat e tij ku kam edhe një foto me shishen e verës nga kantina e tij dhe atë e ruaj si një kujtim të bukur.

Në vitin 2006 ti prezantove këngën “U ktheva”, ishte një këngë që i dedikohej rikthimit tënd në Shqipëri?

Evans Rama: “U ktheva” ishte një këngë që ia dedikova vetes, u ktheva dhe s’kisha më ndërmend që të ikja, pra ishte dedikim për veten.

Viti 2006 në të vërtetë ishte  periudha e artë e jetës tënde artistike, ishte viti kur ti ke pasur pjesëmarrje në të gjitha festivalet që mbaheshin në vend, Kënga Magjike, Mikrofoni i Artë dhe Festivali i Këngës në Rtsh.

Evans Rama: Ka qenë një nga periudhat më të mira sa i takon punës time artistike dhe e suksesshme. Dalja ime te “Kënga Magjike” ishte dy ditë para ditës së dasmës. Dasma tek familja e bashkëshortes kishte nisur, unë këndova në fillim që të përfundoja konkurimin e shkova direkt në dasmë, dy gëzime në një ditë. Ishte një luftë me kohën, pas konkurimit ika menjëherë në shtëpi, vesha kostumin dhe kollaren ma vendosi daja im, më pas u nisa drejt Elbasanit.

Më shumë emocione në Elbasan në dasmë, apo në festival?

Evans Rama: Në dasmë kisha më tepër emocione.

Me pjesëmarrjen tënde në festivalin e 45-të të këngës në Rtsh, ti mbylle me sukses vitin 2006.

Evans Rama: Pjesëmarrja ime në festival ishte me dy konkurime. Isha në mbrëmjen gala të të rinjve me 20 këngëtarë të rinj, ku vetëm dy prej tyre do merrnin pjesë në Festival me këngëtarët “Big”. Nga aty dola unë dhe këngëtarja e famshmja Hersiana Matmuja.  Ka qenë fatsjellja ime, ose dhe unë fatsjellësi i saj, se sa herë kemi qenë në festival të dy kemi dalë shumë mirë. Unë i uroj asaj një karrierë shumë të suksesshme.

Ti ke pasur shkëputje herë pas here nga skena e festivaleve. Nuk e ke parë muzikën si profesion, por vetëm si pasion. Përse?

Evans Rama: Unë gjithmonë muzikën e kam pasur pasion, por duke parë ecurinë e artit, aq më tepër muzika që unë bëj nuk mund të ketë përfitim, por  edhe për të qëndruar pranë publikut. Ndërsa profesioni im dhe puna e përditshme është  menaxhimi, ku punoj si shef marketingu. Kam një punë mjaft të ngjeshur dhe në lëvizje.

Unë jam në dijeni që ti ke një album muzikor i cili nuk ka dalë ende në treg?

Evans Rama: Është bërë një album, por kam qenë në dilemë për titullin, më pas mendova të jetë  “Një gram lumturi”, një këngë që unë ja kam dedikuar një mikut tim, i cili ishte në luftë me veten dhe me drogën.

Përse nuk u publikua ky album?

Evans Rama: Nuk dua të publikoj diçka dhe të humbi, dua që ta nxjerr një moment më të mirë dhe për qejfin tim.

Na trego për familjen tënde.

Evans Rama: Jam i martuar dhe kam një djalë që quhet Erenis, që mua mbush ditën dhe zemrën. Do doja dhe me shumë qejf e kam një vajzë,  më duhet shumë, e ndjej. Por çfarë të më japë Zoti.

Ti i ke kushtuar një këngë djalit “Ti dhe vetëm ti”. Do jetë pjesë e albumit?

Evans Rama: Patjetër që po . Është një këngë që e kam realizuar kur ai ishte 1 vjeç, bashkë me Gramoz Kozelin.

Prezantuesi Adi Pojana dhe poetja Helena Halilaj, pas ndarjes nga jeta të artistit Evans Rama ndajnë kujtimet për të në një intervistë për Radio Ejani

Adi Pojana: Evansi ishte një njeri me virtyte shumë të mëdha, që ishte zemra e tij e madhe. Kishim një shok që kur ai ishte me ne, kishim gjithçka, jo vetëm në aspektin financiar, por ai ishte edhe shpërndarës i moralit midis miqve. Ishte një djalë çapkën dhe kur iku në Itali për një jetë më të mire, ai rregulloi jetën e vet. Kur u njoh me djemtë e grupit “Thunder Way” ai u kthye në një suport për ta, duke sjellë pako me stampime me emrin e grupit, por edhe grupeve të rrokut AC/DC, etj. Ai ishte një rroker në shpirt, por e mundonte fakti që nuk ishte këngëtar edhe pse kishte njohuri për muzikën, se kishte studiuar për violinë. Këtë emocion donte ta ndante si mik i një grupit që ishte shumë i njohur në atë kohë dhe ishin shokët tanë të përbashkët. Evansi i shoqëronte me makinë në vitet ‘94-’95. Të gjithë djemtë që kanë bërë rrok në atë kohë kanë qenë shokët e Evansit, duke filluar me Elton Dedën, Land Fusha- bateristi, etj. Duhet të bëhem i fortë e të ndaj dy mendime për Evansin, sepse ai nuk është më në këtë jetë. Na vjen shumë keq që ai iku nga kjo jetë kaq i ri. Familja ka ngarkesën më të madhe. Do ta kujtojmë gjithmonë, por jeta e tillë është. Aty ku ndodhet Evansi, do ta shoqërojë muzika rrok edhe në botën tjetër. Nuk e besoj ende se ai është ndarë nda jeta, për atë natyrë që kishte ai, aq adrenalinë që shpërndante  tek miqtë dhe për veten. Ka lënë një kujtim të mirë si për mua dhe për shoqërinë.

Helena Halilaj autore e këngës “Flakë” në Fest e 54-t të Këngës në RTSH, ndan kujtimet e saj për artistin e ndjerë në mikrofonin e Radio Ejani

Helena Halilaj: Unë kam bashkëpunuar përpara disa vitesh me Evansin për  këngën me titull “Flakë” dhe duhet të gjenim përshtatshmëri me ritmin që kishte kënga,  duhet të transmetonim gjendjen emocionale dhe ritmin. Mbaj mend impenjimin e tij për ta transmetuar sa më mirë këtë këngë. Ka qenë një nga eksperiencat më të mira të miat dhe jam e bindur edhe për Genti Lakon kompozitorin e këngës, por edhe Evansin e ndjerë tashmë. Kur e mora vesh lajmin e hidhur , sjell ndërment kujtimet me vlerë dhe ndjehesh mirë që kam kontribuar në disa gjëra të cilat mbeten në memorien e publikut.

Mbaj mend entuziazmin e tij, sigurinë për ta mbërthyer skenën, sigurinë për të shkuar në mënyrë të menjëhershme, të vrullshme tek publiku, ashtu siç kishte ai zërin. Kjo e bën më të veçantë raportin e kujtimeve me të, për të gjithë ata persona të cilët e kanë njohur. Ai ishte një person i përkushtuar, i kujdesshëm, me shumë energji, të cilat i transmetonte tek të gjithë. Ai fliste gjithnjë për plane afatgjatë, që kishin një bazë të jashtëzakonshme, që ishin arti, vlera dhe vëmendja që kishte ai për t’i bërë gjërat në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam parë pasionin tek ai, miqtë e tij tregonin shumë  dashurinë, përkushtimin dhe pasionin e jashtëzakonshëm për muzikën që ai bënte dhe për ta çuar më tej, që ishte shumë i veçantë. Po ta dëgjosh këngën ka një lloj energjie dhe mbushje me pozitivitet dhe ndjeshmëri që të ngre peshë.  Për mua ishte privilegj bashkëpunimi me Gentin dhe Evasin, të cilët e njihnin shumë mirë këtë rrymë muzikore rrok, por edhe unë ju bashkangjita për ti dhënë ato fjalët e duhura  dhe emocionin e fjalës artistike, për ta sjellë në skenë, por edhe për të marrë atë lloj sadisfaksioni të jashtëzakonshëm që ne e morëm. E kam dëgjuar atë këngë vazhdimisht, pa e ditur se do të ndodhte kjo fatkeqësi. Ne kemi folur vazhdimisht për tekste të tjera këngësh, të cilat kanë përmbajtje, e për t’u ruajtur në memorien e gjithësecilit nga ne, tha poetja Halili.

Humbja e parakohshme  e artistit Evans Rama ishte e madhe si  për familjarët, miqtë, por edhe publikun që e ka ndjekur ndër vite. Edhe pse muzika nuk ishte profesioni i tij, ai punoi gjithë jetën për të investuar në këtë pasion për të pasqyruar artin e vërtetë. Publiku do ta kujtojë gjithmonë si Evansin që e ndizte “Flakë” Festivalin e Rtsh-së me muzikën rrok që e këndonte me aq shumë pasion. Prehu në paqe Evans!  

Intervistoi: Sava Lena