Orjent Memo së shpejti me një album muzikor
2023-04-29 17:15:06

Orjent Memo është këngëtar i muzikës popullore tradicionale shqiptare kryesisht të trevës së jugut. Ai e ka nisur  rrugëtimin me këngën popullore në moshë të vogël me iso-polifoninë. Orjenti ka studiuar për instrumentin e klarinetës në Liceun Artistik të Gjirokastrës. Prej vitesh ai është i pranishëm në evente të ndryshme muzikore brenda dhe jashtë vendit si dhe ka publikuar disa këngë popullore. Ndërkohë këngëtari  po përgatitet për realizimin e një albumi muzikor, këngët e  të cilit do t’i shoqërojë me videoklipe. Në një intervistë për Radio Ejani Orjent Memo tregon për fillimet e tij me këngën popullore, aktivitete muzikore si dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Kur keni filluar të lëvroni muzikën e mirëfilltë popullore?

Orjent Memo: Kam nisur rrugën e muzikës me iso-polifoninë në moshën 9 vjeçare, ku u krijua një grup nga profesori im Roland Çenko, të cilin gjej rastin ta përshëndes. Më vonë u regjistrova në Liceun Artistik të Gjirokastrës ku  studiova katër vite dhe pastaj  nisa bashkëpunimet dhe aktivitetet muzikore, muzkë live në evente të ndryshme të Shqipërisë, në gëzimet familjare dhe dasma.

CMG: Për çfarë keni studiuar në Liceun Artistik të Gjirokastrës?

Orjent Memo: Kam studiuar për klarinetë dhe para se të shkoja në lice kam bërë edhe katër vite të tjera kurs privat për këtë instrument. Unë këngën e kam pasur pasion para se të vinte instrumenti dhe  që në moshë fare të vogël kam kënduar.

CMG: Tani që i jeni përkushtuar më shumë këngës, a e keni akoma pasion klarinetën?

Orjent Memo: Sigurisht që klarinetën e kam akoma pasion. Ndërsa  për të luajturën në këtë instrument kur jam i lirë në shtëpi mund të studioj apo mund të luaj diçka për qejfin dhe qetësinë time.

CMG: Ju që në moshë të vogël e nisët këngën me iso-polifoninë. Çfarë emocioni përjetoni kur këndoni këngët polifonike?

Orjent Memo: Me muzikën polifonike dajat dhe gjyshërit e mi këndonin në sofra, kur mblidheshin në çdo festë dhe gëzim familjar. Kjo ishte shkëndija e parë që më ka bërë që ta dua kaq shumë muzikën iso-polifonike. Që në atë kohë mua muzika më prekte ku dëgjoja ndonjë strofë të kënduar nga gjyshi ose nga daja im. Ndonjëherë më ndodhte që mund edhe të dilja jashtë nga dhoma.

CMG: Muzikën ju e keni të trashëguar nga familja?

Orjent Memo: Po dhe më bëhet shumë qejfi për këtë gjë, duke shpresuar që të zgjasi sa më shumë edhe në brezat që do të vijnë.

CMG: Në ambjentet familjare kur këndoni muzikë live, a keni kënduar dhe këngë polifonike?

Orjent Memo: Ka pasur shumë raste nëpër ambjente të ndryshme me muzikë live, por rastet më të shpeshta janë në evente të ndryshme si dasma dhe ditëlindje, ku bëhemi pjesë e atyre personave që mund të na kenë marrë për një gëzim të vetin dhe ay e kemi kënduar edhe një këngë polifonike.

CMG: Sa këngë keni të publikuara në kanalin tuaj YouTube dhe si janë pritur ato nga artdashësi?

Orjent Memo: Deri tani janë nëntë këngë të publikuara, ku në disa prej tyre ka dhe bashkëpunime, por që pjesa më e madhe janë këngë që i kam kënduar vetë. Disa prej këngëve janë “Të gjeta te porta”, “Moj bajame”, të cilat janë pritur më mirë se këngët e tjera nga publiku. Unë kam një bashkëpunim me kompozitorin dhe tastieristin Orest Selfo dhe me Ergest Lapin, i cili është më i suksesshmi për momentin.

CMG: Keni sjellë vetëm krijimtari të re apo dhe këngë të vjetra popullore në këto produksione muzikore?

Orjent Memo: Të gjitha këngët janë krijimtari e re, vetëm këngë “Të gjeta te porta” është këngë e risjellë nga unë dhe e kemi luajtur me grupin tim të polifonisë. Dikur kur kemi qenë shumë të vegjël e kemi bërë këngë polifonike dhe unë thjesht e kam risjellë në karakter të vet, por me orkestracion.

CMG: Cili nga bashkëpunimet ka qenë më i suksesshëm?

Orjent Memo: Bashkëpunimi më i sukseshëm dhe që ka ecur jashtëzakonisht mirë është kënga “Dasëm vënçe” me Ergest Lapin.

CMG: Do të kishit dëshirë që në të ardhme të risillnit edhe këngë të vjetra popullore të përpunuara?

Orjent Memo: Patjetër që po, dhe për momentin jam duke përgatitur një album timin, ku njëra prej këngëve është publikuar para pak ditësh. Kjo këngë është kompozim dhe me tekst të shokut tim Orest Selfo.

CMG: Keni marrë pjesë në aktivitete muzikore jashtë vendit dhe si jeni pritur nga publiku?

Orjent Memo: Unë për kaq kohë që marr pjesë në evente të ndryshme muzikore si brenda dhe jashtë vendit kam pasur shumë mbështetje nga njerëzit. Deri tani jam shumë i kënaqur dhe e kam shpirtin të ngrohur nga kjo pjesë.

CMG: Përveç muzikës së trevës së jugut a keni kënduar dhe këngë të trevave të tjera?

Orjent Memo: Unë më shumë marr pjesë në evente familjare në Tiranë dhe Durrës, me repertorin e Shqipërisë së mesme dhe kemi pasur sukses. Jam shumë i lumtur.

CMG: Përveç albumit muzikor që po punoni, keni ndonjë projekt tjetër muzikor në të ardhmen?

Orjent Memo: Unë çdo muaj do të publikoj një këngë të shoqëruar me videoklip.

CMG: Cili do të ishte një mesazh për brezin e ri për të qenë më pranë muzikës së vërtetë popullore.

Orjent Memo: Unë shpresoj shumë dhe do më bëhej shumë qejfi që sado breza të kalojnë muzikën popullore asnjëherë mos ta lënë mbrapa, sidomos muzikën polifonike, sepse është një vlerë aq e çmuar sa ne ndoshta dhe nuk e imagjinojmë dot. Kështu që mesazhi i vetëm që mund t’u jap të rinjve shqiptarë që mund të kenë ëndrra apo pasion muzikën është vetëm të ndjekin ëndrrat e tyre.

Intervistoi: Gazmend Agaj