Kina, një rol parësor në ndërmjetësimin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës
2023-04-29 17:12:28

Pasditen e së mërkurës, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi me ftesë një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodimir Zelensky. Të dy palët shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet kino-ukrainase dhe krizën e Ukrainës.

Kina do të dërgojë një përfaqësues të posaçëm për çështjet euroaziatike për të vizituar Ukrainën dhe vendet e tjera për të komunikuar me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, tha presidenti Xi Jinping, duke përsëritur se dialogu dhe negociatat janë e vetmja mënyrë e mundshme për të dalë nga kriza.

I dërguari i posaçëm i Pekinit për procesin e ndërmjetësimit, i cili do të zhvillohet në të ardhmen e afërt, është Li Hui, përfaqësuesi special i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike, konfirmoi të enjten Yu Jun, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Departamentit të Çështjeve Evropiane-Azisë Qendrore të Ministrisë së Jashtme, duke shtuar se informacione të mëtejshme rreth udhëtimit do të publikohen më vonë.

Xi tha se zhvillimi kompleks i krizës në Ukrainë ka pasur një ndikim të madh në peizazhin ndërkombëtar. Sa i përket krizës, Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes dhe pozicioni i saj thelbësor është promovimi i paqes përmes bisedimeve, tha ai. Kina nuk e krijoi krizën në Ukrainë, as nuk është palë në krizë, tha Xi.  Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe një vend i madh përgjegjës, Kina nuk do të rrinte duarkryq, nuk do të shtonte benzinë në zjarr ose do të shfrytëzonte situatën për përfitime vetjake, tha ai.

Duke vënë në dukje se nuk do të kishte asnjë fitues në një luftë bërthamore, Xi tha se të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të ushtrojnë përmbajtje, të veprojnë me të vërtetë në interes të së ardhmes së tyre dhe të njerëzimit dhe të menaxhojnë së bashku krizën. Xi përsëriti se Kina mbetet e përkushtuar për të lehtësuar bisedimet e paqes dhe do të bëjë përpjekje për një armëpushim të hershëm dhe rivendosjen e paqes. Kina ka dërguar ndihme humanitare në Ukrainë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë sa më mirë të jetë e mundur, shtoi ai.

Xi përgëzoi Zelensky-n për rëndësinë që lideri ukrainas i kushton zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimit të bashkëpunimit me Kinën dhe falënderoi palën ukrainase për ndihmën e saj të fuqishme në evakuimin e shtetasve kinezë vitin e kaluar. Respekti i ndërsjellë për sovranitetin dhe integritetin territorial është themeli politik i marrëdhënieve Kinë-Ukrainë, tha ai. Pavarësisht se si evoluon situata ndërkombëtare, Kina do të punojë me Ukrainën për të avancuar bashkëpunimin me përfitim reciprok, tha Xi.

Menjëherë pas bisedës telefonike, Zelensky shkroi në Twitter: "Kam pasur një telefonatë të gjatë dhe domethënëse me Presidentin Xi Jinping. Besoj se kjo telefonatë, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t'i japë një shtysë të fuqishme zhvillimit të vendit tonë. marrëdhëniet dypalëshe”.

Zelensky tha se Kina mbështet qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së në çështjet ndërkombëtare dhe ka ndikim të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Ukraina është e përkushtuar ndaj politikës së një Kine dhe shpreson të avancojë bashkëpunimin gjithëpërfshirës dypalësh me Kinën, të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet Ukrainë-Kinë dhe të ruajë së bashku paqen dhe stabilitetin botëror, tha ai. Zelensky falënderoi Kinën për ofrimin e ndihmës humanitare për Ukrainën dhe përshëndeti rolin e rëndësishëm të Kinës në rivendosjen e paqes.

Biseda telefonike midis presidentit Xi dhe homologut ukrainas Zelenskyi është pasqyruar gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Për Radio Ejani disa analistë shqiptarë kanë komentuar këtë zhvillim të ri, dukshëm të rëndësishëm në konfliktin Rusi-Ukrainë.

Analisti i mirënjohur prof. Enver Bytyçi ka përcjellë vlerësimet e tij lidhur me bisedën telefonike midis kreut të shtetit të Kinës Xi Jinping dhe presidentit të Ukrainës Zelensky.

CMG: Opinioni ndërkombëtar ka ndjekur me interes bisedën telefonike Xi-Zelensky, po ashtu dhe mediat e kanë pasqyruar, me komente shoqëruese për një mundësi dialogimi mes palëve në konflikt. Komenti juaj për këtë bashkëbisedim?

Prof. Enver Bytyçi: Prej kohësh Kina ka shfaqur dëshirën dhe iniciativën e vet që të ndërmjetësojë për paqen në konfliktin e Ukrainës. Kjo u shpreh edhe gjatë vizitës së presidentit Xi në Moskë para disa javësh. Tani duket që biseda e presidentit të Kinës Xi me presidentin e Ukrainës Zelensky i ka dhënë një shtysë kësaj iniciative dhe besoj që Kina do të marrë një rol parësor dhe të rëndësishëm në bisedimet e paqes. Është i njohur fakti që çdo konflikt apo luftë, madje dhe luftrat e mëdha që përfshijnë kontinente përfundojnë me bisedime dhe marrëveshje midis palëve në konflikt.  Në këtë aspekt unë besoj që edhe konflikti që po zhvillohet midis Rusisë dhe Ukrainës do të përfundojë permes një marrëveshje paqeje.

CMG: Fakti që kjo bisedë e dy liderëve është përshëndetur nga të gjitha palët nënkupton se ka pritshmëri për dritë në fund të tunelit të konfliktit të armatosur, falë ndërmjetësimit të Kinës?

Prof. Enver Bytyçi: Ndoshta është pak herët të thuhet kjo për një paqe të qëndrueshme dhe përfundimtare midis dy vendeve në luftë, por unë  mendoj se deri sa konflikti po thellohet dhe po merr përmasa më të gjera se sa më pare, do të thotë që palët po synojnë dhe po luftojnë që para nisjes së bisedimeve për paqe të fitojnë terren në realitetin praktik të luftimeve, me qëllim që të fitojnë përparësi në dialogun dhe bisedimet që do të zhvillohen pa diskutim për t’i dhënë fund kësaj lufte.  Eshtë momenti i duhur që iniciativa kineze të shkojë përpara.

Drejtorja ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit dr. Marsela Musabelliu ndan me Radio Ejani komentin e saj rreth bisedës midis kreut të shtetit të Kinës Xi dhe presidentit ukrainas Zelensky

CMG: Duket se kemi të bëjmë me një lëvizje standarde diplomatike të Kinës, e cila që në nisje të konfliktit ka bërë thirrje për paqe, ulje në tryezën e bisedimeve

Dr. Marsela Musabelliu: Që në fillim të këtij viti kanë qenë pritshmëritë e diplomacisë kineze për vitin 2023 dhe u ravijëzuan në linjën se diplomacia e kreut të shtetit do të arrijë një kulm të ri në këtë vit. Në fakt këtë po shohim. Kjo quhet diplomacia e kreut të shtetit dhe kjo telefonatë midis Xi dhe Zelensky është në rrjedhën e asaj që kishte parashtruar Ministria e Jashtme e Kinës që në fillim të këtij viti.  Telefonata midis presidentit Xi dhe homologut Zelensky më 26 prill pati një resonance të thellë botërore, ku mjafton të shohim të gjitha mediat botërore në perëndim, lindje apo  në jug kanë një kryefjalë: Eshtë një lajm i mirë!  Telefonata në vetvete është një lajm i mirë për uljen e armiqësive, për hapjen e kanaleve të komunikimit, si dhe ka pritshmëri praktike për të ardhmen.

CMG: Si e vlerësoni caktimin nga pala kineze të të dërguarit të posaçëm të Pekinit Li Hui për procesin e ndërmjetësimit, i cili do të zhvillohet në të ardhmen e afërt.

Dr. Marsela Musabelliu: Eshtë shumë e rëndësishme që kjo telefonatë të vendoset në kontekst dhe këtu do të kuptohet dhe dërgimi i emisarit të posazëm në krye të delegacionit kinez. Në kontekst kjo bisedë vjen një muaj pasi kreu i shtetit kinez vizitoi Moskën, dy muaj pas shpalljes nga Kina të dokumentit me 12 pika dhe 14 muaj nga shpërthimi i konfliktit. Pra përveç se nga Kina vijnë mesazhe se bisedimet dhe negociatat mes palëve janë e vetmja rrugëdalje, kemi dhe diçka praktike. Ministria e Jashtme kineze tregoi nëpërmjet një konference për shtyp se Kina do të dërgojë një delegacion me synimin për të gjetur një zgjidhje politike  për këtë konflikt.

Pala kineze do të dërgojë këtë delegacion me përfaqësues të posaçëm të qeverisë kineze për çeshtjet euroaziatike, ndërsa presidenti Zelensky nga ana tjetër njoftoi në bisedë se do të ketë një ambassador të ri ukrainas në Pekin. Kjo tregon në praktikë se Kina do të vazhdojë të lehtësojë bisedimet për paqen dhe do të bëjë përpjekjet e saj për një armëpushim sa më të hershëm dhe për vendosjen e status quo-së të para konfliktit.  Kina ka  dërguar ndihma të shumta humanitare në Ukrainë dhe do ta vazhdojë ta ofrojë ndihmën.

Përse tani dhe përse ky delegacion? Unë mendoj se ka arsye të shumta për këtë, si dhe për kohën e telefonatës dhe dërgimit të delegacionit.

E para, është një tregues i përpjekjeve kineze për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore. Duke qenë se po flitet intensivisht për domosdoshmërinë dhe rëndësinë e komunikimit për të adresuar problemet duhen patur parasysh se situata është tejet e komplikuar dhe kjo kërkon një trajtim shumë delikat të çdo qasjeje. Kërkon që palët, para se të flasin të kenë informacionet e duhura, një pasqyrim të duhur të situatës dhe të mendimeve politike. Ky delegacion kinez me të dërguarin e posaçëm në Ukrainë por jo vetëm tregon edhe një here që ka nevojë për një kthjelltësi analitike në terren për të arritur një konsensus, por edhe sepse sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, e cila analizoi këtë telefonatë për median botërore, ky konflikt është zvarritur shumë dhe ka një efekt të përhapjes jo vetëm në vendet përkatëse. Kjo është një mundësi për Kinën që të bëjë të qartë qëndrimin e saj dhe t’i përgjigjet shqetësimit të komunitetit ndërkombëtar, shumica e të cilit kërkon një zgjidhje politike dhe paqësore

CMG: Sipas agjencive botërore, disa diplomatë besojnë se plani kinez prej 12 pikash  i publikuar në shkurt të këtij viti mund të shërbejë si një plan paqeje dhe për të inkurajuar Moskën dhe Kievin për të zhvilluar bisedime. Opinioni juaj për këtë?

Dr. Marsela Musabelliu: Praktikisht me sa duket edhe në pjesë të tjera të botës, përveç Kinës tani po mundohen të gjejnë një zgjidhje politike të konfliktit. Po shikoja dhe deklaratat e djeshme nga Brukseli ku thuhet që ka shumë mundësi që plani me 12 pika për paqen i Kinës të ketë një konvergjencë me planin e paqes që ka dale nga zyrat e Kievit. Tani po pritet që të ketë një zgjidhje ose një konvergjencë midis planeve përkatëse të paqes. Dialogu dhe negociatat janë e vetmja rrugë përpara. U hap një derë me këtë telefonatë, një derë komunikimi dhe tani është në dorë të palëve të përfshira që këtë derë të hapur ta bëjnë një rrugë drejt komunikimit dhe shuarjes së kofliktit.

Edhe analisti i njohur Aleksandër Çipa ka komentuar telefonatën midis presidentit kinez Xi dhe atij ukrainas Zelensky

CMG: Cili është vlerësimi juaj për bisedën telefonike midis presidentit Xi dhe presidentit Zelensky, e para që nga fillimi një vit më pare i konfliktit Rusi-Ukrainë?

Aleksandër Çipa: Është një nga momentet e reagimit politik dhe diplomatik që evidenton diplomacinë kineze në një pozitë aktive. Aq më tepër në kuadër të kontekstit të konfliktit, i cili zgjat prej më shumë se një viti dhe që e ka mbajtur të mbërthyer opinionin ndërkombëtar dhe të gjitha zhvillimet diplomatike në nivelin gjeopolitik global.

Ky komunikim sjell një dritë shprese për afrimin kohor të negocimit dhe dialogut midis dy palëve në konflikt, përkatësisht Moskës zyrtare dhe Kievit zyrtar. Interesimi permes komunikimit dhe nga ana tjetër pasimi me disa reagime vlerësuese në mënyrë të veçantë nga disa autoritete të Ukrainës, përkatësisht presidentit Zelensky dhe kryeministrit të Ukrainës lë të besojmë që akualisht procesi ka një dritare të hapur për mundësinë e negocimit mes palëve dhe për diskutimin në mënyrë më konkrete për çeshtje specifike të cilat e mbajnë kaq të mavijosur konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Komunikimi midis dy presidentëve në rastin konkret evidenton edhe një aspekt tjetër, atë që Kina zyrtare investohet maksimalisht për respektimin e kodeve dhe të drejtave ndërkombëtare të cilat janë pjesë e legjislacionit ndërkombëtar. Mosnjohja e atyre që quhen “territore të pushtuara nga Moska zyrtare” nga Pekini zyrtar  dhe madje mosnjohja as e periudhës së konfliktit të 2014 dhe nga ana tjetër e pjesëve të tjera të cilat duket sikur janë aneksuar është një sjellje korrekte në raport me të drejtën ndërkombëtare, legjislacionin ndërkombëtar dhe sovranitetin ndërkombëtar të shteteve të veçanta. Në këtë këndvështrim, oferta që Pekini zyrtar bën permes gatishmërisë për të qenë një ndërmjetësues në kohën e ardhme të çeshtjes është një shpresë që duhet lexuar me një pozitivitet dhe një investim pozitiv ndërkombëtar prej Pekinit zyrtar.

Marrëdhëniet Kinë-Ukrainë

Kina dhe Ukraina, si partnere strategjike, kanë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet dypalëshe në 31 vjetët e fundit, duke ruajtur kontaktet e ngushta të nivelit të lartë. Që nga viti 2019 Kina është bërë partnerja më e madhe tregtare e Ukrainës për katër vjet me radhë, por për shkak të pandemisë dhe krizës së Ukrainës, bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve pësoi ndikime. Biseda telefonike midis presidentit kinez Xi Jinping dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky të shpresojmë se do të shërbejë për uljen e palëve në konflikt në tryezën e bisedimeve dhe arritjen sa më pare të paqes.

Eda Merepeza