Telefonata midis Presidentit Xi Jinping dhe Volodymir Zelenski: një formulë për paqen
2023-04-29 18:09:28

Në një kohë kur bota po kalon ndryshime historike me ndikim të thellë dhe të gjerë, ka nevojë më shumë se kurrë, për një vizion i cili mund të adresojë sfidat dhe për më shumë shtysa për të ndërtuar konsensus. Pritshmëritë e diplomacisë kineze në vitin 2023 janë ravijëzuar në linjën se diplomacia e kreut të shtetit do të arrijë një kulm të ri duke patur parasysh interesat më themelore të vendit, duke kuptuar me saktësi dhe kthjelltësi ndryshimet, dhe duke bërë çmos për të parandaluar dhe zbutur rreziqet dhe sfidat kryesore të jashtme, dhe kështu po ndodh. Më 26 prill 2023, presidenti kinez dhe presidenti ukrainas patën një telefonatë që zgjati mëse një orë, ku diskutuan intensivisht mbi çështjet që prekin interesat kombëtare të të dy palëve dhe më gjerë.


Një orë telefonatë në kontekst

Është e rëndësishme të kontekstualizohet kjo bisedë që vjen një muaj pasi presidenti Xi vizitoi Moskën, dy muaj që nga “dokumenti i pozicionit” ose “plani i paqes” me 12 pika, të shpalosur nga Pekini dhe 14 muaj pas shpërthimit të konfliktit. Të dyja palët kanë shprehur idetë dhe mendimet e tyre për mbarë botën pas bisedës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Çfarë dëgjojmë nga pala kineze?  - Mediat më të mëdha kineze raportojnë se gjatë telefonatës Xi i tha Zelenskit se "bisedimet dhe negociatat" ishin "e vetmja rrugëdalje" nga situata, dhe për çështjen e krizës në Ukrainë, Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes dhe pozicioni i saj thelbësor është të promovojë bisedimet e paqes.  Janë bërë 31 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve dypalëshe Kinë-Ukrainë dhe ato kanë arritur nivelin e partneritetit strategjik, i cili ka nxitur zhvillimin dhe rigjallërimin përkatës të dy vendeve. Theksi u vendos tek gatishmëria e Kinës për të zhvilluar marrëdhëniet e saj me Ukrainën, e cila është e qëndrueshme dhe e qartë.  Respekti i ndërsjellë për sovranitetin dhe integritetin territorial - tha Xi - është themeli politik i lidhjeve dypalëshe. Kina shpreson se të gjitha palët do të reflektojnë seriozisht për krizën në Ukrainë dhe të shqyrtojnë bashkërisht mënyrat për të sjellë paqe dhe siguri të qëndrueshme në Evropë përmes dialogut.  U vu në dukje se kriza e Ukrainës po evoluon në mënyra komplekse me ndikime të mëdha në peizazhin ndërkombëtar.

Ministria e Jashtme e Kinës në një konferencë për shtyp, na shpjegon se Kina do të dërgojë një delegacion në Ukrainë me synimin për të gjetur një zgjidhje politike për konfliktin. Ky delegacion do të këtë në krye një  përfaqësues të posaçëm të qeverisë kineze për çështjet Euroaziatike në Ukrainë dhe ndërkohë, Zelenski njoftoi se një ambasador i ri ukrainas është rrugës për në Pekin. Kjo tregon në praktikë se  Kina do të vazhdojë të lehtësojë bisedimet dhe  përpjekjet e saj për armëpushim të hershëm dhe rivendosjen e paqes. Kina ka dërguar grupe të shumta ndihme humanitare në Ukrainë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në maksimumin e mundësisë së saj.

Në një shënim të publikuar në profilin e tij në Twitter, presidenti ukrainas tha se kishte një telefonatë të “gjatë dhe domethënëse” me presidentin Xi Jinping. Ai besonte se thirrja dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t'i jepte një shtysë të fuqishme zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Rruga e Pekinit për një rol të “paqebërësit global”

Kjo telefonatë shërben për të nënvizuar pozicionin e Kinës. Ishte nevoja për të nënvizuar një neutralitet kinez që lojtarë të ndryshëm ndërkombëtarë e kanë keqinterpretuar.  Por si e ka pritur pjesa tjetër e botës këtë telefonatë? Në të gjithë mediat ndërkombëtare po flitet për këtë telefonatë, dhe kryefjala është “një lajm i mirë”.

Zyrtarët e BE-së flasin shprehimisht për një moment “pozitiv” sepse tani “kanalet e komunikimit janë të hapura”.  Kjo është arsyeja pse BE-ja e shikon me optimizëm njoftimin  për këtë telefonatë dhe se Kina do të dërgojë një përfaqësues special për çështjet euroaziatike në Kiev. Kjo do të lehtësojë detyrën e analizimit të parimeve politike të Pekinit, të cilat  mund të konvergojnë me planin e paqes të Zelenskit. I takon Ukrainës për të vendosur parametrat e ardhshëm të çdo negociate të mundshme, shprehen zyrtarë të BE-së.

Prandaj, duket se do të shfrytëzohet rasti për të krijuar kushte të favorshme për një zgjidhje të mundshme politike të krizës. Kina shihet si një lojtar kyç në lidhje me çdo lëvizje drejt paqes për shkak të marrëdhënieve të saj të ngushta me të dyja vendet.

Kina është shumë e rëndësishme për Ukrainën. Është një vend shumë i rëndësishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kështu që Ukraina shpresonte prej kohësh që kjo bisedë të ndodhte. Dhe tani që ndodhi, gjërat mund të fillojnë të ecin përfundimisht në drejtimin e duhur të ndërprerjes së armiqësive. Jemi ndoshta në fillimin e një rruge shumë të gjatë diplomatike, por ama rruga u shtrua...nga Kina.

Përse tani?  Ka arsye të shumta për kohën e zgjedhjes së Kinës për këtë telefonatë dhe për dërguar delegacionin special në Ukrainë dhe vende të tjera. E para, se është një tregues i përpjekjeve kineze për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore dhe përmes kanaleve politike. Duke qenë se flitet intensivisht për domosdoshmërinë dhe rëndësinë e komunikimit për të adresuar problemet, duhet pasur parasysh se situata është tejet e komplikuar. Kjo kërkon një trajtim shumë delikat të çdo qasjeje, kërkon që palët para se të flasin të kenë shënimet e duhura, pasqyrimin e duhur të situatës dhe kthjelltësinë analitike që të arrihet konsensus dhe mirëkuptim.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kjo për shkak se kriza e Ukrainës është zvarritur për më shumë se një vit. Pra, është e zgjatur dhe ka një efekt të përhapur. Është një mundësi për Kinën që të bëjë të qartë qëndrimin e saj, si dhe t'i përgjigjet shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar, duke pasur parasysh faktin se gjithnjë e më shumë vende po bëjnë thirrje tani për fashitjen e armiqësive.

 

Mentaliteti i konfrontimit të blloqeve – një lojë gjeopolitike që Kina e refuzon në koncept

Nëse pjesa tjetër do të kanalizojë këtë luftë si konfrontim blloqesh, Lindje vs. Perëndim, asnjë palë nuk do ti ndalë armiqësitë deri sa të ketë një fitues. Në Kinë mendojnë se kjo ndarje jo vetëm që nuk është realiste, por është mizore kundrejt popujve që paguajnë çmimin e këtij konfrontimi.

Dhe një pikë tjetër është se disa vende  perëndimore mendojnë se vetëm njëra palë ka të drejtë dhe pala tjetër është e detyruar të ketë gabim. Por nga këndvështrimi i Kinës, kriza e Ukrainës është një çështje shumë komplekse. Pra, Kina nuk ka marrë kurrë iniciativën që të mbajë anë, pasi e ka parë në mënyrë të kthjellët situatën duke u vendosur mbi palët.

Politikëbërësit në Pekin e hedhin poshtë mentalitetin e luftës së ftohtë dhe atë të konfrontimit të blloqeve, dhe nuk bëhet palë me asnjë. Nga ana tjetër në Pekin pyesin, cili lider në botë sot ka mbajtur komunikimin me liderët e të dyja palëve të përfshira drejtpërdrejt në krizë? Praktikisht asnjë, pra për Pekinin zyrtar kjo telefonatë është një tregues i objektivitetit dhe paanshmërisë të Kinës në promovimin e bisedimeve të paqes.

Sa më shumë kalojnë ditët në konflikt dhe luftime aq më shumë viktima do të këtë, aq më shumë humbjet ekonomike do të thellohen, dhe bashkë me to do të thellohen edhe më shumë kërcënime sigurie për Evropën dhe kontinentin euro-aziatik.  Kështu që, për Kinën, çdo kohë është koha e mirë për të filluar bisedimet e paqes, por e dinë të gjithë që Rusia dhe Ukraina nuk janë palët e vetme të përfshira drejtpërdrejt në krizë. Në Pekin shpresojnë që të gjitha palët e përfshira të mund të ulen së bashku për të nisur këto bisedime paqeje. Sepse, nëse kjo krizë vazhdon të zvarritet, atëherë do të dëmtojë jo vetëm këto dy vende dhe Evropën, por mbarë botën.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina e ka vendosur veten mbi palët dhe u ka bërë thirrje që të punojnë drejt përfundimit sa më të shpejtë të konfliktit, që të kenë parasysh interesin e popujve, të përpiqen të promovojnë paqen dhe të provojnë çdo mënyrë të mundshme për t'i shtyrë palët në konflikt të rifillojnë bisedimet duke i dhënë fund luftimeve sa më shpejt.

Së fundmi, pozicioni i Kinës mund  të përmblidhet me analogjinë e zjarrit si simbol i konfliktit. Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një vend i madh përgjegjës, “Kina as nuk do e sodisë zjarrin nga larg, as do i hedhe dru zjarrit aq më pak të shfrytëzojë zjarrin për përfitime vetjake.”

 

Dr. Marsela Musabelliu