Presidenti Begaj takon kryeministrin kroat: Kroacia, shembulli më i mirë për rrugëtimin europian të Shqipërisë
2023-04-30 10:36:34

foto/RTSH

foto/RTSH

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës në Zagreb, u takua me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç. Kreu i shtetit shqiptar tha se Kroacia mbetet shembulli më i mirë për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i dha Shqipërisë për kapërcimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, shkruan “RTSH”.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë me ekspertë dhe ekspertizë.

Duke iu referuar partneritetit strategjik mes dy vendeve, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera, si dhe nevojën e avancimit të tyre edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik.

“Pavarësisht tendencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ende jemi larg shfrytëzimit sa duhet të mundësive që ekzistojnë në këtë drejtim”- u shpreh presidenti Begaj.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësisë së rritjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit, ku interesi i përbashkët është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Zagreb, por edhe të linjave detare që lidhin portin e Durrësit me portet e Kroacisë.

Nga ana e tij, kryeministri Plenkoviç e siguroi presidentin Begaj për vullnetin e palës kroate në çuarjen përpara të këtyre projekteve me interes të ndërsjellë.

Ndërsa në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit europian, presidenti Begaj shprehu mirënjohje për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. (Irma)